
Ditë më parë nga shtypi doli një publikim shumë interesant. Kemi të bëjmë me manualin lidhur me 100 llojet e zogjve që më së shpeshti mund t’i hasim në Parkun natyror të Kripores së Ulqinit. Ky manual u botua falë angazhimit të Qendrës për mbrojtjen dhe studimin e zogjve me seli në Podgoricë.
Manuali ka 56 faqe, është e formatit të tipit katalog me dimensione 10x21cm, me ngjyra dhe fotografi autentike të zogjve nga bazeni i Kripores së Ulqinit bërë enkas për qëllime studimi dhe të gjitha këto fotografi përcillen me të dhënat bazë për çdo shpend. Ky manual ka për qëllim që të japë informatat themelore për ornitofaunën e Parkut natyror “Kriporja e Ulqinit”. Ta përafrojë biodiversitetin e këtij Parku të gjithë dashamirëve të natyrës e në rend të parë atyre që merren me vëzhgimin e shpendëve (birdwatching), e që kjo formë aktive e rekreacionit është shumë e popullarizuar në botë. Periudha më e mirë për vëzhgimin e shpendëve, sipas këtij manuali, është koha e migrimit të shpendëve, gjegjësisht prej muajit mars deri në qershor dhe nga gjysma e dytë e gushtit deri në nëntor. Rekomandohet që vëzhgimi të bëhet nga distanca në mënyrë që të shpendët të mos trazohen dhe të mos u shkaktohen shkëputje apo shqetësime nga përditshmëria.
Siç u tha më lartë, në manual janë paraqitur vetëm 100 lloje të zogjve që më së shpeshti mund t’i hasim në Parkun natyror të Kripores së Ulqinit e që aty evidentojmë edhe lloje të tjera që nuk kanë zënë vend në manual.
Mësojmë se, nga hulumtimet e bëra në terren nga ana e kësaj Qendre, në Mal të Zi deri më tani janë evidentuar 351 lloje të shpendëve dhe se Ulqini së bashku me bazenin e kripores është një stacion i rëndësishëm pushimi për të gjithë shpendët shtegtare që kalojnë nëpër këtë korridor ajror gjatë rrugës së tyre nga vendet e ftohta në ato të ngrohta. Shpendët shtegtarë këtu pushojnë, ushqehen dhe rimarrin veten për rrugëtimin e mëtutjeshëm. Në manual gjejmë të dhënat për emërtimin e shpendit në gjuhën lokale dhe latine si dhe të dhënat lidhur me madhësinë e shpendit shprehur në centimetra, që nga maja e sqepit e deri në fund të bishtit. Pastaj madhësinë e krahëve të hapur si dhe disa nga shprehitë më karakteristike të atyre shpendëve.
Nga manuali mësojmë se Parku natyror “Kriporja e Ulqinit” shtrihet në një hapësirë prej 1.492 hektarësh dhe vendi ku ai ndodhet ka insolimin më të madhe vjetor me 2.567 orë me diell dhe dikur njihej si vendi në ish-Jugosllavi me më së shumti ditë tropikale në vit. Kripa që formohet në këto basene është fryt i evaporacionit, që do të thotë përmes diellit dhe erës. Kriporja e Ulqinit në Mesdhe është e njohur si një ndër dhjetë më të mëdhatë dhe më të rejat. Është ndërtuar më 1926 kurse në vitin 2013 është bërë mbledhja e kripës për herë të fundit sepse pastaj për shkaqe të çuditshme ndërpritet puna. Në vitin 2019 shpallet Park natyror si dhe futet në listën Ramsar.
Prej shpendëve më atraktiv që mund të vëzhgosh në Parkun natyror “Kriporja e Ulqinit” janë: flamingosi (Phoenicopterus roseus), pelikani (Pelecanus crispus), kojliku i zi (Plagadis falcinellus), çapka sqep lopatë (Platalea leucorodia), shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliaetus), gjeraqina (Accipiter nisus), pupëza (Upupa epops), kukuvajka (Athene noctua), kojliku i madh (Numenius arquata) etj.
Flora e evidencuar deri më tani në këtë park natyror e përbëhet prej 201 lloje bimësh. Prej tyre më i përhapuri është kallami (Phragmites) të cilin e gjemë në 62ha. Kurse prej bimëve njëra që është më e veçantë dhe që mund ta gjejmë vetëm në kriporen e Ulqinit dhe askund tjetër nëMal të Zi, është panxhari i detit (Beta vulgaris ssp. maritime). Edhe pse Parku natyror “Kriporja e Ulqinit” paraqet një ekosistem të mbyllur aty hasim edhe disa lloje peshku të cilët megjithëqë uji është shumë i kripur ia arrijnë që të mbijetojnë dhe t’i përshtaten ambientit të tillë jetësor. Peshqit të shumtën e rasteve arrijnë këtu përmes kanalit të ujit të cilët i thithin dhe i sjellin pompat nga deti. Varësisht nga periudha e vitit këtu hasim 23 lloje peshqish prej të cilëve më i rezistueshmi është ngjala (Anguillidae), qefulli (Mugilidae), levreku (Dicentrarchus labrax) etj. Herpetofauna që është e pranishme në këtë park evidentohet përmes 12 lloj amfibësh dhe 28 lloj zvarranikësh ku sipas standardeve të IUCN-së shumica e amfibeve dhe zvarranikëve që gjenden në Parkun natyror “Kriporja e Ulqinit” janë specie të rrezikuara ose i përkasin grupit shumë të rrezikuar. Kriporja është vendbanim i shumë lloj gjallesash andaj hasim edhe gjitarë të ndryshëm që jetojnë aty.
Siç shihet ky manual paraqet një thesar të çmueshëm përplot me informata jo vetëm për shpendët por edhe për komplet botën e gjallë të Parkut natyror “Kriporja e Ulqinit”. Që botuesi është i vëmendshëm paraqet fakti se ky manual përveç se është i botuar në gjuhën shqipe dhe malazeze gjithashtu është botuar edhe në gjuhën angleze e gjermane. 100 shpendë të Kripores së Ulqinit është një manual të cilin unë propozoj që çdo kush ta ketë në vitrinën e shtëpisë së vet sepse ia vlen.