Biznesmeni që la Amerikën dhe erdhi në Ulqin për të kultivuar ullirin

Me shumë punë e vullnet parcelën me shkurre, në të cilën mund të lëviznin me vështirësi vetëm kafshët e egra, e shndërroi në një plantacion të bukur me 1 600 rrënjë ullinj. Ky investim, duke llogaritur të gjitha shpenzimet e bëra deri më tani, kap shumën rreth 200 mijë euro. Në parcelën e tij ka 8-9 varietete të huaja ulliri, në mesin e të cilave ka edhe varietete vendëse unike shqiptare që mbartin vlera të mëdha ushqimore antikancerogjene

Gjekë Gjonaj

Osman Kallabën e njohin si biznesmen të suksesshëm në Amerikë. Si atdhetar i angazhuar shumë vite në demonstrata të mërgimtarëve tanë për pavarësinë e Kosovës. Si burrë i mirë e kontribuues nëpër fushata të mëdha të Fondit “Vendlindja thërret”. Si veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare e veprimtari të tjera fisnike e bujare. Por pakkush e di profesionin e tij të ri, pasi u kthye nga Amerika në Ulqin, ku investoi në ullishtari.
Vendi ku Osmani ngriti ullishtën për herë të parë quhet Darzë – Mali i Brisë, një fshat pak kilometra larg Ulqinit. Atje kthehet pas dyzet vitesh qëndrimi në Amerikë, për shkak se nuk mund të pajtohej që shtëpia dhe toka në sipërfaqe prej 39 mijë metra katrorë, të cilën e kishte blerë babai i tij Ramë Bajrami, për 20 milionë dinarë, të vazhdojë të mbetet djerrinë e papunuar. Më shumë se kjo që të kthehet të investojë këtu e shtyri mundimi, djersa dhe puna e tij disavjeçare ditë-natë për të shlyer borxhin e blerjes së kësaj prone. Aithot se kjo ishte dëshira e tij më e madhe për të vënë në shfrytëzim këtë pronë të trashëguar nga babai.
Dhe kështu me shumë punë e vullnet parcelën me shkurre, në të cilën mund të lëviznin me vështirësi vetëm kafshët e egra, e shndërroi në një plantacion të bukur me 1 600 rrënjë ullinj. Ky investim, duke llogaritur të gjitha shpenzimet e bëra deri më tani, kap shumën rreth 200 mijë euro. Në parcelën e tij ka 8-9 varietete të huaja ulliri, në mesin e të cilave ka edhe varietete vendëse unike shqiptare që mbartin vlera të mëdha ushqimore antikancerogjene.
“Ulliri është një kulturë e begatë, e cila si gjithë të tjerat ka nevojë për trajtim, por e jep fitimin më vonë. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë mbushen xhepat”, tregon me shaka Osmani.
Ky shtatëdhjetëvjeçar nga Zheji i Anës së Malit thotë se ulliri kërkon shumë punë, shumë kujdes, shumë njohuri e krahë pune.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “808” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat