Lugina e Preshevës (në Serbinë Jugore) shtrihet në lindje të Kosovës dhe banohet nga shqiptarët etnikë. Ajo përfshin një sipërfaqe prej afro 1 250 km², në të cilën jetojnë rreth 100 mijë banorë, të shpërndarë në 67 vendbanime, prej të cilave tri janë qendra urbane: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Natyrisht, si edhe vendbanimet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, Lugina e Preshevës bënte pjesë në trojet më pak të zhvilluara, jo vetëm ekonomikisht por në të gjitha sferat e jetës shoqërore. As sot e kësaj dite, duke qenë nën juridiksionin e Serbisë, gjendja s’është më e mirë, përkundrazi është shumë e ndërlikuar.
Në jetën politike në Luginën e Preshevës veprojnë gjashtë parti politike shqiptare, gjithsesi më pak se në Mal të Zi. Përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë është diskriminues si edhe këtu në Malin e Zi. Të drejtat politike të shqiptarëve në Luginë, e sidomos ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar janë nën çdo nivel, vazhdimisht janë shkelur, injoruar dhe mospërfillur nga politika dhe shteti serb.
Rrethanat politike që mbizotërojnë në Serbi dhe pozita e shqiptarëve atje, e detyruan klasën politike shqiptare që në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 21 qershor 2020, të bashkojnë forcat dhe të dalin në zgjedhjet e përgjithshme me një listë të përbashkët. Kështu, në zgjedhjet e përmendura, për herë të parë partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës dolën me një listë të vetme “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e bashkuar” dhe, po ashtu, për herë të parë shqiptarët do të kenë tre deputetë në Kuvendin e Serbisë: Shaip Kamberi, Nadije Beqiri dhe Argjend Bajrami.
Në lidhje me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe veprimtarinë e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë biseduam me Shaip Kamberin, kryetar i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”. Shaip Kamberi është politikan dhe aktivist i njohur në Luginën e Preshevës. Ai ka diplomuar për drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Në dy mandate ka qenë kryetar i komunës së Bujanocit (2008-2012 dhe 2016-2020) dhe dy herë deputet në Parlamentin e Serbisë (2014-2016 dhe 2020 e në vazhdim). Ai po ashtu është kryetar Partisë për Veprim Demokratik, partisë më të madhe shqiptare në Luginën e Preshevës
Koha javore: Z. Kamberi, në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, për herë të parë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dolën me një listë të përbashkët. A mendoni se kjo ishte vendimtare që shqiptarët për herë të parë në histori fituan tri ulëse në Kuvendin e Serbisë?
Sh. Kamberi: Patjetër që paraqitja me një listë të përbashkët e pesë partive politike shqiptare ishte vendimtare që, kësaj radhe, shqiptarët e Luginës së Preshevës të fitojnë tre mandate. Rruga deri te kjo marrëveshje, për shkak të ndasive të shumta në nivel lokal, ishte e vështirë, por kontributi i ministrit të jashtëm shqiptar Gent Cakaj ishte vendimtar. Me ndërmjetësimin e tij këmbëngulës, ai ka ndikuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje që na solli përfaqësim më të madh në nivel qendror.
Koha javore: Në Kuvendin e Serbisë formuat Grupin Parlamentar “Lugina e Bashkuar -SDA Sanxhak”, shef i të cilit jeni Ju. Cila është arsyeja – politike, ekonomike apo…?
Sh. Kamberi: Arsyet kryesisht praktike dhe politike. Ne jemi vetëm tre deputetë, ndërsa për ndërtimin e një grupi parlamentar nevojiten minimum pesë deputetë, prandaj edhe tre deputetët e SDA të Sanxhakut që, ashtu si ne, kishin mbetur në opozitë, ishin të vetmit me të cilët kemi pasur mundësinë të ndërtojmë grupin. Në anën tjetër, problematikat e njëjta me të cilat ballafaqohen shqiptarët dhe boshnjakët, idetë e njëjta apo të ngjashme me SDA-në rreth së ardhmes dhe sidomos rreth integrimeve evropiane, ishin mundësia që me bashkëmendimtarë të ndërtojmë grupin parlamentar.
Koha javore: Shqiptarët në Malin e Zi i njohin aktivitetet tuaja gjatë kohës që ishit kryetar i Komunës së Bujanocit, në lidhje me të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Serbi dhe jo vetëm. Cilat janë angazhimet dhe synimet tuaja si deputet në Kuvendin e Serbisë lidhur me pozitën dhe gjendjen aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Sh. Kamberi: Të llojllojshme janë problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët këtu. Prej nënpërfaqësimit në institucionet e shtetit, problemeve të shumta në arsim, gjyqësor, përdorim të simbolit kombëtar dhe përdorim zyrtar të gjuhës janë temat që pretendojmë të prekim në paraqitjet tona në Parlament. Koha po dëshmon se kjo Serbi e A. Vuçiqit, në emër të një diskriminimi perfid po vazhdon të nëpërkëmbë të drejtat e shqiptarëve. Puna jonë është që në institucionin më të lartë përfaqësues të flasim hapur për këto probleme. Atë edhe po mundohemi ta bëjmë, pa ndonjë naivitet se Vuçiqi do të bindet për të respektuar demokracinë nëse në këtë nuk e “detyrojnë” stabilokratët ndërkombëtarë.
Koha javore: Vendosja e flamurit shqiptar në seancën e Kuvendit të Serbisë entuziazmoi të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe u cilësua si akt patriotik dhe shumë i guximshëm. Madje u tha se nga diskutimi Juaj “u dridhen” themelet e Kuvendit të Serbisë. Pse pikërisht zgjodhët seancën konstitutive të Kuvendit dhe në cilat raste, ku dhe kur është i lejuar përdorimi i flamurit shqiptar në Serbi?
Sh. Kamberi: Tema për të cilën kam folur dhe vetë akti simbolik i vendosjes së flamurit kombëtar, krahas atij shtetëror, kishte për qëllim kërkesën për barazi, respektim të njëtrajtshëm dhe rajonal të të drejtave të komuniteteve. Nëse serbët në Malin e Zi, Republikën e Kosovës apo Maqedoninë e Veriut mund të përdorin lirshëm simbolin kombëtar, atëherë pse kjo t’u mohohet shqiptarëve?! Kam kërkuar barazi në afirmitet e jo barazim në mohim.
Koha javore: Sa jam në dijeni, nga viti 2001-2013 shqiptarët e Luginës kanë firmosur së paku tri marrëveshje me Qeverinë e Serbisë, në të cilat keni shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe integrim të shqiptarëve në Serbi. Cilat janë ato, sa janë realizuar apo janë mospërfillur totalisht nga Qeveria e Serbisë? Në të vërtetë, cila është pozita aktuale politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Sh. Kamberi: E thashë më sipër se shqiptarët edhe sot, përkundër që kanë tri marrëveshje të nënshkruara me Beogradin (2001, 2009 dhe 2013), gjenden në pozitë të vështirë. Diskriminimi i vendosur që nga koha e Millosheviqit, e në disa segmente edhe gjatë komunizmit, po vazhdon ndaj nesh me metodat më perfide. Tri marrëveshjet e nënshkruara dëshmojnë për mungesën e vullnetit politik në Beograd për t’i respektuar ato dhe për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të barabartë.
Koha javore: Në një nga intervistat tuaja keni deklaruar se minimumi i kërkesave të shqiptarëve në Serbi është reciprociteti me veriun e Kosovës. Si mendoni, a mundet dhe cilat janë rrugët për realizimin e reciprocitetit të përmendur?
Sh. Kamberi: Mjerisht, përkundër asaj që, siç e përmenda, arritjes së tri marrëveshjeve dhe mungesës ës vullnetit politik në Beograd për t’i respektuar ato, e vetmja rrugë që mbetet është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rrugë kjo për të zgjidhur edhe pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ndërkaq, instrumenti i vetëm që mund të na garantojë prosperitet dhe detyrim ndaj Beogradit për të respektuar kërkesat tona mbetet reciprociteti, respektivisht ndërtimi i parimeve unike të respektimit të të drejtave të komuniteteve mes dy shteteve.

Koha javore: Pra, cili është koncepti i Serbisë për shqiptarët në përgjithësi e në veçanti për shqiptarët e Luginës? Po cilat janë synimet e popullit shqiptar?
Sh Kamberi: Duke mohuar të drejtat elementare, qofshin ato individuale apo kolektive, duke krijuar një situatë ekonomike të pashpresë, Serbia po mundohet të ndikojë në migrimin sa më të madh të shqiptarëve nga rajoni ynë. Kur kësaj ia shtojmë edhe aksionin shtetëror të pasivizimit të adresave, që po zbatohet në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve, është shumë e qartë se në skenë është politika e ndryshimit artificial të strukturës së popullsisë në Luginën e Preshevës, për ta eliminuar dominimin etnik të shqiptarëve. Natyrisht, angazhimi ynë, e në këtë presim edhe ndihmën konkrete nga Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, është të ndërtojmë një shpresë të re, sidomos për rininë tonë këtu.
Koha javore: Aktivitetet, diskutimet dhe deklaratat tuaja në Kuvendin e Serbisë ju kanë vendosur në qendër të vëmendjes të opinionit, si të atij shqiptar ashtu edhe të atij serb. Si ndjehet Shaip Kamberi, krenar apo edhe i kërcënuar dhe a mendoni se angazhimi Juaj dhe kërkesat tuaja drejtuar autoriteteve serbe dhe ndërkombëtare do të rezultojnë të suksesshme për shqiptarët?
Sh. Kamberi: Meqë diskutimet e mia në Parlament kanë pasur një jehonë mbarëkombëtare, sigurisht që nuk mund të mbetem indiferent dhe jam krenar për këtë. Nuk mund të them se kam pasur ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë, por, pas çdo paraqitjes sime, mediat e kontrolluara nga pushteti, deputetët e pozitës, natyrisht që po mundohen të më sulmojnë, duke dashur të delegjitimojnë kërkesat që unë paraqes në emër të shqiptarëve. Kjo dëshmon mendësinë antishqiptare që mbretëron, por edhe për mosgatishmërinë e regjimit për të respektuar në përpikëri kërkesat që sjell anëtarësimi në BE. Unë po mundohem të kryej punën time për të cilën jam zgjedhur dhe nuk dua të mendoj fare për kërcënimet e mundshme.
Koha javore: Në fund, cili është mesazhi juaj për shqiptarët, në veçanti për shqiptarët në Malin e Zi?
Sh. Kamberi: Uroj që edhe shqiptarët në Mal të Zi të realizojnë aspiratat e veta. Jam i vetëdijshëm se edhe atje nuk është lehtë. Por, sfidat që dalin përpara duhet të na motivojnë edhe më tepër për të dalë në ballë të kërkesave të popullsisë që e përfaqësojmë.
Bisedoi: Hajrullah Hajdari