Në prani të një rrethi të vogël shokësh dhe miqsh të autorit, të shtunën mbrëma, në Atelienë “Gazi” në Ulqin është bërë përurimi i romanit “Hienat e Pinjeshit” të shkrimtarit Ibrahim Berjashi.
Për librin kanë folur redaktori Hajrullah Hajdari dhe recensenti Ali Gjeçbritaj.
Hajdari ka thënë se të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Berjashit, jo vetëm te shqiptarët në Mal të Zi, por kudo në trevat mbarëshqiptare është e tepërt, sepse veprat e tij kanë folur shumë më herët.
Ai ka thënë se libri “Hienat e Pinjeshit” është një shprehje dhe mallëngjim i autorit për të kaluarën dhe padrejtësitë që i janë bërë popullit tonë ndër vite.
“Të gjitha ato ngjarje që e kanë përcjellur popullin shqiptar gjatë ish-Jugosllavisë dhe fatkeqësisht pas ardhjes së pluralizmit, qoftë në trojet shqiptare në Mal të Zi, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, e kanë nxitur Berjashin që në këtë mënyrë, sado- kudo, të ndikojë në ngritjen e vetëdijes dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, sidomos të lexuesve të këtij libri”, ka thënë Hajdari.
Ai ka thënë se nga vetë titulli i librit kuptojmë shumë, sepse ashtu siç përcaktohet në fjalor fjala “hienë”, si një qenie shumë e rrezikshme mishngrënëse, te njeriu paraqitet si një njeri i keq, gjakpirës, i ndyrë.
“Dhe të gjithë personazhet e librit janë pothuaj të atillë. Duke u nisur nga Sallaku, udbashët dhe të gjithë personat e tjerë prej të cilëve vetë Berjashi dhe ne, gjenerata e tij, kemi vuajtur”, ka theksuar Hajdari.
Recensenti i librit, poeti Ali Gjeçbritaj, ka thënë se për ta kuptuar dhe shijuar si duhet një vepër letrare, ajo duhet të lexohet me kujdes dhe vëmendje të madhe.
“Andaj, për ta analizuar veprën në të gjitha aspektet duhet që ajo të lexohet dhe të analizohen të gjithë përbërësit e saj kryesorë”, ka thënë ai.
Gjeçbritaj ka theksuar se gjatë leximit të romanit “Hienat e Pinjeshit” duhet që lexuesi t’i ketë parasysh disa komponentë.
Ai ka thënë se “përcaktimi i kohës dhe i variantit ka rëndësi të madhe për ta kuptuar veprën letrare në ato raste kur gabimet në përcaktimin e kohës së krijimit të ndonjë vepre ose fakteve që i vishen njërit e jo tjetrit autor, ndikojnë për të kuptuar atë që thuhet, atë që është thënë në vepër”.
Sipas tij, “rëndësia e përcaktimit të kohës mbiçmohet, sepse për shumicën e lexuesve s’është me rëndësi se a është i njohur autori i saj, por gjithashtu duhet të tërhiqet vërejtja se për të kuptuar prozën, veçanërisht atë të Berjashit, do të jetë shumë e vështirë për lexuesin se ku dhe kur zhvillohet ngjarja”.
Në emër të botuesit, Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari Ismet Kallaba.
Duke folur për autorin e librit, ai ka thënë se “Ibrahim Berjashi i përket atij grupi të autorëve shqiptarë në Malin e Zi, i cili i ka mbetur besnik vendit dhe popullit të tij, duke i shërbyer atij me përkushtim dhe duke dhënë një kontribut të çmuar për kulturën shqiptare në Malin e Zi”.
Kallaba ka theksuar se Ibrahim Berjashi është një autor me ndihmesa të shumta për kulturën shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë.
“Për më se një gjysmë shekulli, ai ka kontribuar në një mori fushash, si: letërsi, gazetari, kulturë dhe organizime kulturore, veprimtarinë botuese, sektorin civil etj. Është një jetë e tërë me gazetarinë dhe letërsinë”, ka thënë ai.
Kallaba ka vijuar duke thënë se “Berjashi është i njohur në radhë të parë si poet, por si një autor që dëshiron të eksperimentojë, në disa vepra të fundit ai është sprovuar edhe në prozë”.
Në fjalën e tij, autori Ibrahim Berjashi ka falënderuar kolegët e tij, të cilët e kanë ndihmuar në forma të ndryshme për botimin e librit dhe që të marrë frymëzime.
“Siç thanë edhe pararendësit, është një moshë kur i jam kthyer letërsisë, sepse unë jam pensionist dhe punë tjetër nuk bëj. Brenda kopertinave është një jetë e tërë. Një jetë e gjatë që nuk karakterizohet me mua si autor, por me të gjithë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Berjashi ka sqaruar se personazhet si Sallaku apo Sheshiri janë përdorur simbolikisht si metaforë në romanin e tij, por ata që janë rritur në Krajë, Ulqin, Anën e Malit etj., e dinë se persona të tillë kanë ekzistuar në realitet.
Romani “Hienat e Pinjeshit” është botuar vitin e kaluar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.