Obligim ta ruajmë identitetin tonë kombëtar

“Sot është atdhetar dhe patriot çdo shqiptar i përkushtuar, i cili punon çdo ditë, ai i cili nuk flet dhe shkruan në gjuhë të huaj pa qenë nevoja, ai që mban familjen, rrit fëmijët dhe i arsimon në gjuhën amtare, i edukon me historinë dhe frymën kombëtare”, ka thënë kryetari i KKSH-së, Faik Nika

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka organizuar të martën mbrëma (28 nëntor 2023) në Hotelin “Mediteran“ në Ulqin mbrëmje solemne me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Mbrëmja ka filluar me këndimin e Himnit Kombëtar nga sopranoja vendase Gjylije Pelingu – Hoxha.
Në fjalën e rastit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se shqiptarët në Malin e Zi kanë pësuar e përjetuar vuajtje e pasoja nga më të rëndat nga institucionet e rendit, për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar,
“Ne sot duhet të kemi respekt të veçantë, të nderojmë fort të gjithë ata atdhetarë e patriotë që në kohë shumë të vështira të përjetimit të persekutimeve e dënimeve nga më të rëndat, kanë pasur guximin të shfaqin identitetin përmes Flamurit Kombëtar dhe të trashëgojnë te brezat e rinj dashurinë për atdheun dhe kombin. Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë shkon sot për të gjithë ata dhe familjarët e tyre që guxuan ta shfaqnin identitetin e tyre dhe nuk iu nënshtruan asnjë regjimi”, ka theksuar ai.
Sipas tij, e kemi obligim që të ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe të mos hutohemi e tretemi në rrjedhat e rrymat e fuqishme të globalizmit.
“Sot është atdhetar dhe patriot çdo shqiptar i përkushtuar, i cili punon çdo ditë, ai i cili nuk flet dhe shkruan në gjuhë të huaj pa qenë nevoja, ai që mban familjen, rrit fëmijët dhe i arsimon në gjuhën amtare, i edukon me historinë dhe frymën kombëtare”, ka theksuar Nika.
Kryetari i KKSH-së ka nënvizuar se në të ardhmen duhet të kemi qëllim parësor “arsimimin e brezave të rinj në qendrat dhe universitetet më të mira të botës, por duke e ruajtur identitetin kombëtar dhe të përgatitemi të konkurrojmë me dituri, profesionalizëm e talent në të gjitha profesionet, sepse potencialet, gjenetikën dhe shembujt që duhen ndjekur i kemi jo të pakta…”


Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi, Zhaklina Peto, ka thënë se Shqipëria i ka gjithmonë në vëmendje shqiptarët që jetojnë në trevat shqiptare në Malin e Zi, të cilët janë një pjesë e rëndësishme e Shqipërisë.
Sipas saj, atdheu është ajo pjesë që secili nga ne e merr me vete kudo që shkon.
“Dhe unë besoj se ju të gjithë e keni Shqipërinë me vete, që ju të gjithë e doni Shqipërinë ashtu si edhe unë”, ka thënë Peto.
Ajo ka premtuar se Shqipëria do të ndihmojë në realizimin e projekteve konkrete, siç është ngritja e Muzeut të Detarisë në Ulqin dhe projekte të tjera në fushën e kulturës.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se 28 Nëntori ka një rëndësi të posaçme për çdo shqiptar.
“Jemi të lidhur së bashku me këtë festë kombëtare, duke shpërndarë dashurinë tonë për atdheun dhe duke treguar flamurin që na bashkon. Flamuri kuq e zi është simbol i krenarisë sonë, i unitetit dhe i lirisë që i takon çdo shqiptari kudo që ndodhet”, është shprehur ai.
Bajraktari u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Ulqinit, në vendlindje dhe në diasporë, që të angazhohen për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke ruajtur identitetin dhe vlerat tona kombëtare.
“Detyra jonë është t’i ruajmë dhe t’i përhapim këto vlera te brezat e ardhshëm. Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të angazhohet në projekte që synojnë forcimin e identitetit tonë kombëtar duke bashkëpunuar në mënyrë aktive me bashkëkombësit tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe diasporë”, ka theksuar ai.
Për të pranishmit e shumtë në numër është shfaqur një program artistik, ku kanë marrë pjesë sopranot Gjylije Pelingu – Hoxha dhe Egzona Salaj, pianistja Fatime Buzuku, violinistja Aksa Murati – Nimanbegu, solistja Eliza Markiq nën shoqërimin e Hysen Hasanagës në kitarë, si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona”. Po ashtu nxënësja e shkollës së mesme, Liriona Mehmeti, ka deklamuar vargje nga një kolazh poetik.

i. k.


U mbajt edicioni i 11-të i Maratonës e Pavarësisë

Me rastin e 28 Nëntorit është mbajtur edicioni i 11-të i Maratonës së Pavarësisë, e cila këtë vit është zhvilluar nga Ulqini në Shkodër.
Moti me shi nuk i ka penguar rreth 35 maratonistë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Ukraina etj. që të marrin pjesë në këtë aktivitet tashmë tradicional, i cili zhvillohet që nga viti 2012.
Fitues i edicionit të sivjetshëm të maratonës në kategorinë e meshkujve është maratonisti Bogdan Semenovych nga Ukraina me rezultatin 2:20:37, vendin e dytë e zuri Bledar Mesi nga Shqipëria me rezultatin 2:34:06, kurse vendin e tretë Ilir Këllezi nga Shqipëria me rezultatin 2:45:22.
Në kategorinë e femrave, fituese doli Natalija Semenovych nga Ukraina me rezultatin 2:49:20, vendin e dytë e zuri Bilijana Kiradijev nga Maqedonia e Veriut me rezultatin 2:54:51 dhe vendin e tretë Redia Dauti nga Shqipëria me rezultatin 3:12:30.
Maratona e Pavarësisë u organizua nga OJQ “Kultura Fizike”, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe Bashkisë Shkodër si dhe Fondit Humanitar “Trojet Tona”. Fondi i përgjithshëm shpërblyes për fituesit ka qenë 3 800 euro, ku vendi i parë ka fituar 1 000 euro, vendi i dytë 600 euro dhe vendi i tretë 300 euro.

Të fundit

më të lexuarat