Lajmin sot e bën vetë politika

Erion Dushi është gazetar i suksesshëm dhe me përvojë gati njëzetëvjeçare në mediat shqiptare. Fillimet e punës në media datojnë nga viti 2003 ku prej atij viti ka punuar në një sërë mjetesh informative audio-vizuale si: Club Fm, Top Albania Radio, Shijak Tv dhe Alsat. Gjatë këtyre viteve është angazhuar si prezantues dhe autor programesh radiofonike, gazetar i lajmeve ndërkombëtare dhe redaktor i korrespondentëve të atij sektori. Prezantimin e lajmeve e nisi në vitin 2016 në Top Channel ku ishte dhe një prej zërave zyrtar të këtij televizioni kombëtar. Paralelisht me këtë përvojë është edhe një ndër zërat e spikatur të filmave për fëmijë të dubluar në gjuhën shqipe. Aktualisht është prezantues lajmesh në A2 CNN. Koha e tij televizive titullohet “Ditari” dhe transmetohet nga e hëna në të premte në orën 23:00

Koha Javore: Z. Dushi fillimet e punës Tuaj në fushën e gazetarisë datojnë që nga viti 2003 ku u kyçët në një sërë mediash audio-vizuale, përfshirë edhe Top Albania Radion. A mund të na tregoni mbi sfidat e asaj kohe në media?
E. Dushi:
Të punoje asokohe në media ishte sa çështje pasioni aq edhe krenarie. Televizionet dhe radiot sa kishin filluar të lulëzonin në vend dhe të ishe në media të jepte një lloj euforie vetvetiu dhe kënaqësie të pamasë, sepse ti po bëje diçka që nuk ishte e zakonshme. Sfida e vetme ishte mungesa e mjeteve të punës (kompjuterat ishin të limituar, interneti nuk ishte i pranishëm gjithkund, etj), ndryshe nga sot që teknologjia dhe aksesi ta shkurtojnë kohën e nevojshme për një proces.

Koha Javore: Duke ditur se një kohë keni qenë zëri zyrtar i njërit prej televizioneve kombëtare në vend, çfarë e bën diferencimin e punës midis medias lokale dhe asaj kombëtare?

E.Dushi: Asgjë. Absolutisht asgjë. Të punosh në media është totalisht e njëjta gjë në të dyja versionet. Ti je gjithnjë në konkurrencë me veten dhe jo me hapësirën gjeografike të mbulimit.

Koha Javore: Përveçëse spiker, jeni edhe prezantues dhe autor programesh radiofonike, gazetar i lajmeve ndërkombëtare dhe redaktor i korrespondentëve të atij sektori. Sa impenjative është që të bartësh gjithë këtë përgjegjësi dhe kreativitet në punën Tuaj?
E. Dushi:
Të bësh TV apo radio mendoj se duhet të nisesh gjithnjë nga vetja. Të pyesësh veten çfarë do të doje të shikoje apo dëgjoje në kohën tënde të lirë. Në bazë të kësaj vjen edhe vështirësia e angazhimit në atë që do të realizosh e sa me lehtësi mund ta bësh me burimet që ke në dispozicion. Për shembull, programi në radio të jep ty lehtësinë e përgatitjes dhe rehatinë mbi pamjen se nuk të shikon kush, por angazhimi në trajtimin e çështjeve është njësoj si në TV ku ti shton edhe elementin imazh.

Koha Javore: Për një të ri sikurse jeni Ju, sa ofron perspektivë sot media në Shqipëri?
E. Dushi:
Do të doja të isha më i ri (qesh). Madje të isha edhe një herë në rininë time. Meqënëse unë për një vit hyj në të dyzetat dhe mbaj mbi supe 20 vjet përvojë, e shoh median (jo vetëm atë televizive dhe radiofonike) si një lehtësi të nxjerrjes në pah të asaj që je dhe di të bësh. Interneti, rrjetet sociale sot të japin mundësi të shpalosësh atë që të pëlqen shumë më lehtë se më parë. Media në Shqipëri mbetet e “cunguar” për efekt sponsorizimi dhe vizioni, por mundësitë për të rinjtë janë më të shumta në mediat e reja. Shikoni sa vajza e djem të rinj janë shumë më të njohur sot vetëm nga rrjetet sociale.

Koha Javore: A mund të bëhet fjalë sot për media të lirëtë cilat janë në përmbushje të misionit të vet, pra në interes të publikut dhe larg politikës ditore?
E. Dushi:
Të thuash atë që të pëlqen, kur do dhe si të pëlqen, nuk është liri. Liri është të mos ndjesh fare nevojën të flasësh. Në këtë aspekt mendoj se media sot po i jep zë edhe asaj që është e panevojshme me justifikim lirinë. Fakti tjetër negativ është se lajmin sot e bën vet politika.

Koha Javore: Si e shikoni pozitën e gazetarëve në Shqipëri, a gëzojnë ata statusin që meritojnë?
E. Dushi:
Për fat të keq disa nuk e gëzojnë, e shumë të tjerë gëzojnë shumë më shumë nga sa meritojnë.

Koha Javore: Paralelisht me profesionin e gazetarit, jeni një zë i spikatatur i filmave për fëmijë të dubluar në gjuhën shqipe. A mund të na flisni pak rreth kësaj eksperience?
E. Dushi:
Është një tjetër gjë për të cilën jam krenar në jetën time. Unë kam filluar të dubloj që në vitin 2005 dhe të them të drejtën asokohe mendoja për të ardhurat, por sot e bëj me më shumë përgjegjshmëri dhe dashuri, sepse kam marrë edhe “feedback” mbi investimin e gjithë këtyre viteve. Më duhet gjithsesi ta pranoj se cilësia dhe angazhimi në këtë drejtim po vjen në ulje. Sot i kushtohet më pak rëndësi gjuhës së përdorur duke harruar që me atë gjuhë, më të bukurën e të dashurën në botë për mua – gjuhën shqipe, po rriten brezat e rinj.

Koha Javore: Për të gjithë të rinjtë e të rejat që ndoshta aspirojnë t’i hyjnë fushës së gazetarisë, cili do të ishte sygjerimi Juaj në mënyrë që të krijojnë një emër në këtë fushë dhe që të jenë të suksesshëm dhe profesionistë në përmbushjen e misionit të tyre?
E. Dushi:
Të falënderoj që ma bëre këtë pyetje, sepse mendoj që tani jam i pjekur mjaftueshëm profesionalisht për të dhënë një përgjigje. Të punosh në media është një prej punëve më të bukura në botë, sepse ka të bëjë me krijimin. Media është pika e takimit të shumë personave me ide nga më të ndryshmet për të njëjtën gjë. Media është për njerëz të fortë që nuk dorëzohen përballë problemeve, punës masive, pamundësive, konkurrencës së madhe, por edhe sharlatanëve që gjithnjë të vendosin shkopinj në rrota. Të jesh i suksesshëm në media duhet të jesh së pari unik, krenar për atë që di, këmbëngulës, punëtor dhe i ftohtë emocionalisht. Të nisesh nga vetja për produktin që bën dhe të kesh forcën ta çosh deri në fund pa u ndikuar nga ndërhyrjet.
Eja të punosh në media për ta përmirësuar atë dhe tërhiqu para se të institucionalizohesh!

Koha Javore: Z. Dushi ju falënderoj për këtë intervistë!
E. Dushi:
Faleminderit ty Toni që më zgjodhe mua për këtë intervistë mes imazheve të shumta që ofron media shqiptare sot, dhe përshëndetjet më të përzemërta për lexuesit e tu në Mal të Zi dhe përtej.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat