Mbi tri dekada besnik ndajinstrumentevetë lashta

Pas një bisede të këndshme dhe vëllazërore, u përshëndeta me z. Hasani të cilit i urova shëndet të mirë e shumë suksese në vazhdim të veprimtarisë së tij të çmuar, ndërkohë ai u zotua se do të vazhdojë të merret me këtë zanat sa të ketë jetë dhe frymë në trup

Sami Hasani i cili jeton dhe vepron në Prishtinë, është një prodhues dhe riparues i zellshëm i instrumenteve folklorike muzikore, me një përvojë mbi tridhjetë vjeçare. Samiun e takova para pak kohësh në Prishtinë, pikërisht në punishten e tij. Ai përveçse një prodhues dhe riparues në zë i instrumenteve në fjalë, ai ishte njeri i qetë, i buzëqeshur dhe fisnik. Në një bisedë për gazetën “Koha Javore”, z. Hasani rrëfen mbi idenë dhe fillimet e tij të hershme për t’u marrë me këtë zeje.
“Unë si fëmijë 14 vjeçar kisha një çifteli të cilën ma kishte dhuruar një dhëndër i joni, tashmë i ndjerë, baci Feriz Gaxhufi dhe pastaj duke u mësuar që të luaj në çifteli, m’u shtua kureshtja dhe kështu dita-ditës kisha një dashuri të madhe për atë çifteli të cilën më nuk e kam, edhe pse do të kisha shumë dëshirë ta kisha” shprehet Hasani.
Ai rrëfen se pavarësisht dëshirës së madhe që kishte për çiftelinë, u deshën të kalojnë edhe disa vite që ai t’i rikthehej pasionit që kishte filluar ndaj çiftelisë, për shkak se ai u detyrua të kryej shërbimin ushtarak në Kroaci, në vitin 1991, ku atje qëndroi 11 muaj e njëzetë ditë.
Mirëpo, siç shprehet Samiu, gjatë qëndrimit të tij në shërbim ushtarak, malli për instrumentin e çiftelisë vinte dhe shtohej, edhe më shumë.
“Pasi kthimit në shtëpi babai im më tha, pse s’po shkon të Ferizi e mësohu të punosh çiftelia. Unë shkova me prindin te baca Feriz, i cili me shtat ishte i vogël, por i dashur dhe me zemër të madhe. Ai atëherë m’i dha në dorë sqeparët që gropohej çiftelia, ndërsa mua më dukej vetja i vogël para tij, sepse duke folur baca Feriz, unë kisha një pasiguri dhe nuk mund të gërryeja fare si ai” tregon Samiu.
Megjithatë, z. Hasani nuk u dorëzua aty, por besoi fuqishëm tek vetja e tij, dhe me ato sqeparë që i kishte dhënë Ferizi, ai ushtroi përreth shtatë muaj, duke arritur që t’i punojë vet të njëjtit sqeparë, ndërsa ato të z. Feriz ia kishte kthyer, duke e falënderuar atë.
“Si fillim ishte e vështirë të dija dhe të siguroja mjetet e punës, sepse edhe gjendjen financiare nuk e kisha të mire. Por, ashtu fillova dhe duke punuar, më hyri në zemër ky profesion dhe kjo zeje aspak e lehtë”, shprehet mjeshtri, Sami Hasani.
Ai nga ateherë e deri më sot nuk i është ndalur asnjëherë këtij zanati. Z. Hasani ka një punishte të tij në Prishtinë në të cilën kryen tërë procesin e prodhimit dhe riparimit të instrumenteve.
Instrumentet që ai prodhon janë sharkia, çiftelia dhe gjysmë sharkia prima, të notave të ndryshme si, sharki të notës F, G, A; çifteli të notës A Oktavë, dhe F, E, D, C, A dhe G.
Këto instrumente muzikore, mjeshtri i zellshëm, Sami Hasani me shumë mjeshtri, përkushtim dhe profesionalizëm i punon nga druri i arrës dhe i qershisë, të cilat siç tha ai, e prodhojnë tingullin më të bukur dhe më të ëmbël, krahasuar me drunjtë e tjerë.
Hasani thotë se për ta ushtruar këtë zeje, motivimin e gjen te puna e tij e përditshme dhe tek kërkesat e blerësve të cilët sa vinë dhe shtohen.
“Gjatë punës, natyrisht se përballesh me probleme të ndryshme të cilave duhet t’iu përshtatesh dhe aty pastaj bëhen bashkë, edhe përvoja dhe rezultati i cili nuk mungon”, thotë z. Hasani.
I pyetur mbi interesimin që ka sot për këto lloj instrumentesh, që ato të ruhen dhe t’i mbijetojnë kësaj kohe të teknologjisë digjitale gjithnjë në zhvillim, ai shprehet se vazhdimisht ka kërkesa, “sepse është diçka jona unike dhe e pandryshuar, me tinguj karakteristikë. Blerësit janë të ndryshëm, por më shumë janë të diasporës”.
Me z. Hasani bashkë ndamë të njëjtin mendim, se është tejet e rëndësishme që ky zanat të trashëgohet nga gjeneratat e reja, pasi që këto vegla muzikore nga dita në ditë rrezikojnë të lihen në harresë, ndërsa siç dihet ato janë pjesë e paçmuar e thesarit të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike. Mirëpo, siç tha z. Hasani, ruajtja e tyre është individuale dhe buron nga motivi që ka secili kundrejt tyre, ndërsa tha se shteti i Kosovës punon shumë pak në këtë drejtim.
Pas një bisede të këndshme dhe vëllazërore, u përshëndeta me z. Hasani të cilit i urova shëndet të mirë e shumë suksese në vazhdim të veprimtarisë së tij të çmuar, ndërkohë ai u zotua se do të vazhdojë të merret me këtë zanat sa të ketë jetë dhe frymë në trup.
Z. Hasani, me punën e tij cilësore, me shumë mund, përkushtim dhe sakrifice, ka dhënë dhe vazhdon të jap një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të këtyre instrumenteve të lashta folklorike muzikore.

Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat