Duhet të mësojmë nga gabimet

Kërkesat e popujve pakicë janë trajtuar sikur ndonjë çështje “lokale”, të cilat i përfaqësojnë ata të cilët janë kundër interesave “shtetërore”. Kërkesat tona nuk janë çështje prioritare për liderin e integrimeve për në BE: Kriporja, mbyllja dhe ndërtimi i një qyteti të ri. Komuna e Tuzit, akoma nuk ka kushte. Flamuri. Valdanosi. Materniteti në Ulqin. Porti detar (që shumica e quajnë Marinë). Pastaj Galebi, të rrënohet dhe ndërtohet në 14 nivele nëse gjenden paratë… Në Guci dhe Plavë, atje nuk u duhet asgjë shqiptarëve, madje as puna në institucione shtetërore

Genci Nimanbegu

Edhe pse ky tekst i është dedikuar 15-vjetorit të pavarësisë 2006-2021, viti 2006 dhe pavarësia ka ndodhur si rezultat i së paku po aq viteve për nga numri – 15: 1991-2006. Dhe jo vetëm ato 15 vite, por për këtë analizë, kjo është mostra më e mirë.
Viti 1991! Mobilizimi! Sutormani! Lufta! Vukovari! Dubrovniku!…
Ditët dhe vitet kur e keqja erdhi për të na marrë me vete. E keqja, e cila me vite ishte planifikuar në qendrat e pushtetit, para së gjithash në institucionet e Beogradit. Zbatuesi i këtij plani ishte Millosheviqi, dhe i kishte zbatuesit besnikë edhe këtu në Mal të Zi. Zbatues shumë e kritikë pak. Ky ishte Mali i Zi atëherë.
Bile edhe një pjesë e kritikëve të tij ishin zbatues, por ishin ata të cilët kritikonin jo për shkak të luftës, por më shumë për shkak se nuk ua kishte plotësuar premtimet, të planifikuara dhe në mitologji të ndërtuara.
Shpresoj se në këtë qëndrimin tim, nuk do ta gjejnë veten ata të cilët ishin si atëherë ashtu dhe tani, të rreshtuar kundër luftës. Kritika e tyre ishte e fuqishme, por pa ndikim, sepse makineria e luftës ishte nisur. Për lëvizjen kundër luftës në Mal të Zi atëherë, më kujtohet se kam ndier dhe dëshmuar se ishin pak, ose edhe pakëz më shumë, por kanë heshtur. Ndoshta ua kanë lënë të tjerëve që të kundërshtojnë luftën dhe të keqen.
Sa shumë pak ishim! Popujt pakicë dhe një pjesë e vogël e popullit ortodoks të Malit të Zi. Ne e kemi shikuar atë shumicë, atë popull i cili me vite para 1991-shit ka folur se është i shtypur nga të gjithë të tjerët, dhe se me “shtypës” do të kusuriten njëherë e përgjithmonë. Shumë herë kemi dëgjuar se bashkëkombasit tanë nga pakicat kombëtare, në pjesët tjera të Jugosllavisë, ishin ata “shtypës”.
Kjo kusuritje tani ka nisur dhe rezultati ishte lufta, dhe kjo na frikësonte. Na frikësonte rruga në të cilën ishte nisur Mali i Zi, si dhe fati i tij (atëherë Jugosllavia, qoftë e madhja, apo më vonë e cunguara në formë të RFJ-së dhe SMZ-së), dhe shumë nga ne kanë filluar t’i përgatisin valixhet, duke e parë fatin e të tjerëve.
Valixhja në dorë. Rruga për Amerikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Australi, kemi shkuar kudo me qëllim që të largohemi nga ai terr, që të mos shkojmë në luftë. Që të ikim nga lufta.
Kjo vazhdoi edhe në vitin 1992, edhe më 1993, dhe deri më 1999. Pastaj Bosnja dhe Kosova, keq e më keq, më e përgjakshme dhe gjakpirëse.
Djem të rinj në arkivole nga llamarina. Granatime dhe shkatërrime të katundeve dhe qyteteve, kurse lumenj të të shpërngulurve kanë nisur të lëvizin nëpër ish-shtetin, dhe ta braktisin atë!
Të dëbuar me plan, të lënë pa dokumenta që t’u pamundësohet kthimi i tyre. Varreza që fshiheshin dhe viktima të varrosura në fshehtësi.
Përdhunime. Vrasje. Llogore. Kriminelë dhe Heronj.
Krimet bëhen nga kriminelët dhe jo nga populli. POR KRIMI I KRYER NË EMËR TË POPULLIT E OBLIGON ATË POPULL QË TË DISTANCOHET NGA KRIMINELËT.
Asnjëherë nuk do të pajtohem me ata të cilët në vend që të pranojnë përgjegjësinë për luftë dhe pasojat e luftës, edhe më tej fshehen nga përgjegjësia dhe ia kalojnë atë faktorëve të huaj.
Ata i urren edhe Vatikani, edhe Amerika, edhe Turqia, e sigurisht edhe Evropa! Lufta kishte nisur si rezultat i planeve dhe politikave të liderëve të tyre, të hartuara në emër të popullit të tyre.

Tani kur të gjithë kanë ardhur në pozicionin e partive nacionale shqiptare, pakkush i gëzohet kësaj. Është shpenzuar kohë dhe energji e madhe. Është thyer entuziazmi, kurse mosbesimi është i madh dhe i vazhdueshëm

Por, edhe më tutje vazhdojnë të fshehen, sepse çdoherë është më lehtë të gjenden fajtorët tek të tjerët, sepse ne jemi në të drejtë dhe ne nuk bëjmë krime. Krimet kryhen ndaj popullit tonë, edhe atë të nisur nga faktorët e jashtëm të cilët na urrejnë.
Viti 1991 nuk ka ardhur rastësisht. Tani e shoh se ai është dashur të ndodhë, ashtu siç është dashur të ndodhin edhe të gjitha vitet e tjera të asaj dekade. Dhe e dimë se çfarë rezultatesh kanë lënë ato vite.
Pakicat ua kanë shtrirë dorën partive qytetare dhe kundër luftës, në vitin 1998. I ndihmuam të forcohen, të pastrohen dhe ta drejtojnë një pjesë nga e kaluara e tyre. Ai ishte fillimi, fillimi i çlirimit nga ato vite të 90-ta. Kurse të tjerët, edhe atëherë, edhe tani, e kanë quajtur dhe përjetuar këtë si tradhti.
Ato momente edhe kanë mundësuar që të shkohet drejt shkëputjes nga të 90-at, të shkohet drejt pavarësisë.
Rezultati i referendumit ishte i qartë. I mjaftueshëm sipas standardeve dhe numrave të dhënë, 55,5 kundrejt 44,5. Por edhe ky është për një tregim tjetër. Kundërshtarët e pavarësisë tani po luftonin kundër krimit, nuk po kusuriteshin më me shtypësit. Ajo çfarë ka ndodhur 15 vite para referendumit, nuk ishte më temë për ta. Nuk do të duhej të ishte as sot. Sepse popujt tanë nuk kanë kriminelë, kriminelët i kanë popujt e tjerë.
Pavarësia, sipas tyre, nënkuptonte që shteti do të bëhej pronë private; “që më lehtë të kryejnë aktivitetet e veta kriminale” – kështu kanë folur për arsyet pse është gabim të votohet Pro.
Shqiptarët e kanë dhënë votën e vet Pro, edhe për shkak të viteve të cilat i kanë paraprirë referendumit. Jo vetëm si distancim nga diçka e keqe, sepse Jugosllavia, e në veçanti Millosheviqi, nuk u kanë mundësuar asnjë gjë të vetme për çka ata të rrinë në të.
E kanë dhënë njëzëri votën Po, sikurse Po për Evropën, Po për barazinë me të tjerët në Malin e Zi, Po për zhvillimin e ekonomisë dhe votën Po për një të ardhme të qetë dhe të sigurt. Votën Po, kundër askujt, por për diçka që është më e mirë, që është interes i përgjithshëm për shoqërinë.
Ne e duam edhe Evropën, edhe Amerikën, edhe Zvicrën, edhe Turqinë, edhe Vatikanin.
Entuziazmi nga referendumi, kur pakicat e dhanë votën Po për Malin e Zi, për herë të parë ka zgjatur me vite. Entuziazmi për një Mal të Zi të Ri. Rritje në ekonomi, stabilitet valutor, afrim ndaj BE-së. Dhe ato para të çuditshme nga Rusia, kur të gjithë kërkonin ndonjë trashëgimi familjare ose ndonjë truall për ata “investitorë”.
Qumështi dhe mjalta vetëm sa nuk kanë filluar të rrjedhin. Kush do të thoshte se kjo ishte e mundur në ato vitet e 1990-ta.
Shansi dhe besimi në një të ardhme më të mirë rritet tek të gjithë.
Si kemi filluar të shkojmë më së shpejti drejt BE-së nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, të gjithë e kemi pranuar dhe përdorur thënien Lider. Po, lider në integrimet për në BE. Lideri jemi ne!
Së bashku me këtë vazhduan privatizimet dhe privatizimet. Ndërsa kërkesat e popujve pakicë janë trajtuar sikur ndonjë çështje “lokale”, të cilat i përfaqësojnë ata të cilët janë kundër interesave “shtetërore”. Kërkesat tona nuk janë çështje prioritare për liderin e integrimeve për në BE: Kriporja, mbyllja dhe ndërtimi i një qyteti të ri. Komuna e Tuzit, akoma nuk ka kushte. Flamuri. Valdanosi. Materniteti në Ulqin. Porti detar (që shumica e quajnë Marinë). Pastaj Galebi, të rrënohet dhe ndërtohet në 14 nivele nëse gjenden paratë… Në Guci dhe Plavë, atje nuk u duhet asgjë shqiptarëve, madje as puna në institucione shtetërore.
Çdo gjë po zgjidhet ngadalë, me muskuj dhe me një rezistencë të madhe. Ndërtimi në Kripore u ndalua në Kuvend, në vitin 2012, dhe pas kësaj ndihmuan aleatët ndërkombëtarë. Komuna e Tuzit, nuk është votuar deri në vitin 2017, e pastaj e fituar në vitin 2019. Flamuri në vitin 2019… Valdanosi nga java e kaluar ka 76 vota Për…
Tani kur të gjithë kanë ardhur në pozicionin e partive nacionale shqiptare, pakkush i gëzohet kësaj. Është shpenzuar kohë dhe energji e madhe. Është thyer entuziazmi, kurse mosbesimi është i madh dhe i vazhdueshëm.
E pastaj NATO-ja, më 2014-ën afrohemi dhe duhet të kapërcehet edhe kjo. Ata të cilët nuk ishin Për referendum, tani nuk janë as për NATO. Janë për Evropë, te 27 vendet, 21 nga të cilat janë pjesë e NATO-s. Kundër kujt janë vallë?! Do të jetë se janë kundër Islandës dhe Norvegjisë, Kanadasë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi që qëndrimi i tyre për SHBA-në dhe Turqinë e kam të qartë nga ato të viteve të 90-ta.
Përveçqë rezistenca tani është ndryshe: thonë NATO-ja është agresor, e po ashtu edhe ekonomia në Mal të Zi ka dështuar dhe vetëm që nuk bankrotojmë (pa marrë parasysh se e kemi monedhën e fortë). Pastaj, Mali i Zi është i rrezikuar nga pakicat, sepse shumica nga ato pakica janë “armiq shekullorë”. Déjà vue e ‘90-tave.
Për anëtarësimin në NATO është votuar në vitin 2017. Derisa diskursi kundër NATO-s, po i atyre të njëjtëve kundër referendumit, u rrit në nivele të papara. Kosova dhe borxhlinjtë nga NATO-ja, a thua se kanë ndodhur dje, prandaj i përmendin për çdo ditë. Normalisht, i përmendin si pjesë e shtetit fqinj që kemi.
Po mediat? Mediat janë sektori më joprofesional në Mal të Zi, të gjithë janë vënë në shërbim të dikujt. Kush paguan më shumë, shkruan çfarë të dojë: kështu që në kanalin me frekuenca nacionale (në Televizionin Pink) “ndodh” që më 11 korrik 2017, mysafir është djali i gjeneralit, i po atij kriminelit të luftës i cili ka komanduar me njësitet në Srebrenicë. Kurse të rinjtë, të lindur pas vitit 1995, e dëgjojnë duke folur se si nuk ka gjenocid në Srebrenicë, pikërisht në ditën e kujtimit. Kurse frekuenca është nacionale. Televizioni më i shikuar, i cili pak nga pak i ka lajmet një minutë-dy dhe Informeri si shtesë.
Tani këtë e dëgjojmë nga ministrat dhe deputetët. Më shpesh dhe më zëshëm, sikur me refrenin i cili vjen nga po i njëjti Beograd, nga fillimi i këtij teksti. Biseda e njëjtë, akterët e njëjtë dhe të ngjashëm. Çfarë planifikojnë?
Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale po e ndanë shoqërinë në Mal të Zi. Mediat aktrojnë sikur kjo po ndodh diku tjetër dhe jo në faqet e portaleve të tyre. Përveç nëse ndoshta as nuk kanë për qëllim që të ndalojnë ndonjë gjë. Mos janë pjesë e ndonjë plani?
A e kanë qëllimin që të kthehemi në vitet e ‘90-ta?
Të themi që jemi për rrugën evropiane, është bisedë e kotë nëse nuk bazohet në veprime të bindshme që ajo rrugë edhe të kalohet.
Mundësitë e humbura nuk kthehen kurrë në të njëjtën formë, prandaj as rezultatet nuk mund të jenë të njëjta.
Përgjegjësia e politikanit është që t’i dallojë edhe mundësitë, edhe rreziqet e rasteve dhe të reagojë ndaj tyre.
Koha prej 15 vitesh nuk është e humbur, shumëçka është bërë, edhe pse me vonesë dhe me shumë rezistencë. Por me siguri është dashur të punohet shumë e shumë më tepër. Më shumë në të drejtat e pakicave, më shumë në forcimin e institucioneve, më shumë në pranimin e standardeve evropiane, edhe ekonomia, edhe sundimi i ligjit, edhe shanset e barabarta për të gjithë.
Malit të Zi i duhet dialogu, dialogu dhe vendosmëria. Populizmi është aktualisht në trend, ai po arrin rezultate. Ai po i shpall armiq dhe kriminelë të gjithë ata që nuk janë në mainstream. Populizmi ka shpallur çlirimin. Atë çlirim, një pjesë e Malit të Zi e ndien si okupim, apo së paku ashtu thonë.
Duhet vendosmëri që të dilet përpara populistëve dhe t’u tregohet se gabojnë. Duhet vendosmëri të dilet para popullit dhe t’u tregohet se ku kemi gabuar. Ato gabime nuk guxojnë ta robërojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, nëse gabimet e baballarëve të dikujt e kanë robëruar jetën tonë për shumë vite.
Njëra anë duhet të çlirohet nga paragjykimet dhe t’i pranojë gabimet e bëra në emër të tyre.
Mos e mashtroni popullin, sepse rezultatet do të jenë si shumë herë në histori.
Do të ketë prapë mundësi të humbura, por që këto humbje të mos jenë shekullore dhe historike, duhet të mësojmë nga gabimet. Nëse jo nga gabimet e të tjerëve, atëherë të paktën nga gabimet e veta.

(Autori është deputet i Listës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi dhe nënkryetar i Forcës së Re Demokratike. Teksti është botuar në të përditshmen “Vijesti”, më 19 maj 2021)

Të fundit

më të lexuarat