Diskriminimi i shqiptarëve dhe diskriminimi ndërshqiptar

Diskriminimi i shqiptarëve ka vazhduar edhe pas viteve ’90, gjatë periudhës së pluralizmit politik në Mal të Zi. Shpresa se shqiptarët do të kenë më shumë të drejta në këtë kohë sikur është venitur. Organizimi politik i vetë shqiptarëve nuk është treguar i suksesshëm në arritjen e qëllimeve për avancimin e të drejtave të tyre, qoftë për shkak të refuzimit të shumicës në pushtet por edhe për shkak të gabimeve të vetë shqiptarëve

Ismet Kallaba

Shqiptarët kanë qenë historikisht të diskriminuar nga pushteti që prej kohës kur trevat shqiptare u aneksuan nga Mali i Zi. Atyre u janë mohuar të drejtat themelore në të gjitha fushat, si në politikë, ekonomi, arsim, kulturë etj. Edhe në periudhën e komunizmit, pavarësisht politikës së barazisë së popujve dhe vëllazërim-bashkimit që proklamonte pushteti i kohës, shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë duke u konsideruar të rrezikshëm për pushtetin. Pothuajse në të gjitha periudhat pushteti ka organizuar fushata antishqiptare, me qëllim të frikësimit dhe asimilimit të tyre. Shumë shqiptarë janë dënuar, burgosur etj. vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, sepse donin të shprehnin identitetin e vet. Një prej këtyre fushatave është ajo kundër arsimit shqip në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, kur disa prej kuadrove më të mira të arsimit shqip në Mal të Zi, për shkak të qëndrimeve të tyre atdhetare u përjashtuan nga puna, u dënuan me dënime të ndryshme, disa prej të cilëve edhe me burg, duke iu mveshur etiketime të tilla si separatistë, shovinistë, irredentistë etj.
Diskriminimi i shqiptarëve ka vazhduar edhe pas viteve ’90, gjatë periudhës së pluralizmit politik në Mal të Zi.

Në kontekstin e diskriminimit mund të flitet edhe për diskriminim ndërmjet vetë pakicave, që falë të qenit në pushtet kanë dëshmuar marrëdhënie hegjemoniste ndaj pakicave të tjera. Disa institucione shtetërore të pakicave janë shndërruar në njëetnike, siç është rasti me Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, i cili është shndërruar në strofull të pjesëtarëve të pakicës boshnjake dhe të Partisë Boshnjake

Shpresa se shqiptarët do të kenë më shumë të drejta në këtë kohë sikur është venitur. Organizimi politik i vetë shqiptarëve nuk është treguar i suksesshëm në arritjen e qëllimeve për avancimin e të drejtave të tyre, qoftë për shkak të refuzimit të shumicës në pushtet por edhe për shkak të gabimeve të vetë shqiptarëve. Shqiptarët në Malin e Zi janë të nënpërfaqësuar në organet dhe institucionet shtetërore, kurse trevat ku jetojnë shqiptarët janë ndër më të pazhvilluarat në nivel të vendit. Gjatë 30 viteve, derisa pushteti drejtohej nga Partia Demokratike e Socialistëve, pozita më e lartë që kanë pasur partitë shqiptare kur kanë qenë pjesë e pushtetit ka qenë drejtimi i Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, e cila kohë pas kohe e ka ndërruar emërtimin e vet. Ndërsa pozita më e lartë që kanë gëzuar shqiptarët që kanë qenë anëtarë të PDS-së në pushtet ka qenë ajo e ndihmësministrit, ndërsa në Kuvendin e Malit të Zi e kryetarit të Këshillit Administrativ. Po ashtu fakti se për herë të parë një shqiptar është zgjedhur gjykatës i Gjykatës Kushtetuese vetëm vitin e kaluar (2023) është tregues i “të drejtave” të shqiptarëve. Të gjitha këto tregojnë në njëfarë mënyre dozën e mosbesimit të pushtetit ndaj shqiptarëve. Edhe pas pavarësisë së Malit të Zi ka pasur aksione kundër shqiptarëve, si aksioni famëkeq politiko-policor “Fluturimi i shqiponjës” më 9 shtator 2006. Si pasojë e kësaj politike diskriminuese, trevat shqiptare në Malin e Zi të sotëm kanë ardhur duke u tkurrur, kurse numri i shqiptarëve është zvogëluar. Sot më shumë shqiptarë me origjinë nga trevat e tyre në Malin e Zi jetojnë jashtë sesa në trevat e veta.
Në qeverinë e kaluar të kryeministrit Dritan Abazoviq dhe në qeverinë aktuale të kryeministrit Millojko Spajiq shqiptarët në Mal të Zi kanë arritur të kenë nivelin më të lartë të përfaqësimit në pushtetin ekzekutiv gjatë periudhës së pluralizmit. Krahas Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ata kanë drejtuar edhe Ministrinë e Administratës Publike, kurse në qeverinë aktuale përpos këtyre dy ministrive edhe Ministrinë për Zhvillim Ekonomik. Nëse kësaj i shtojmë faktin se një shqiptar (Dritan Abazoviq) për të parën herë është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi (në vitin 2022; ndërkaq në qeverinë e mëparshme ishte nënkryetar i qeverisë për siguri kombëtare) dhe se në qeverinë e tanishme partitë shqiptare kanë një nënkryetar të Qeverisë (Nik Gjeloshaj është nënkryetar për politikën ekonomike), kjo mund të çojë në përfundimin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Por kjo, natyrisht, nuk është a priori tregues i avancimit të të drejtave të shqiptarëve.

Nëse kemi parasysh përfaqësimin politik të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi gjatë periudhës së pluralizmit, mund të vërehet diskriminimi ndërshqiptar, ku asnjëherë deri tani nuk ka pasur përfaqësues (deputet) nga treva të tilla si Gucia, Plava dhe Rozhaja. Kjo ka ndodhur si pasojë e deformimit të sistemit të përzgjedhjes së kandidatëve të partive shqiptare, ku kriter bazë nuk janë dija dhe aftësitë profesionale, por madhësia e një treve, përkatësisht numri i votave që fiton kandidati për deputet në trevën nga ai vjen


Në kontekstin e diskriminimit, mund të flitet edhe për diskriminim ndërmjet vetë pakicave, që falë të qenit në pushtet kanë dëshmuar marrëdhënie hegjemoniste ndaj pakicave të tjera. Disa institucione shtetërore të pakicave janë shndërruar në njëetnike, siç është rasti me Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, i cili është shndërruar në strofull të pjesëtarëve të pakicës boshnjake dhe të Partisë Boshnjake. Përzgjedhja e gjoja “vlerësuesve të pavarur” nga Kuvendi i Malit të Zi, po ashtu nga kjo pakicë, duke i eliminuar kandidatët shqiptarë, ka kontribuuar në diskriminimin e projekteve të shqiptarëve në konkursin e Fondit. Duhet shtuar edhe faktin se në vend që ta mbështetnin si përfaqësues që vjen nga radha e pakicës, Partia Boshnjake ishte kundërshtari më i madh për zgjedhjen e një gjykatësi shqiptar gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.
Por sikur të mos mjaftojë e gjithë kjo, nëse kemi parasysh përfaqësimin politik të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi gjatë periudhës së pluralizmit, mund të vërehet diskriminimi ndërshqiptar, ku asnjëherë deri tani nuk ka pasur përfaqësues (deputet) nga treva të tilla si Gucia, Plava dhe Rozhaja. Kjo ka ndodhur si pasojë e deformimit të sistemit të përzgjedhjes së kandidatëve të partive shqiptare, ku kriter bazë nuk janë dija dhe aftësitë profesionale, por madhësia e një treve, përkatësisht numri i votave që fiton kandidati për deputet në trevën nga ai vjen. Sipas kësaj logjike të mbrapsht, ta zëmë, edhe po të ishte kandidat Akademiku Rexhep Qosja apo ndonjë personalitet tjetër nga këto treva, nuk do të kishte asnjë mundësi të bëhet deputet! Bile edhe në periudhën e komunizmit, përfaqësimi territorial ishte një ndër kriteret e zgjedhjes së përfaqësuesve politikë. Rrjedhimisht, pyetja që lind vetvetiu është: edhe sa duhet të pritet që një përfaqësues i partive shqiptare nga trevat e Gucisë, Plavës dhe Rozhajës të zgjidhet deputet?!

Të fundit

më të lexuarat