
Me ardhjen e demokracisë dhe me hapjen e shoqërisë së mendimit të lirë, fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe, dukej se gjithçka do ndryshonte për mirë. Por çfarë po ndodh sot pas shumë revolucioneve, luftës për një shoqëri të hapur dhe për mendim ndryshe? Ku është ajo demokracia e letrave, demokracia e shkrimeve të shumta dhe me mijëra libra të botuar për këtë sistem shoqëror? Globalizmi si virtyt i ri, i cili po përhapet me një shpejtësi marramendëse, ku çdo fshat është bërë qytet dhe çdo gjë që ndodh në Uashington, për fare pak sekonda arrin në çdo fshat.
Intelektualë, shoqata dhe media të shumta, sot në shekullin XXI, po shkruajnë dhe po luftojnë për një shoqëri të barabartë. Madje edhe politika po lufton pabarazinë shoqërore, e cila duket se po vërehet në çdo cep të shoqërisë, edhe nga bankat shkollore. Shumë prej tyre po kërkojnë fajtorin, të tjerët deklarojnë së mbas sajë fshihet politika e gabuar e cila ndikon tek populli, e sidomos tek ne në Ballkan. Të tjerët akuzojnë institucionet shtetërore, e disa zgjedhin të emigrojnë duke lënë të gjitha këto pas. Por çfarë qëndron pas gjithë kësaj? Thonë që e keqja fshihet në detaje, ndoshta edhe kjo dukuri e keqe shoqërore, fshehet pas detajeve të vogla. Ekonomistët këtë dukuri e shohin si diçka që starton kur njerëzit fillojnë të shfrytëzojnë aftësitë e tyre mendore dhe fizike për të krijuar apo prodhuar të mira materiale, rrjedhimisht duke grumbulluar pasuri. Sepse, nëse duam ta shohim historikisht, njerëzit kanë qen[ të barabartë në aspektin material, apo ndryshe, pabarazia shoqërore ishte zero. Ishte kjo koha kur askush nuk kishe asgjë. Pra, të gjithë ishin të barabartë, kush kishte i jepte atij që nuk kishte.
Por, me kalimin e kohës filluan organizime shoqërore, e që sot quhen klane. Ndërsa sot, bota ka ecur shpejt dhe me ndryshime të mëdha. Po ia filloj nga rrjetet sociale, e të cilat janë pjesë të pazëvendësueshme në jetën tonë të përditshme. Mendimi i lirë, fjala e lirë dhe shkrimet që postohen çdo ditë nëpër këto rrjete, janë ndoshta edhe elementi kryesor i përçarjes shoqërore, e kryesisht kjo mund të vërehet në mbështetje të partive të ndryshme politike, ku aty edhe fillon përçarja shoqërore. Mungesa e debatit në nivel dhe me argumente, ku çdo mendim ndryshe konsiderohet si sulm ndaj tjetrit, shpie direkt tek përçarja midis individëve dhe më tej mes shoqërisë. Duket se sot shoqëritë funksionojnë si klane dhe kjo shpie tek pabarazia mes individëve dhe më tej tek pabarazia shoqërore. Favorizimi i individëve të caktuar, përmes këtyre klaneve, duke mos verifikuar potencialet që posedojnë, pastaj favorizimi i politikës për individë të ndryshëm, duke anashkaluar potencialin që posedojnë individët tjerë, por duke kërkuar se cili është më afër klanit të caktuar, shpie tek pabarazia e që shkon deri tek përçarja në shoqërori.
Duket se demokracia nuk ishte aq e mirë sa thonin, apo ndoshta ne nuk e praktikojmë atë në formë të duhur. Këtu po më kujtohet një filozof, të cilit emrin ia harrova, por rëndësi ka ajo që ai tha “Dy çobanë (dy veta pa shkollë) në demokraci do fitonin Sokratin, pasi që ata do kishin dy vota, ndërsa Sokrati një”. Mos ndoshta ne sot po e jetojmë këtë realitet, mos ndoshta ky është edhe qëllimi i atyre që tentojnë të udhëheqin në politikë, shoqëri…?
Shoqëria jonë është e vogël dhe pabarazia mund vërehet shumë lehtë, pothuajse çdo ditë, por le të shkojmë pak më larg, le të flasim pak për Universitetin e Kembrixhit. Thuhet që atje, larg nga Ballkani me qytetërim, por afër me avion, nota mesatare është B (9), pra çka nënkupton e gjithë kjo?
Mjafton të keni të holla të bollshme për tu regjistruar në këtë universitet, ndërsa për të tjerat mendojnë ata, por kush e ka një mundësi të tillë? Pse nuk u jepet mundësia edhe atyre që nuk kanë mjete materiale të mjaftueshme por që duan të shkollohen dhe të ndihmojnë për një botë më të mirë. Duket se e gjithë kjo po na kthen në fillim të asaj që thash më lart, që ekonomistët e kanë sqaruar vite më parë. Pabarazia shoqërore manifestohet edhe përmes diskriminimit të grave, i manifestuar në faktin se sot, pak gra zënë poste të rëndësishme politike, ekonomike, sociale etj. Këtu do veçoja SHBA-në, si rrënjën e demokracisë, zhvillimit dhe prosperitetit, e që vetëm sot, pas 200 viteve, për herë të parë kemi një femër vice-presidente (zv/presidente). Kjo pabarazi është shumë e dukshme në shoqërinë tonë, e sidomos nga ajo që shohim përmes mediave, ku politika duket se nuk është punë për gra, me pretekstin se gratë nuk janë të afta të udhëheqin, edhe pse deri më tani nuk u është dhënë mundësia që të provohen në atë drejtim. Por, në çdo fushë ku gratë arrijnë me forca të veta të dalin në pah, janë treguar shumë të suksesshme dhe të nevojshme për emancipimin shoqëror. Por, pse ekziston kjo pabarazi? Sepse shoqëria, rrethi ku jetojmë e ka paragjykuar gruan si të padobishme, dhe ky fenomen duket se është i pamundur për tu luftuar sado që tentohet, dhe sot femra, është vetëm dekor, ndërsa në politikë vetëm numër, asgjë më shumë, për fat të keq.
Getoizimi, mbyllja jonë brenda grupeve shoqërore të caktuara, mosintegrimi në shoqëri të tjera, mosemancipimi i të rinjve në botën përtej oborrit të vet, dhe moszhvillimi ynë kulturor, duket se do e rrisë pabarazinë shoqërore dhe si i tillë do të prodhojë përçarje të mëdha në shoqëri, e që nesër do reflektohet në njerëz seriozë, të rritur dhe profesionistë të fushave të ndryshme, e sidomos të atyre që do të angazhohen publikisht.
Eliminimi i një fenomeni të tillë, e që rrënjët i ka shumë thellë, duket se çdo ditë po bëhet edhe më i vështirë, por zbutja e tij, përmes angazhimit të shoqërisë, duke kuptuar zanafillën e tij, padyshim që është i mundur. Futja e meritokracisë në sistemin shoqëror, politik dhe ekonomik të secilit vend, me të madhe do ndalonte përhapjen e mëtejmë të tij. Kjo do të thotë që vlerësimi dhe pozitat të fitohen përmes meritave të caktuara që posedon secili nga ne, duke anashkaluar favoret e klaneve të organizuara, partive politike apo individëve të caktuar. Kjo do duhej të fillojë nga sistemi shtetëror e të zbresë mes popullit dhe shoqërive, sepse kjo do të rriste dëshirën për t’u bërë më i mirë në çdo fushë, dhe do ishte motivim për ata që duan të dalin nga ekonomia e keqe, nga getoizimi shoqëror dhe duke punuar fort në talentin e tyre, përmes meritokracisë si sistem me vlera të posaçme, do ishte shpresëdhënëse për të gjithëve, dhe Kembrixhi do ishte mundësi për të gjithë. Shihemi në vitin 2022. Urime!