Naiviteti kulturor si identitet institucional

Korab Kraja

Fundshtatori paraqet një periudhë të rëndësishme për mbijetesat tona kulturore dhe historike, që i quajmë me një fjalë trashëgimi. Për shkak të rëndësisë së kësaj fjale kaq të vlefshme, institucionet botërore vendosin që fjalën “trashëgimi” ta kremtojnë edhe përmes veprave, duke i manifestuar aktivitete që ndërlidhen me fushëveprimin e saj dhe që në fokus kanë trashëgiminë. Konteksti ndërkombëtar është konkretisht te trashëgimia kulturore, e cila për fat të kontekstit kohor dhe historik, nuk njeh kufij prizmatik të kremtuarit dhe të shënuarit të kësaj dite. Vet obligimi moral që qëndron pas fjalës “trashëgimi”, e bën atë të rëndësishme në fjalëveprimin dhe në fushëbetejën etike njerëzore, duke e vënë, hera-herës, mbi të gjitha llojet etike dhe morale të njerëzimit. Sidomos, kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore. Pikërisht për këtë, veprimi i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, shpallin “Ditët e Trashëgimisë Evropiane”, që paraqesin ngjarje të përbashkëta kulturore nga njerëzit që jetojnë në Evropë. Siç lexohet në raportin e këtyre dy institucioneve të larta evropiane, këto ngjarje të kësaj natyre panevropiane kontribuojnë në afrimin e njerëzve dhe nxjerrjen në pah të dimensionit evropian dhe të vlerës së trashëgimisë kulturore në shtetet nënshkruese të Konventës Kulturore Evropiane. Janë të ndryshme dhe të shumta ngjarjet që organizohen për këto ditë të rëndësishme, që ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë e përbashkët të Evropës dhe nevojën e vazhdueshme për mbrojtjen e saj.
Trashëgimia kulturore, siç e thekson UNESCO me pak fjalë, është “trashëgimia jonë nga e kaluara, ajo me të cilën jetojmë sot dhe ajo që ua përcjellim brezave të ardhshëm. Trashëgimia jonë kulturore dhe natyrore janë burime të pazëvendësueshme të jetës dhe frymëzimit.” (whc.unesco.org) Pra, është një obligim i qenësishëm që na shtyn atë ta mbrojmë dhe ta përçojmë te gjeneratat tjera. Dhe pranimi i kësaj trashëgimie, që mund të konsiderohet edhe fat që e kemi të ruajtur- ashtu siç është e ruajtur- deri sot, vlen që të përmendet si kontribut i paraardhësve tanë. Prandaj, obligimi moral për ta ruajtur, duhet të bëhet edhe obligim jetik për ta promovuar atë.
Sipas këtij shqyrtimi përkufizues, çfarë ka për të ruajtur dhe çfarë ka për të promovuar? Në ndihmë të kësaj pyetjeje, përsëri del UNESCO, kur thotë se “trashëgimia kulturore përfshin artefakte, monumente, një grup ndërtesash dhe sitesh, muzetë që kanë një larmi vlerash, duke përfshirë rëndësinë simbolike, historike, artistike, estetike, etnologjike ose antropologjike, shkencore dhe sociale. Ajo përfshin trashëgiminë e prekshme (të luajtshme, të palëvizshme dhe nënujore), trashëgiminë kulturore jomateriale të ngulitur në objekte, zona ose monumente të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Përkufizimi përjashton trashëgiminë jomateriale në lidhje me fusha të tjera kulturore si festivale, festime etj. Ai mbulon trashëgiminë industriale dhe pikturat e shpellave.” (uis.unesco.org)
Duke u bazuar në këto dy citime të thjeshta, mund të thuhet, mjaft të qarta dhe të kapshme për masën e gjerë, e sidomos të tilla do të duhej të ishin për institucionet e kulturës, a kanë vendet tona për çka të festojnë? Është e vërtetë, se ditë përditë institucionet e kulturës dhe kulturëdashësit marrin nëpër gojë trashëgiminë e pasur që vendet tona, për fat të mirë, e kanë. Por, është po ashtu e vërtetë, se në ditët e veçanta të trashëgimisë, institucionet e kulturës dhe kulturëdashësit, për fat të keq, nuk ndërmarrin vepra konkrete për ta promovuar trashëgiminë e pasur që vendet tona e kanë!
Një vend me një trashëgimi të jashtëzakonshme, që daton me mijëra vjet më përpara, institucionet e kulturës nuk organizojnë manifestime promovuese dhe edukuese. Pra, këto institucione nuk janë në hap me kohën, por janë ende në të kaluarën, mjerisht, më të varfër se që përshkruhet në kronikat historike. Mjerisht! Një gjë të tillë e dëshmon edhe fakti që ende në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit figuron drejtor për Qendrën për Kulturë, si institucioni i vetëm me ingerenca të tilla komunale, drejtori i kaluar! Drejtori që i ka kaluar mandati dhe që e la këtë institucion kulturor me pasoja menaxheriale edhe për të ardhmen.
Jemi dëshmitar që as institucionet arsimore nuk ndërmarrin hapa konkrete në shfrytëzimin e këtyre ditëve të rëndësishme, që nxënësit e tyre t’i afirmojnë së paku me shëtitje edukative në vendet me rëndësi historike dhe kulturore apo edhe nëpër muzetë e qytetit. Përpos tyre, në vendet tona, ekzistojnë edhe muze private, të jashtëzakonshëm për nga përmbajtja dhe për nga menaxhimi. Duke vizituar muze të tillë, si në kala të Ulqinit, në fshatin Draginë apo në afërsi të Tuzit, nxënësit do të mund t’i shihnin për së afërmi vlerat e procesit të ruajtjes së trashëgimisë dhe ta shohin rëndësinë se pse një gjë e tillë duhet të ruhet. Dhe nuk është vetëm trashëgimia materiale që çon peshë kaq të madhe, kur ekziston edhe trashëgimia jomateriale, e cila është mjaft e pranishme në vendet tona. Duke vizituar këto vende të rëndësishme të ruajtjes së objekteve historike, programet artistike që mund të organizohen në to, mund të shfaqin një kontribut të mirëfilltë edukues, prandaj dhe emancipues për vizitorët, e sidomos për fëmijët. Një gjë të tillë, për shembull e bën shkëlqyeshëm muzeu etnografik në Draginë, i cili përpos anës vizituese të eksponateve, përgjithësisht, manifestimet që ndodhin aty kontekstualizohen me ngjarje kulturore, edukative, argëtuese, shkencore ose promovuese, duke i dhënë jetë ambientit me frymëzim adekuat dhe modest për ringjalljen e artefakteve që mban brenda muzeut dhe përreth tij.
Mbase nuk mund të jetë kaq tragjike mosshënimi i kësaj date, së paku formalisht nga udhëheqësit tanë të kulturës, kur në festat tradicionale të shoqatave tona vendore, të atyre organizatave që në të vërtetë do të duhej të kishin në planprogramin e tyre ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, në programin e tyre artistik nuk ka asgjë kulturore. Dhe, i tërë fokusi i tyre vjetor përmbahet në shënimin e vetëm një dite, kur mërgimtarët tanë kthehen në vendlindje dhe pikërisht në një ditë të caktuar të shpallur për ta, nuk shfaqet as edhe një gjë tradicionale, që mërgimtarët tanë duhet të kenë mallin e përvjetshëm. Së paku, as edhe një veshje tradicionale nuk shihet në skenë ose në publik, si dhe as edhe një ushqim tradicional nuk i ofrohet publikut pjesëmarrës. Në këtë rast, as veshja dhe as ushqimi, që hyjnë në kategoritë e trashëgimisë jomateriale, që zënë vendet e dimensionit të dijebërjes, nuk janë në interes të promovimit apo të mbështetjes financiare me qëllim simulimin për ruajtjen e qëndisjes tradicionale apo të kuzhinës tradicionale. As vendet që përzgjidhen të organizohen këto manifestime “qendrore”, nuk shfaqin ndonjë rëndësi të veçantë kulturore a historike. Në tërë këtë organizim me një kapacitet të tillë të buxhetit, këto organizata nuk janë në gjendje që një pjesë të buxhetit ta ndajnë për të mbrojtur trashëgiminë ndërtimore ose për ta promovuar dijebërjen e trashëgimisë shpirtërore. Më e spikatura trashëgimi që vlen për çdo njërin, që hyn në anën më të dukshme shpirtërisht dhe të prekshme materialisht, është shtëpia e të parëve, e cila shfaq vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore. Secila shtëpi e vjetër, me arkitekturë tradicionale, përmban brenda vetes trashëgiminë e prekshme të ndërtimit dhe trashëgiminë e paprekshme të rrëfimeve dhe kujtimeve për të.
Çfarë ndodh? As edhe një cent për ruajtjen e tyre! Ferrat dhe barishtet, jo që kanë kapluar muret dhe çatitë e këtyre shtëpive, por tanimë ato kanë mbuluar edhe themelet e rrënojave, sepse për fat të keq, nga mospërkujdesja dhe mosmirëmbajtja, muret e shtëpive po bien dita-ditës. Mjerisht!
Për çfarë është angazhimi i institucioneve tona kulturore? Për makiazhe televizive në emër të kulturës.
Për çfarë është angazhimi i shoqatave tona, brenda dhe jashtë vendit? Për aheng dasmash.
Pse ky mosdurim kulturor në vendin tonë? Kujt po i pengon trashëgimia kulturore? Mykja e institucioneve tona kulturore dhe organizatave kulturore që nuk promovojnë kulturën, si duket ka shtrirë rrënjë të thella. Atmosfera e rehatllëkut anadollak ka kapluar, për fatin tonë të keq, nëpër zyrat institucionale kulturore. Saqë, është shpërfaqur një naivitet kulturor si identitet institucional.

Të fundit

më të lexuarat