Tuz – Për të dytin vit me radhë, Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit, organizoi në Tuz Panairin e Librit i cili u mbajt në qendër të parkut të Tuzit, në kuadër të manifestimit kulturor, “Vera në Malësi”.
Në këtë panair morën pjesë numër i konsiderueshëm i publikut vendas dhe bashkëatdhetarë nga diaspora. Panairin e sivjetshëm e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, i cili tha se ky eveniment kulturor në Komunën e Tuzit tashmë është bërë tradicional.
“Prezenca juaj kaq e madhe tregon se ky vend e don librin dhe arsimimin. Mesazhi ynë nga Komuna e Tuzit është se, këtu jemi dhe do të vazhdojmë të kultivojmë librin për të krijuar dituri për të gjithë”, theksoi ndër të tjera, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj.
“Prezenca juaj kaq e madhe tregon se ky vend e don librin dhe arsimimin. Mesazhi ynë nga Komuna e Tuzit është se, këtu jemi dhe do të vazhdojmë të kultivojmë librin për të krijuar dituri për të gjithë”, theksoi ndër të tjera, kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj
Në të njëjtën kohë, të pranishmit i përshëndeti sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit, Marina Ujkaj. Ajo theksoi se organizimi i panairit të librit është një festë e madhe e mbushur me aktivitete që synon promovimin e librit në veçanti, dhe letërsisë në përgjithësi.
“Ne aspirojmë që organizimi i panairit të bëhet tradicional, dhe në këtë mënyrë të ofrojmë librin tek brezi i ri dhe të ushqejmë tek ata dashurinë për leximin”, u shpreh në mes tjerash Ujkaj.
Në natën e parë të panairit, më 18 gusht 2021, u bë promovimi i librave të akademik. prof. dr. Anton Kolë Berishaj,“Në botën e përbashkët” dhe të prof. dr. Anton Vukpalaj, “Fshehja e krimit”.
Ndërkohë, gjatë promovimit të këtyre veprave, fjalën e rastit e morën, sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore në kuadër të ASHAK-ut, akademike, prof. dr. Justina Shiroka-Pula, si dhe akademik, prof. dr. Hivzi Islami, dhe prof. dr. Martin Berishaj.
Në natën e dytë të këtij panairi u bë promovimi i veprës letrare “Gjurmë që (nuk) heshten, i autorit, Nikollë Berishaj, për të cilën folën, prof. dr. Arsim Sinani, Fran Camaj dhe Ismet Kallaba.
Në natën e tretë dhe përmbyllëse të këtij evenimenti kulturor-letrar, u bë promovimi i katër veprave letrare, tre të autorit, Nail Draga: “Debati i munguar”, “Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi (1990- 2015) dhe “Masakra e Tivarit- gjenocidi kundër shqiptarëve”, si dhe libri “Kopilani” i autorit Çun Lajçi.
Për veprën letrare të aktorit të madh shqiptar, Çun Lajçit, ka folur shkrimtari i njohur nga Shkodra, Zija Vukaj, ndërkohë që vështrimet e tyre mbi veprat letrare të studiuesit dhe publicistit, Nail Draga i shpalosën, mr. Robert Camaj, Nikollë Camaj, dhe Vasel Sinishtaj.
Në panairin e sivjetshëm të librit morën pjesë mbi njëzetë shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në mesin e tyre edhe Shtëpia Botuese – Asociacioni Ulqini, dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve – “Art Club”, me botimet e veta.
Në këtë panair libri, admiruesit e letërisisë patën mundësinë që të njihen me mbi dymijë tituj librash, të zhanreve të ndryshme.
t. u.