Përvjetor i rëndësishëm për informimin shqip në Malin e Zi

Ky përvjetor (20-vjetori) përkon edhe me botimin e numrit 1 000 të kësaj të përjavshmeje. Në historinë e shtypit 20 vjet nuk janë shumë, por për shtypin shqiptar në Malin e Zi ky është një përvjetor i rëndësishëm. “Koha javore” është media e shkruar më jetëgjatë dhe më me traditë në historinë e shtypit shqiptar në Malin e Zi

Ismet Kallaba

Më 21 shkurt të këtij viti janë bërë 20 vite nga botimi i numrit të parë të gazetës (të përjavshmes) “Koha javore”. Dalja e saj në vitin 2002 përbën një ngjarje të shënuar për shqiptarët në Malin e Zi, sepse përpos që shikohej në njëfarë mënyre si vazhdimësi e revistës së mëparshme “Koha”, botimi i së cilës u ndërpre arbitrarisht, plotësoi dhe pasuroi peizazhin mediatik në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Ajo po ashtu shënonte plotësimin e një prej kërkesave të shqiptarëve (partive politike shqiptare) në fushën e informimit në gjuhën shqipe.
Më kujtohen ditët e para kur te pjesa më e madhe e redaksisë, të cilët nuk kishin përvojë në shtyp, vërehej një lloj mosbesimi. Por vetëm pas tri javësh që kishim filluar punë, arritëm të nxjerrim numrin e parë të gazetës. Dalja e “Kohës javore” u prit me entuziazëm nga lexuesi. Dhe prej asaj kohe, “Koha javore” do të vijojë rrugëtimin e vet, duke qenë në dorën e lexuesit çdo të enjte, për të mos u ndalur më kurrë deri më sot.
Që prej fillimit “Koha javore” ka krijuar një profil të qartë duke trajtuar ngjarje dhe tema që i shqetësojnë shqiptarët në Malin e Zi, por edhe shtetërore dhe (mbarë)kombëtare, duke i parë shqiptarët si një trung i përbashkët. E themeluar (tani edhe e financuar) nga Kuvendi i Malit të Zi, “Koha javore” u botua fillimisht nga SHAGBG “Pobjeda”, kurse që nga viti 2015 (numri 646) botohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi. Burimi i financimit dhe botuesi nuk kanë ndikuar në politikën e saj redaktuese, duke qëndruar besnike ndaj parimeve themelore të gazetarisë dhe duke mos rënë pre e politizimit. Gjatë këtyre njëzet viteve “Koha javore” ka kaluar nëpër shumë sfida, në radhë të parë financiare. Falimentimi i SHAGBG “Pobjeda” ka rrezikuar edhe të përjavshmen “Koha javore”. Në varësi edhe të rrethanave, “Koha javore” e ka ndryshuar formatin e saj duke dalë fillimisht në formatin e gazetës ditore, kurse sot botohet në formatin e revistës.
Ky përvjetor (20-vjetori) përkon edhe me botimin e numrit 1 000 të kësaj të përjavshmeje. Në historinë e shtypit 20 vjet nuk janë shumë, por për shtypin shqiptar në Malin e Zi ky është një përvjetor i rëndësishëm. “Koha javore” është media e shkruar më jetëgjatë dhe më me traditë në historinë e shtypit shqiptar në Malin e Zi. Në kohën e krizës së shtypit (printit), kur në vende të tilla si Kosova, nuk botohet asnjë e përditshme, ky përvjetor merr një domethënie edhe më të madhe.
Sot jetojmë në kohën e ndryshimeve të mëdha, në kohën e krizës së leximit, në kohën kur nuk dominon fjala por imazhi dhe spektakli. Prandaj edhe “Koha javore” ka vend për ndryshime dhe përmirësime, sepse gjithnjë mund të bëhet më mirë, por gjëja më e vështirë është të ruhet tradita. Me traditën e saj tashmë 20-vjeçare, “Koha javore” është shndërruar në një institucion të shqiptarëve në Malin e Zi.
Në këtë 20-vjetor është koha për të falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar që “Koha javore” të botohet dhe të mbijetojë. Për “Koha javore” kanë shkruar dhe vijojnë të shkruajnë disa nga penat më të rëndësishme të shtypit shqiptar në Malin e Zi dhe në tërë hapësirën shqiptare. Prandaj duhet falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët, sepse pa ta “Koha javore” nuk do të ishte ajo që është sot, sikurse edhe lexuesin besnik.
Krahas arsimit, media në gjuhën shqipe është ndër elementet më të rëndësishme identitare të shqiptarëve në Malin e Zi. Për këtë arsye, “Koha javore” përbën edhe një mision. Nga ana tjetër, ajo nuk duhet të shikohet vetëm si një e drejtë për informimin në gjuhën amtare, por para së gjithash si një e drejtë e arritur e shqiptarëve në Malin e Zi.
“Koha javore” është po ashtu një burim i rëndësishëm arkivor. Kushdo që të shkruaj për shqiptarët në Malin e Zi, “Koha javore” do të jetë një ndër burimet kryesore dhe të pashmangshme që do t’i shërbejnë si referencë.

Të fundit

më të lexuarat