Podgoricë – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave organizoi të enjten mbrëma në Bibliotekën Popullore “Radosav Lumoviq” në Podgoricë takimin letrar me temë “Letërsia e shqiptarëve në Malin e Zi – sa njihemi?”
Lidhur me këtë temë kanë folur dhe ndarë mendimet e tyre me publikun Akademiku Zuvdija Hoxhiq, profesori universitar Dr. Drashko Doshlak, shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë Dr. Haxhi Shabani dhe Mr. Anton Gojçaj, kurse në emër të organizatorit drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Salko Luboder.
Akademiku Zuvdija Hoxhiq është përqendruar në shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët afirmimin e tyre e kanë arritur në Kosovë. Në këtë kontekst, ai ka veçuar katër shkrimtarë: Esad Mekulin, Rexhep Qosjen, Mehmet Krajën dhe Basri Çapriqin.
“Përfaqësues dhe pjesëtarë të gjeneratave të ndryshme, krijues autentikë, dallojnë edhe për nga poetika e tyre – që nga vargjet e hershme të Mekulit kushtuar të varfërve shqiptarë të shtypur shoqërorë, rrogëtarëve e deri te vargjet e krijuara në liri dhe kujtimet për mjediset e vendlindjes dhe bukuritë e saj; deri te karakterizimi postmodernist i Qosjes mbi ngjarjet dhe personazhet shoqërore bashkëkohore, orientimet dhe lidhjet e Krajës dhe Çapriqit me prirjet, motivet dhe temat letrare moderne dhe universale”, ka thënë ai.
Hoxhiq ka thënë se bëhet fjalë për krijues me të cilët krenohet Mali i Zi dhe të cilët kanë qenë të lidhur në aspektin emocional dhe krijues me të.
Profesori i letërsisë jugosllave, Dr. Drashko Doshlak, ka lavdëruar punën e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, duke thënë se ky është institucioni i vetëm që në vazhdimësi dhe në mënyrë cilësore prezanton krijimtarinë letrare të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Këtë e bën përmes këtyre tribunave, mbrëmjeve letrare, por para së gjithash nëpërmjet veprimtarisë së vet botuese, si librat apo antologjitë e këtyre autorëve, nëpërmjet botimeve dygjuhësore – në gjuhën shqipe dhe malazeze, por sidomos nëpërmjet revistës së vet, tashmë të njohur, KOD, në faqet e së cilës lexojmë rregullisht krijimtari letrare edhe të shqiptarëve, por edhe ese, kritika dhe vështrime për këtë krijimtari. Kjo është mënyrë e mirë që të kemi qasje edhe në këtë letërsi dhe ajo të jetë më e dukshme”, ka thënë ai.
Për shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë Anton Gojçaj, veprat e letërsisë shqipe që krijohet në Mal të Zi janë jashtë interesimit të studimeve sistematike të ngjarjeve letrare në Mal të Zi dhe jashtë konkurrencës kur bëhet fjalë për çmime.
Duke konstatuar se disa prej shkrimtarëve më të rëndësishëm në Kosovë kanë lindur në Guci, Krajë, Ulqin, Malësi, ai ka thënë se edhe në Mal të Zi ka shkrimtarë që shkruajnë në gjuhën amtare shqipe.
Sipas Gojçajt, bëhet fjalë për një letërsi heterogjene, ku janë të përfaqësuara pjesa më e madhe e gjinive dhe llojeve letrare, ndër të cilat më pak drama.
“Kritika letrare është e mangët, kryesisht është në formën e fjalimeve nëpër përurime që më pas botohen në të përjavshmen ‘Koha javore’ apo ndonjë portal. Kjo lloj ‘kritike’ është kryesisht pozitive, inkurajuese, shpesh tepër lavdëruese dhe e karakterit solemn”, ka thënë ai.
Poeti dhe studiuesi i letërsisë Haxhi Shabani ka thënë se letërsinë që krijohet në gjuhën shqipe në Malin e Zi duhet konsideruar si pjesë të letërsisë shqipe në përgjithësi, por në të njëjtën kohë, ajo mund të konsiderohet si pjesë e letërsisë që krijohet në Mal të Zi.
“Por edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, integrimi i saj në letërsinë kombëtare dhe në letërsinë e shtetit ku krijohet ka problemet e veta, para së gjithash për shkak të mosnjohjes dhe mosgatishmërisë së qendrave që të komunikojnë me periferinë, gjegjësisht me pakicën”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Salko Luboder, ka thënë se organizimi i këtij programi nuk ka qëllim që letërsinë e shqiptarëve në Malin e Zi ta shënojë me kufij etnikë të veçantë, por që ajo me të gjitha vlerat dhe veçoritë e saj të prezantohet dhe afirmohet si pjesë e potencialit unik dhe artistik të Malit të Zi dhe pasurisë së tij shpirtërore.
“Kush janë krijuesit e njohur, cila është vlera e letërsisë që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi, cilat janë sfidat me të cilat përballen? Ka shumë pyetje të tjera për të cilat presim përgjigje. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk është e mundur t’i fitojmë ato gjatë një programi dhe në një mbrëmje. Sipas mendimit tim, është e rëndësishme që ta aktualizojmë këtë çështje”, ka thënë ai.
Luboder ka theksuar se tema e takimit në mënyrë të pashmangshme na çon në një seri tjetër pyetjesh: A e njohim njëri-tjetrin dhe sa e rëndësishme është të njohim njëri-tjetrin? A kemi vullnet dhe gatishmëri për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin përmes fushës së krijimtarisë letrare?
Gjatë takimit është lexuar edhe vështrimi i shkrimtarit Jovan Nikolaidis.
Mbrëmja është udhëhequr nga gazetarja dhe drejtoresha e Radio Tivarit, Vesna Shoshkiq, e cila ka lexuar edhe pjesë nga krijimtaria e Anton Gojçajt dhe Haxhi Shabanit. Po ashtu, vetë Shabani ka lexuar poezi të tij në gjuhën shqipe dhe malazeze.
i.k.