
Javën që kaloi ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, Mbretëresha Elizabet II e Britanisë së Madhe, pas 70-viteve në fronin mbretëror të Anglisë – periudhë kjo më e gjata në historinë e Mbretërisë britanike. Ndërkohë që bota shqiptare dhe bota mbarë shënuan 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, si dhe 6-vjetorin e Shenjtërimit të saj.
Gjatë mbretërimit prej 7 dekadash, Mbretëresha Elizabet ka takuar shumë ikona dhe personalitete historike, por nuk besoj të ketë takuar ndonjë personalitet botëror më frymëzues për miliona njerëz anembanë botës dhe më të shenjtë se Nënë Terezën shqiptare, e njohur për përkushtimin e saj, gjatë gjithë jetës ndaj njerëzve më në nevojë – të varfërve, ndër më të varfërve të botës. Siç dihet, Nënë Tereza, murgesha legjendare dhe misionarja shqiptare, një prej humanistëve më të njohur të shekullit XX, ishte një rreze shprese për të gjithë ata, të lenë e të harruar nga shoqëria, përfshirë të moshuarit, të varfërit e më të varfërve, të papunësuarit, të sëmurët, e të tjerë.
Ishte viti 1983. Nënë Tereza dhe Urdhri i saj “Misionaret e Dashurisë”, ishin të njohura tanimë, botërisht, si kujdestare e më të varfërve anembanë botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Nënë Tereza kishte hapur disa qendra të Urdhrit të saj dhe ku ishte dekoruar me disa nga çmimet më të larta që u akordon ky vend personaliteteve më të njohura të botës për vepra të dalluara, për të mirën, jo vetëm të shoqërisë amerikane, por mbarë njerëzimit. Shën Nënë Terezës: “Me gjak, unë jam shqiptare…” | Gazeta Telegraf. Ndërkaq, viti 1983 shënon gjithashtu takimin midis Mbretëreshës Elizabet dhe Nënë Terezës. Atë vit, Mbretëresha Elizabet ka bërë një vizitë në Nju Delhi të Indisë për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të qeverive dhe shteteve anëtare të “Commonwealthit” britanik. Në kryeqytetin e Indisë ishin mbledhur gjithashtu disa nga udhëheqësit më të lartë të botës, për të festuar edhe 50-vjetorin e pavarësisë së Indisë. Ishte pikërisht gjatë kësaj vizite, pothuaj 40-vjetë më parë, që Mbretëresha Elizabet II i dorëzoi Nënë Terezës, njerës prej figurave më të njohura fetare të kohërave moderne, Dekoratën e lartë të Britanisë së Madhe, “Urdhri i Meritave”, që Britania e Madhe u akordon personave që kanë dalluar veten për shërbimin ndaj të tjerëve në nevojë, me veprimtarinë e tyre të vazhdueshme, në fusha të ndryshme të aktivitetit.
Kur Mbretëresha takoi Shenjtëreshën, Nju Delhi, 1983 dhe i dorëzoi Dekoratën e lartë të vendit të saj duke deklaruar se veprimtaria e Nënë Terezës dhe motrave të saj “po ndryshojnë botën nepërmjet bamirësisë” dhe kauzave të shumta që kanë ndërmarrë për të ndihmuar më nevojtarët e shoqërive, kudo. (From Her Majesty’s Facebook Page)
Që pas atij takimi në Nju Delhi në vitin 1983, e deri në ditën para se të ndërronte jetë, javën që kaloi, Mbretëresha Elizabet gjithmonë ka folur me admirim për Nënë Terezën dhe veprimtarinë e saj. Por, më kujtohet se ndryshe nga ceremonitë e tjera të dekorimit të Nënë Terezës, anembanë botës, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, ceremonia e dorëzimit të Çmimit në shërbim të njerëzimit nga Mbretëresha Elizabet II në Nju Delhi në vitin 1983, ishte shumë e thjesht në krahasim me ceremonitë e tjera që ishim mësuar të shihnim anembanë botës kur dekorohej Nënë Tereza. Në përputhje me thjeshtësinë që karakterizonte Nënë Terezën, në atë ceremoni morën pjesë jo më shumë se 10-15 veta, përshirë disa prej bashkëpunëtorëve të afërm të Nënë Terezës. Me sa më kujtohet, as nuk u mbajtën fjalime me atë rast, qoftë nga Mbretëresha, qoftë nga Nënë Tereza, ndonëse Nënë Tereza u shpreh shkurtimisht se e pranonte Dekoratën nga Mbretëresha Elizabet, “për lumturinë e Zotit dhe të punës tonë”.
Megjithkëtë, pas atij takimi, Mbretëresha Elizabet ka kujtuar shpesh Nënë Terezën, duke shprehur admirimin e saj për të. Si për shembull, në mesazhin e saj me rastin e Krishtlindjes në vitin 2016, ajo ka shprehur mirënjohje ndaj gjithë veprimtarisë së Nënë Terezës duke thenë se njerëz të thjeshtë, “mund të kryejnë vepra të jashtëzakonshme”, nëpërmjet përkushtimit të tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Mbretëresha me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ka theksuar se nga njerëz të tillë, “ajo merr shembull dhe fuqi”. Dhe se njerëz të tillë, për të dhe për të gjithë që i njohin, “ata janë një frymëzim”. “Jeta e tyre shpeshëherë mishëron të vërtetën e shprehur nga Nënë Tereza – nga sot e tutje, Shën Nënë Tereza”, ka thenë me atë rast Mbretëresha Elizabet II, në vitin 2016.
Mbretëresha britanike dhe Shenjtëresha shqiptare, dy ikona të shekullit të kaluar, kanë lenë pas një trashëgimi – secila në mënyrat e veta të ndryshme sipas vokacioneve të tyre dhe mënyrës së veprimit, por që në një mënyrë ose një tjetër, do të frymëzojnë brezat e ardhshëm, jo vetëm të dy kombeve të tyre respektive, por edhe brezat në mbarë botën.
Frank Shkreli