
Meqenëse tema e Ballkanit të Hapur është bërë “hit” ndër shqiptarët, përmes këtij opinioni të shkurtër po shpreh mendimin tim se pse “Open Balkan”, si një tryezë e të pabarabartëve, paraqet, jo vetëm një gabim moral dhe drejtim inferior, por edhe hap mbrapa në skenën gjeopolitike shqiptare.
“Ballkani i Hapur” është një formë e shkrirjes ekonomike dhe sociale, në të cilën shumica e pjesëtarëve gradualisht e paaftësojnë veten, në favor të liderëve, të cilët “rriten” dhe shndërrohen në kult. Dhe siç dihet, me formimin e cilitdo kult politik, ndjekësit lihen mënjanë dhe bëhen të pafuqishëm për t’i rezistuar rendit te ri politik. Po sjelli më poshtë disa mendime.
Së pari, edhe pse flitet shumë për rritje të tregut dhe përfitime eventuale që do të mund të sillte ky eksperiment, duket se injoranca, apo interesi, nuk lejon që të shihen pabarazitë e qarta. Nëse analizohen faktet ekonomike shihet qartë, se kush përfiton. Prodhimi i brendshëm bruto (PPB) i përbashkët, i Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nuk barazohet me atë të Serbisë vetëm. PPB i Malit të Zi, sipas Bankës Botërore për vitin 2020, është 4.77 miliardë dollarë, ndërsa i Shqipërisë 14.88 miliardë dollarë. Ndërkaq i Kosovës është 7.72 miliardë dollarë, kurse i Maqedonisë së Veriut 12.27 miliardë dollarë. Kështu, PPB i përbashkët i katër anëtarëve potencialë, prej 39.5 miliardë dollarësh, është diçka më shumë se gjysma e PPB-së së Serbisë, e cila, sipas të njëjtin burim, ka PPB-në prej 53.33 miliardë dollarësh. Pra, edhe pse flitet se të gjitha vendet që supozohet se do të marrin pjesë në Ballkanin e Hapur, do përfitojnë nga tregu i përbashkët, Serbia do të jetë ajo që gjithmonë do të përfitojë më shumë. E një Serbi më e fortë se të gjitha anëtarët e tjerë së bashku, nuk jep shpresë se do të kemi një bashkëpunim partnerësh.
Së dyti, Rusia, përmes Lavrovit, publikisht ka përkrahur këtë iniciativë, çka me të drejtë e klasifikon si një projekt Serbo-Rus. Pastaj, Vuçiq, këtë iniciativë e sheh si një shumëzues forcash për ambiciet e Serbisë, e jo një zëvendësim i të njëjtave ambicie. Shkurtimisht, kjo iniciativë nuk do te këtë sukses, nëse dikush mendon se do të ulë ambiciet serbe për të dominuar në Ballkan. Madje, kjo nismë, as nuk është e projektuar që të detyrojë Serbinë t’i miratojë standardet e Bashkimit Evropian, sa u përket praktikave demokratike. Edhe pse në konceptin bazë, Bashkimi Evropian dhe Amerika e mbështesin idenë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, mendoj se është një qëndrim i gabuar i Fuqive të Mëdha në Ballkan, kur kërkojnë bashkëpunim me çdo kusht, pa kuptuar sa duhet gjeografinë kulturore të rajonit, e me çka u hapin ambiciet liderëve nacionalistë që nxisin dhunë. Për më tepër, nëse injorojmë historinë, ajo mund të rezultojë në përsëritjen e saj. Vlen vetëm të kthejmë filmin mbrapa te Traktati i Londrës (1913), i Bukureshtit (1913), apo edhe më mbrapa, te Kongresi i Berlin (1884-1885), e të shihet qartë se qëllimet dhe objektivat e Serbisë pak a shumë gjithmonë kanë qenë te ngjashme; Serbia e Madhe, Serbia e Grashaninit dhe e Akademisë serbe, Serbia e cila akoma vazhdon të ëndërrojë mbretërinë e Car Dushanit.
Përfundimisht, nëse shikohen faktet nga burimet e ndryshme arkivore e akademike, lehtësisht mund të vihet deri te konkludimi se zgjerimi dhe forcimi i Serbisë gjithmonë është bërë në dëm të territoreve shqiptare dhe “Ballkani i Hapur” nuk është asgjë më pak se forcim i pozicioneve dominuese serbe. Prandaj, në këtë moment, shqiptari që mbështet këtë nocion pragpanik, ose nuk i njeh faktet, sepse ato nuk janë paraqitur në mënyrë të drejtë, ose mendojnë se do të kenë përfitime personale, apo për grupin e vet politik. Sido që të jetë, mbështetja e kësaj iniciative nga shqiptarët, në përgjithësi, paraqet jo vetëm gabim moral, por edhe hap të madh mbrapa, politik dhe shoqëror.
(Autori është profesor i shkencave politike – Manhattan College dhe
Doktorant i Diplomacisë Kulturore dhe Migracionit – UWS & ICD)