Kemi një audiencë besnike që nuk e tradhëton Radion

Një pasuri shumë e vyer si për Radion ashtu edhe për kulturën e vjetër të qytetit të Shkodrës është Fonoteka (audio arkivi ), rreth 60 vjecar i kësaj Radioje, i cili është ruajtur me fanatizëm nga brezat e punonjësve të artit dhe të teknikës. Krahas fototekës Marubi, ajo përbën një vlerë të papërsëritshme kulturore-artistike. Fonoteka me një fond prej rreth 10.000 materialesh ruhet në shirita magnetike (nastro). Pjesë e këtij institucioni janë edhe studiot televizive që transmetojnë lajme e kronika për Televizionin Kombëtar Shqiptar

Koha Javore: Z. Kavaja duke qenë se radioja është mjeti më i hershëm i informimit pas medias së shkruar, a mund të na tregoni mbi kontributin që ka dhënë radioja publike që Ju drejtoni qëkur ajo u themelua në qytetin e Shkodrës, 77-vite më parë?
E. Kavaja: Radio Shkodra është një nga radiot më të hershme shqiptare. Është themeluar menjëherë pas Radio Tiranës (28 nëntor 1938). Shkodra, qyteti ku Marubi solli për herë të parë fotografinë në Shqipëri, qyteti ku Kolë Idromeno bëri shfaqjen e parë filmike, nuk mund të mos kishte edhe radiostacionin e saj, si një nga zhvillimet më të fundit të teknologjisë së asaj kohe. Fillimet e radios në Shkodër janë që nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 1943, ku u bënë transmetimet e para eksperimentale. Sipas teknikut të parë të Radios , Mati Jubani, iniciativa për të ndërtuar një radiotransmetues për Shkodrën, ishte e teknikut kroat Stane Hajushek i cili punonte në laboratorin e riparimeve të radiove të vëllezërve Prendushi. Në janar 1944 tekniku italian Fernando d’Amiko punoi një aparat dhënës me pjesë nga radiot ushtarake, i cili në mënyrë klandestine transmetonte me valë të shkurtra 42 metra, dhe me një fuqi të vogël nga lagjet Kiras dhe Tepe. Ishte koha e pushtimit gjerman prandaj duhej patur shumë kujdes të mos zbulohej nga ata. Inaugurimi dhe transmetimet zyrtare nisën më 13 maj të vitit 1945. Transmetonte me valë të shkurtra 36,5 m për territorin e Veriut të Shqipërisë. Si rezultat i veçorisë për t’u përhapur në distanca të largëta të valëve të shkurtra, Radio Shkodra dëgjohej edhe në disa vende te Evropës. Në fund të viteve ’80 u ndërtua godina e re e Radio Shkodrës me ambiente të bollshme dhe u pajis me aparaturat më moderne të kohës. Ndryshimet demokratike të viteve ‘90 patën një ndikim të madh në konceptimin e ri të Radios. Përmbajtja dhe forma e programacionit ndryshoi në sinkron me proceset demokratike në Shqipëri për të kaluar nga një radio shtetërore në atë publike. Në këtë drejtim shërbeu edhe terheqja e elementeve të rinj inxhiniero-teknik dhe gazetarë të kualifikuar. Kësaj periudhe i përkasin drejtorët e këtij institucioni: Gëzim Podgorica, Anton Cefa, David Luka, Jetmir Shpuza, Dashamir Dini, Fatbardh Smaja, Agim Shima e Paskualina Shllaku. Një pasuri shumë e vyer si për Radion ashtu edhe për kulturën e vjetër të qytetit të Shkodrës është Fonoteka (audio arkivi ), rreth 60 vjecar i kësaj Radioje i cili është ruajtur me fanatizëm nga brezat e punonjësve të artit dhe të teknikës. Krahas fototekës Marubi, ajo përbën një vlerë të papërsëritshme kulturore-artistike. Fonoteka me një fond prej rreth 10.000 materialesh ruhet në shirita magnetike (nastro). Pjesë e këtij institucioni janë edhe studiot televizive që transmetojnë lajme e kronika për Televizionin Kombëtar Shqiptar.

Koha Javore: Në këtë kohë që po jetojmë, kemi një sërë platformash digjitale të informimit. Cili është roli i radios sot dhe rëndësia që ka ky mjet informimi tek masa? A (nuk) gëzon radioja sot të njëjtën audiencë sikur në të kaluarën?
E. Kavaja:
Radio Shkodra, si medie e parë e hapur në Qarkun e Shkodrës, vijon të mbetet ende partneri i qytetarëve të Shkodrës. Pavarësisht platformave digjitale, Radio Shkodra, ruan ende atë lidhjen e ngushtë me ndjekësit e saj. Fondi i pasur me këngë popullore shkodrane, emisionet që i dedikohen Shkodrës, janë përherë pjesë e programeve të Radio Shkodrës. Nuk është më ajo audienca masive, por tani kemi një audiencë besnike që nuk e tradhëton asnjeherë Radion.

Koha Javore: A mund të na shpalosni disa nga problematikat me të cilat mbase ende vazhdon të ballafaqohet ky mjet informimi radiofonik?
E. Kavaja:
Tregu është normalisht më i vështirë. Kujtoj që sot në Shqipëri ka me dhjetëra kanale televizive e radio private, që falë investimeve kanë bërë që të ketë një konkurrencë akoma më të madhe për të mos folur për portalet, të cilat aktualisht janë mbi 700 të regjistruara në Shqipëri. Megjithatë, kjo është garë, dhe në çdo garë duhet të zgjedhësh se si do të garosh, të jesh i pari, apo të mbijetosh në një treg të mbushur me media audio-vizive.

Koha Javore: Kohëve të fundit, në kuadër të Radio Shkodrës është themeluar edhe televizioni, që tashmë përbën një medie audio-vizuale që quhet RTSH-Shkodra. Si u konkretizua ky projekt, dhe cilat do të jenë avantazhet e kësaj medieje në vijim për popullatën vendase?
E. Kavaja:
RTSH-Shkodra, vjen si rrjedhojë e politikës së Radio Televizionit Shqiptar, për hapjen e kanaleve lokale. Prej disa vitesh si pjesë e platformës së Radio Televizionit Publik Shqiptar, janë hapur edhe mediat lokale siç është RTSH-Korça, Gjirokastra, Kukësi. Kishte mbetur Shkodra, e cila ishte me sinjal, por pa prodhuar programacion. Më 17 janar, u bë e mundur edhe nisja e edicioneve informative live, që shënon edhe hapjen zyrtare të televizionit. Në fakt ka qënë një punë kolosale që është bërë nga teknika e RTSH-së për të vënë në efiçencë studion, ndriçimin dhe të gjitha elementet e nevojshme. Unë kam filluar punën zyrtarisht më 1 tetor të vitit të kaluar, dhe kjo ishte një sfidë që e kisha marrë përsipër që në fillim, hapjen e këtij kanali televiziv për t’ia dhuruar Shkodrës një sfidë, që më në fund u bë realitet.

Koha Javore: Cili do të jetë misioni i medias Tuaj në vazhdim? Çfarë do t’i jepet më së shumti hapësirë në programacionin Tuaj, qoftë në Radio apo TV?
E. Kavaja:
Radio do të vijojë në të njëjtën linjë ashtu siç ka edhe traditën e saj, duke reformuar vetëm 2-3 emisione dhe duke i dhënë më shumë hapësirë të rinjve të cilët duhet të përqafojnë më shumë Radion. Sa i takon Televizionit, misioni i tij është t’u qëndrojë besnik shikuesve, duke trajtuar në edicionet informative problematikat që i shqetësojnë ata. Sa i takon programeve, shumë shpejt ne do të nisim emisionin e mëngjesit, një projekt tjetër është ai i emisionit politik, dhe kjo për shkak të zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të mbahen në Shkodër. Vëmendje do t’i kushtohet kulturës me aktivitetet që zhvillohen në Teatrin “Migjeni”, dhe sportit me pasqyrimin e ekipit të “Vllaznisë”. Këto janë disa prej hapave të parë, më pas edhe me emisione që i dedikohen talentëve të rinj të Shkodrës, të cilat besoj se do të realizohen gjatë këtij viti.

Koha Javore: Në çfarë kushtesh punojnë sot mediat publike në Shqipëri? A mendoni se ato informojnë në mënyrë objektive në dobi të publikut, apo kanë ndonjë influencë apo censurë nga politika?
E. Kavaja:
Unë personalisht kamë 15 vite që jam i angazhuar në media. Fillimisht në mediat lokale në Shkodër, më pas edhe angazhimin në mediat kombëtare. Besoj që media në Shqipëri ka ende probleme sa i takon pavarësisë, edhe pse shpeshherë pavarësia nuk duhet të trajtohet si një formë për të thënë gjithçka dhe për të cënuar privatësinë e të tjerëve. Shqipëria ende nuk ka fituar betejën e plotë ndaj censurës dhe lidhjes me politikën në çdo fushë, dhe kësaj sfide nuk i ka shpëtuar ende as media, por është një proces që vazhdon ende.

Koha Javore: Z. Kavaja, çdo qytet i zhvilluar ka një mjet radiofonik informimi siç e keni Ju, e ka edhe qyteti i Ulqinit, mirëpo në Tuz nuk ekziston një i tillë. Çfarë mendoni se do të përfitonte Malësia (Tuzi) sikur të kishte një radio frekuencë në këtë komunë?
E. Kavaja:
Në fakt, unë po flas personalisht, është e pafalshme që Tuzi të mos ketë një mjet informimi, radio apo televizion. Duke qenë afër në distancë me Shkodrën, shpeshherë më ka qëlluar që të jem pjesë e zhvillimeve në Tuz dhe besoj se përfituesit kryesor nga një media do të ishin banorët e kësaj zone. Megjithatë, edhe pse Tuzi nuk e ka një media, Radio Shkodra, apo RTSH-Shkodra do të jetë përherë në shërbim të banorëve të Tuzit si një hapësirë që do t’u dedikohet edhe atyre.

Koha Javore: Z. Kavaja, ju falënderoj për këtë intervistë dhe Ju uroj suksese të mëtejshme në misionin Tuaj të shenjtë informativ!
E. Kavaja:
Ju falënderoj përzemërisht për intervistën, ju uroj suksese edhe Ju.
Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat