Pa fitues të qartë

Lëvizja Vetëvendosje! e kryeministrit Albin Kurti, megjithëse ka dalë forca e parë politike duke fituar numrin më të madh të votave, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të krijuar vetë qeverinë e ardhshme të Kosovës

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që janë mbajtur ditën e diel (9 shkurt 2025), nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë.
Lëvizja Vetëvendosje! e kryeministrit Albin Kurti, megjithëse ka dalë forca e parë politike duke fituar numrin më të madh të votave, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të krijuar vetë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Sipas rezultatave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (duke mos përfshirë votat jashtë vendit, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta), Lëvizja Vetëvendosje! pritet të ketë 47 deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma Socialdemokrate 8 deputetë. Ndërsa nga 20 ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, 9 pritet t’i takojnë Listës Serbe, një partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” të ministrit Nenad Rashiq (që do të përbënte një përjashtim në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ku Lista Serbe i ka fituar rregullisht dhjetë deputetë), kurse 10 ulëset e tjera do të ndahen mes pakicave joserbe.
Një rezultat i tillë do të vështirësojë krijimin e një shumice të qëndrueshme qeverisëse, aq më tepër nëse kemi parasysh gjuhën e ashpër politike të përdorur gjatë fushatës zgjedhore ndaj kundërshtarëve politikë, ku lufta kryesore është zhvilluar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje! në pushtet dhe tri partive kryesore opozitare.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, të dielën pak pas mesnatës, kryeministri aktual i Kosovës dhe kandidati për kryeministër i koalicionit të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje!, “Guxo” dhe “Alternativa”, Albin Kurti, ka premtuar para mbështetësve të tij se ai do ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, pa treguar se si dhe me kë.
Ai ka vlerësuar procesin zgjedhor si demokratik e paqësor dhe ka falënderuar autoritetet për angazhimin.
Kurti ka thënë se kurrë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie.
“Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapëseprapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ajo ka qenë 40.59 për qind, ku nga 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë me të drejtë vote, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 799 mijë e 954 qytetarë.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë që janë mbajtur me disa ndryshime në procesin zgjedhor pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku mes tjerash qytetarët kanë mundur të zgjedhin nga dhjetë kandidatë për deputetë, për dallim nga pesë sa ka qenë në zgjedhjet e kaluara.
Po ashtu, kjo është hera e parë që qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë votuar (ditën e shtunë) nëpër përfaqësitë diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës, pasi që kjo është bërë e mundur me ndryshimet e reja ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e qytetarëve të Kosovës në diasporë që e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, qoftë përmes postës apo votimit fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Siç e kemi përmendur disa herë gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, nga 104 mijë e 924 votues, 84 mijë e 600 kanë përzgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 324 kanë qenë të regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Lidhur me votimin në përfaqësitë diplomatike, që u përmbyll gjatë ditës së djeshme (8 shkurt 2025), ju njoftojmë se nga 20 mijë e 324 votues që ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi në 30 përfaqësitë e Republikës së Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75.54 për qind”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare kanë garuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Procesi zgjedhor është vlerësuar si demokratik dhe ka kaluar pa ndonjë incident të madh që mund të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve. Përpos vëzhguesve të brendshëm, ai është monitoruar edhe nga 100 vëzhgues ndërkombëtarë të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës nga 18 vende të Bashkimit Evropian. Problemi i vetëm ishte administrimi dhe publikimi me kohë i rezultateve paraprake të zgjedhjeve nga KQZ, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, për shkak se platforma online e këtij institucioni për disa orë ishte jashtë funksionit.
Kjo ishte hera e parë që prej pasluftës që në Kosovë zhvillohen zgjedhje të rregullta parlamentare pasi që të tjerat kanë qenë të parakohshme.

I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat