E kaluara e heshtur dhe e harruar

Korab Kraja

Nëse rrëfimi për një shtëpi, konkretisht për jetesën në atë shtëpi tradicionale, do të pësonte një fund tragjik, në të kaluarën kjo do të ishte e papërfytyrueshme. Madje, tronditja që do t’i ndodhte vatrës së shtëpisë tradicionale në të ardhmen, kjo imagjinatë mesatarisht largpamëse në të kaluarën, nuk do ta kapërcente as gardhin e asaj shtëpie. Nëse do të duhej të përshkruhej shtëpia, atëherë ajo në shumicën e rasteve do të përbëjë veçori fizike, si narracion i ndërtimit. Por, nëse do të duhej që shtëpia të përshkruhej me një konotacion antropologjik, atëherë imazhi thelbësor i shtëpisë mbetet vendi ku jemi rritur. Do të përbënte një studim të gjatë që të përshkruhej dallimi i “house” dhe “home”, të cilat në gjuhën angleze marrin kuptime të ndryshme, çka në shqipe përbëjnë thjeshtë termin “shtëpi”. Nëse, për të parën bëhet fjalë për strukturën, atëherë e dyta e tejkalon atë duke depërtuar në ndjenjat, praktikat, marrëdhëniet brenda hapësirave të shtëpisë, që shpesh japin një ndjenjë të fuqishme përkatësie.
Mjafton që të bëhet një shëtitje në kujtimet e mbamendësve. Ata me shumë zell do të përmendin në radhë të parë anën fizike të saj. Mesiguri do të fillojnë me muret e shtëpisë. Rrëfimi i tyre do të fillojë me mure të trasha, të larta, të forta dhe të qëndrueshme. Mure me gurë dhe ndarje të dhomave, po ashtu me mure nga guri, me gardhe thuprash, me trina, e me çatme. Do të trajtojnë punëtorinë që përbëhej nga mjeshtrit ndërtues, materializimin, bartjen e tyre dhe rregullimin e brendshëm. Do të përmenden mjeshtrit e njohur dhe punëtorët ndihmës. Por, nëse do të gërryhej me daltën antropologjike, atëherë do të dilte në pah një rrëfim tjetër, rrëfimi i konceptit “shtëpi”, që përbën thelbin e jetës brenda katër mureve. Do të rrëfejnë jetën brenda asaj shtëpie, aromën e dhomave, aromën e ushqimit që u gatuante në “akshihane”, zjarrin në vatër dhe vargonjtë që mbanin kusinë mbi vatër. Shtëpia e ngrohtë e këtyre dhomave nga vatra, ngrohej akoma më tepër nga ahuri poshtë katit që njerëzit banonin. Jeta e tillë ndërmjet katit të banimit për njerëz dhe katit të banimit për bagëtinë, tregonte një bashkëshoqërim të një jetese të një rëndësie të veçantë kulturore. Sot, kjo bashkëjetesë njerëz-bagëti, konkretisht ahur-poshtë dhe kat për banim-lartë, është konstatuar si një efekt termik që i shërben arkitekturës së qëndrueshme. Kjo lloj arkitekture, që shpeshherë quhet edhe “arkitekturë pasive”, bën që shtëpia e banimit të bëhet sistem mekanikisht i vetqëndrueshëm dhe shëndetësor i dobishëm.
Dritaret e vogla të dhomave, që me kohën do të zmadhohen sipas stilit oriental, do të kontribuojë që shtëpia të bëhet më e pasur për nga përmbajtja. Rrëfimet e mbamendasve sikur i trazojnë kujtimet dhe me plot mburrje tregojnë se “shtëpia ishte e ndarë në dy oda. Njëra ishte në stilin ‘allaturka’, ndërsa tjetra në stilin ‘allafrënga’”. Ky botëkuptim i këtij rrëfimi shpesh tregon përparimin ekonomik dhe me të edhe përparimin jetësor, me kushte të reja. Pra, jetesa nën modën e re “allafrënga”, do të krijojë një emancipim kulturor në mendjen dhe në mënyrën e jetesës.
Por, jeta jashtë kësaj shtëpie gurore, ende vazhdonte të ishte e njëjtë. Nëse shtëpia do të pësonte ndryshime pamore dhe funksionale nga jashtë dhe nga brenda, oborri vazhdonte të ishte po ai i njëjti. Kopshti ishte i njëjtë, tokat e mbjella larg shtëpisë vazhdonin të ishin të njëjta, jeta baritore nëpër male mbante të njëjtin drejtpeshim. E njëjta “terezi” vazhdonte të udhëhiqte mbarëveprimin funksional në shtëpinë e fshatit. Por, kjo nuk është që dallonte edhe aq shumë nga shtëpia e qytetit. Nëse jeta urbane në qytet përbënte një komunikim kulturor dhe marrëdhënie ekonomike më të gjerë dhe më të shumëfishtë, ajo në thelb nuk dallonte edhe aq. Për shembull, çështja e ujit. Ishte, mund të thuhet, po e njëjta “krizë”. Nëse diku ekzistonin burimet e ujit që ai të mbushej drejtpërdrejt nga ato apo nga kroi, në vendin ku këto burime uji as që imagjinoheshin, kjo nuk përbënte ndonjë vështirësi dileme për këta të fundit. Pranimi i këtyre kushteve në jetën e banorëve pa ujë, do të rrënjosej thellë dhe pa asnjë mëdyshje në atë vend. Dhe, zgjidhja e jashtëzakonshme që të sigurohej uji në një vend pa ujë, do të ishte një ide gjeniale për banorët e vendit pa ujë të pijshëm. Ndërtimet ndihmëse, pra ato ndërtime që futen nën kategorinë e ndërtimeve ekonomike, do të përbëjnë kompleksin e pasur të shtëpisë dhe të rolit të shtëpisë. Kështu, në këtë rol shtëpia, në të vërtetë kompleksi hapësinor i shtëpisë dhe jetës së saj sa i përket sigurimit të ujit, përmbushej me puse, ubla, sterna, saranxha, lumenj, përroje, përroska, vada e vija uji..
Ishte përsëri shtëpia ajo që diktonte. Dirigjuesja kryesore. Tempulli i përtejshenjtes i çdo njeriu. Secili anëtar i familjes do të kryente detyrat e kësaj shtëpie. Të gjithë banonin në të, kështu që edhe obligimet ndaj saj ishin, si të thuash, të pashmangshme. Që herët në mëngjes fillonte peripecia e një dite të zakonshme. Dikush për të mbushur ujë, dikush për të bërë dru, dikush tjetër që t’i lëshojë bagëtitë, dikush që të meremetojë, e dikush krejt tjetër që të merret edhe me punë administrative. Dhe, është e çuditshme, që të gjitha këto bëheshin që në fund të ndërtohej, të riparohej, të rindërtohej, të mirëmbahej, të shtohej shtëpia. Shtëpia e shumëpërfolur dhe trajta më e shenjtë e njeriut si banues i saj, pra njeriut që i jep jetë shtëpisë dhe shtëpia që njeriut i siguron strehën për jetesë. Shtëpi për njeriun banues të saj, por para se të jetë banor i saj, ajo në të vërtetë do të bëhej pronë në radhë të parë e Zotit e fill pas tij e mikut. Kur të sigurohej, që shtëpia t’i plotësojë kushtet, në njëfarë mënyre, që obligimi moral të plotësohej që në radhë të parë t’i takonte të Plotfuqishmit dhe të ndershmit mik, vetëm atëherë shtëpia do të konsiderohej që i takon edhe pronarit të saj. Pra, pronarit, banuesit të shumëkohshëm të saj dhe të atij që do ta ndërtojë apo financojë ndërtimin e saj. Më shumë se e tij, pra është e tjetër kujt, e dikujt më të rëndësishëm se e tij.
Ç’është kjo ndërtesë kaq e rëndësishme? Çdo gjë që bëhej, bëhej për të. Në fillim të ditës fillohej dhe në fund përfundohej me frazën “që të sillej në shtëpi”. Kjo trajtë konstruktive kaq e rëndësishme përbënte një kompleks që përfshin hapësirën, vendin dhe gjininë. Përbën një koncept që kërkon gjurmim në rrënjë të papërcaktuara qartë në kohë dhe në hapësirë. Kërkon gjurmim në lashtësinë e strehës së njeriut nga kushtet atmosferike të jashtme dhe nga rrethanat e papritura që mund të përbënin një rrezik të jashtëm. Pra, është një përkufizim sigurie, një ndjenjë që siguron paqe dhe rehati. Roli i shtëpisë në shoqëri dhe në ekonomi ka nxitur antropologët që ta konsiderojnë shtëpinë jo vetëm si një entitet aktual që strukturon ndërveprimin shoqëror, por edhe si një burim simbolesh thelbësore që përbëjnë ato ndërveprime. Për disa antropologë, shtëpia jo vetëm që është hapësirë konceptuale, por ajo bëhet edhe strukturë fizike me veçori arkitekturore. Arkitektura e shtëpive mund të ndahet gjerësisht në dy ndarje kryesore: moderne dhe vernakulare. Derisa, tipi i parë është i ndërtuar nga arkitektët, tipi i dytë është i ndërtuar nga vetë banorët duke mësuar mjeshtërinë nga përvojat e tyre. Kjo do të përfshinte përvojat jetësore në një studim të farefisnisë, fesë, shoqërisë dhe kulturës të një grupi të caktuar njerëzish.

Por, çfarë ndodhi te ne?
Shtëpitë tradicionale me përmbajtjet e tyre janë të boshatisura. Vatrat nuk ngrohin më as familjarët e shtëpisë, e as miqtë. Furra nuk pjekë më bukë, as për familjarët e shtëpisë, e as për miqtë. E, këtë bukë, as nuk ka më kush t’ua ofrojë miqve së bashku me kripën e zemrën. Sofra ka mbetur e mbështetur në mur, prej kohës, që nuk dihet saktë se kur është përdorur për herë të fundit dhe është lënë ashtu. Ajo rrin me fytyrë nga muri dhe nuk sheh më nga hapësira e odës dhe as nuk ka çka të sheh më, sepse nuk ka kush ta shtrojë më afër vatrës. Këto tri elemente kyçe të hapësirës tradicionale, kanë mbetur, mund të thuhet, të heshtura në harresë, duke pritur që një ditë të ndizen me vullnetin e njerëzve:
vatra të ngrohë përsëri shtëpinë, familjarët e miqtë; furra të pjekë përsëri bukën për familjarët e shtëpisë dhe miqtë e saj; ndërsa, sofra të shtrohet përsëri për familjarët dhe kështu, së bashku t’u ofrojnë miqve bukën, kripën e zemrën, sepse, tek e fundit, shpija e shqyptarit asht e zotit e e mikut!
Dhe, për fund, pse përjetuesit e këtyre ngjarjeve nuk bëjnë rrëfime të tilla për shtëpitë? Por, rreken të bëjnë interpretime arkitektonike për shtëpitë tradicionale, duke dalë shpesh edhe blof me interpretimet e kopjuara nga studimet, që në të vërtetë rezultatet e tyre nuk i kuptojnë. Më në fund, plagjiati i tyre është më pak i dëmshëm sesa ferrat, drizat, barishtet, që kanë kapluar rrënojat e tyre në vendlindje!

Të fundit

më të lexuarat