Koha e dëshirave

Ulqini, me të vërtetë, është një qytet madhështor, por a jemi ne në gjendje ta lëmë bukurinë e tij të vërtetë të shndrisë? Kemi ajër të freskët nga deti i hapur, ajër i cili gjallëron trupin dhe zemrën e një njeriu. Por nuk kemi një park të vetëm, një park në të cilin do mund të çlodheshim nga mësimi dhe stresi i një dite apo edhe një jave. Kemi hapësira pa mbarim, të panumërta, por nuk kemi të paktën një rrugë për vozitjen e biçikletave

Hera Kurti

Më pëlqen Shkodra. Më pëlqejnë rrugët e ndërtuara me shumë kujdes. Më lë përshtypje teatri dhe shfaqjet e ndryshme të cilat gjallërohen dhe marrin jetë në skenën e madhe. Më pëlqen kur ndodhem brenda, e shoqëruar me emocionet e audiencës, por gjithashtu edhe kur gjendem jashtë në rrugët e Shkodrës pas shfaqjeve. I adhuroj libraritë, të vendosura sa aty-këtu, të vogla por të rëndësishme. Më tërheqin vëmendjen hapësirat e shumta në rrugët e gjera për vozitjen e biçikletave. E dua Shkodrën.
E dua Shkodrën, ndoshta po aq sa edhe Ulqinin. Me aq shumë ngjashmëri, po me aq shumë dallime. Syri i njeriut nuk percepton të njëjtat pamje nga këto dy qytete. Ulqini, me të vërtetë, është një qytet madhështor, por a jemi ne në gjendje ta lëmë bukurinë e tij të vërtetë të shndrisë? Kemi ajër të freskët nga deti i hapur, ajër i cili gjallëron trupin dhe zemrën e një njeriu. Por nuk kemi një park të vetëm, një park në të cilin do mund të çlodheshim nga mësimi dhe stresi i një dite apo edhe një jave. Kemi hapësira pa mbarim, të panumërta, por nuk kemi të paktën një rrugë për vozitjen e biçikletave. Sa herë që dalim për një vozitje të shkurtër me biçikletë, me dëshirën që t’i lëmë pas mendimet pesimiste dhe t’i largohemi realitetit shpesh të trazuar, kaplohemi nga frika e automjeteve.
Na mungon kinemaja e qytetit, në të cilën do mundeshim të shijonim filma të lëmive të ndryshme, së bashku me të afërmit dhe shoqërinë tonë. T’i lëmë pas obligimet e jetës së përditshme dhe ta lëmë imagjinatën tonë të na shpie larg ashpërsisë së realitetit. Për disa çaste të vetme, do mundeshim të ishim heronjtë e historisë dhe shpëtimtarët e ditës.
Kemi palestra pa fund për aktivitetet fizike, por asnjë librari të vetme për pak gjimnastikë mendore. Aty ku do të zhytemi thellë në botën e librave, aty ku paraja do shpenzohet e shoqëruar nga buzëqeshjet e qëndisura në fytyrat e njerëzve, aty ku fjalët e çmuara nga libri do të mbesin në kujtesën tonë dhe do të ndryshojnë këndvështrimin ndaj temave të ndryshme, ndoshta edhe përgjithmonë.
Këto janë gjëra të thjeshta, mbi themelet e të cilave ndërtohet kultura e një populli. Ato nuk kërkojnë shumë, vetëm pak përkushtim të zjarrtë të qytetarëve dhe udhëheqësve. Po aq sa mërzitem nga këto mungesa, më gëzojnë dhe më bëjnë krenare vlerat e qytetit tim. Krenohem për Kalanë e Ulqinit, për qytetin antik të Shasit, për ullishtat mijëvjeçare, për plazhet mahnitëse, për Liqenin e Shkodrës dhe pamjen e tij nga Kraja, për Kriporen e Ulqinit, për shumë njerëz të mëdhenj që ka lindur qyteti im, krenohem për shumë e shumë vlera të tjera.
Dhe krejt në fund, këtë Vit të Ri, jo si të tjerët, nuk është bora e mëndafshtë apo babagjyshi trashalluq që po trokasin në dyert tona, por është akoma armiku i frikshëm që na trazoi gjatë vitit që po lëmë pas. Këtë Vit të Ri, përveç dëshirës për shuarjen e kësaj pandemie që e rrëmbeu botën si me stuhi, lista e dëshirave është e mbushur përplot, vazhdon pa mbarim dhe ne jemi duke shpresuar që këto dëshira të realizohen.
(Autorja është nxënëse e dalluar e Gjimnazit të Ulqinit)

Të fundit

më të lexuarat