Fluturimi, pjesë e pandarë e jetës

Fahrudin Gjokaj është një pilot profesionist dhe i licencuar në fluturimin e lirë me vela apo siç njihet ndërkombëtarisht me termin “Paragliding”. Gjokaj falë pasionit, kurajës dhe adrenalinës gjithnjë në rritje për fluturim të lirë, filloi ta ushtrojë atë prej një viti e gjysmë për tu bërë sot pjesë e pandarë e përditshmërisë së Tij. Ai Paraglidingun e konsideron si pjesë të jetës, duke e shikuar me një admirim të jashtëzakonshëm, fluturimi i lirë e plotëson atë në të gjitha aspektet. Ai gjatë kësaj interviste për gazetën “Koha Javore”, pasqyron dukuri të ndryshme të cilat e karakterizojnë këtë sport ajror në tërësi.

Koha Javore: Çfarë të nxiti që t’i hysh fluturimit të lirë dhe çfarë është Paraglidingu për ty?
F.Gjokaj: Të fluturoj në hapësirë të kaltër e të pafund, të shikojë Botën nga lart, nga perspektiva e Shqiponjës, për mua ka qenë vetëm një ëndërr. Pasi u njoftova se ekzistojnë shkollat në Rajon në të cilat mund ta ushtrosh fluturimin e lirë me vela, mora guximin që t’i hyjë kësaj sfide. Paraglidingu për mua është ushqim i syve dhe i shpirtit, është frymëzim dhe ndjenjë lirie, por të gjitha këtyre ju shtohet intensiteti kur shkarkohet masa e adrenalinës në trup.

Koha Javore: Çfarë përshtypjes ke nga fluturimi i parë dhe ku qëndron e bukura e fluturimit?
F.Gjokaj: Pas përfundimit të provimeve me shkrim, një kohë, së bashku me instruktorin profesionist ushtrova ngritjen dhe mbajtjen e velit mbi vete, kështu erdhi koha edhe për fluturimin tim të parë. Një nga pilotët e tjerë të cilët vëzhgonin përgatitjen për fluturimin tim më tha: “pas këtij fluturimi asgjë nuk do të jetë më sikurse ka qenë”, për momentin nuk ia vura vëmendjen. Duke vrapuar, ngrita velin mbi kokë dhe u shkëputa nga toka. Qëndrimi në ajër në lartësinë afro 400 metra dhe shikimi poshtë, herën e parë shkarkon masë të madhe të adrenalinës në trup, janë emocione aq të forta saqë është vështirë të gjejë fjalë që t’i përshkruaj. Tani më kujtohen fjalët e kolegut sepse pas fluturimit të parë, fluturimi bëhet pjesë e pandarë e jetës.

Koha Javore: Ju jeni profesionist i kualifikuar dhe i licencuar për Paragliding, por edhe përkundër kësaj, a Ju ndodh që të keni frikë nga lartësia gjatë fluturimi ?
F.Gjokaj: Njeriu nuk është i krijuar për të qëndruar lart në ajër, prandaj frika nga lartësia është normale, por pas një përvoje syri mësohet në lartësi, përvoja fitohet dhe frika zhduket, prandaj të qëndrosh në lartësi ndjen vetëm kënaqësi.

Koha Javore: Çfarë e bën një fluturues të tillë të kompletuar për t’u marrë me Paragliding?
F. Gjokaj: Pas shkollimit në shkolla të licencuara të cilat për fat të keq nuk i kemi këtu në Mal të Zi por vetëm në rajon, merr një diplomë të cilën e paraqet në Agjencinë për Aviacionin Civil, ku më pas jep provimet me shkrim dhe bën praktikën. Kur bëhet fjalë për pajisjet për fluturim nevojiten: sistemi i cili në vete ka parashutën për raste emergjente, veli i cili zgjidhet varësisht nga pesha dhe shkalla e përvojës së pilotit, instrumentet që tregojnë lartësinë, shpejtësinë, përkrenarja, këpucët speciale me qafë dhe dorashkat.

Koha Javore: Cilët janë faktorët të cilët mund të ndikojnë negativisht që një fluturim të rrezikohet dhe a është respektimi i parimeve meteorologjike kusht për një fluturim të sigurt dhe pa pasoja?
F.Gjokaj: Faktori kryesor është respektimi i parimeve meteorologjike, pra ekzistojnë rregullat që duhen respektuar nëse do që fluturimi të jetë pothuajse absolutisht i sigurt, por edhe këto si të gjitha të tjerat, piloti profesionist i mëson dhe i ushtron në stërvitje.

Koha Javore: Në cilat zona fluturoni më së shumti, cilat janë lokalitetet që ju i keni pikasur dhe i frekuentoni për fluturime?
F.Gjokaj: Deri më tani kam fluturuar në Malësi, Podgoricë, Nikshiq, Budvë, Tivar dhe në gjashtë lokalitetet Zllatiborit në Serbi. Në të ardhmen planifikoj që të fluturoj në Shqipëri e më pas dëshirat janë të shumta.

Koha Javore: Sa kohë mund të zgjasë një fluturim dhe cila është lartësia më e madhe që ju lejohet që ta ngjitni?
F.Gjokaj: Gjatësia e fluturimit varet nga kushtet atmosferike. Nëse duam ta marrim për bazë erën dhe të bëjmë fluturimin pranë malit, atëherë për të qëndruar gjatë në ajër, forca e erës na nevojitet 4-8 mps ku mund të fluturohet derisa intensiteti i erës dobësohet, kjo nganjëherë mund të zgjasë gjatë tërë ditës. Nëse për bazë fluturimi duam t’i kemi kolonët termike, atëherë lartësia mbidetare që mund të arrijmë është mbi shtresën e oksigjenit, mirëpo ne nuk ngjitemi mbi 3500-4000 metra, sepse atëherë pakësohet oksigjeni dhe nuk duam të rrezikojmë.
Sa i përket distancës, ajo varet nga kolonat termike, me 1km lartësi me erë 0mps kalojmë përafërsisht 8km gjatësi, do të thotë kolona termike është “pikë karburanti” i pilotit të fluturimit të lirë, mund të kalohen me qindra kilometra.

Koha Javore: Në Malësi jeni vetëm dy persona që merreni me Paragliding, a mendoni se ky sport i ri jo vetëm tek ne por dhe më gjerë do të duhej të zhvillohej më shumë dhe si mund të realizohet avancimi i Tij?
F.Gjokaj: Po e vërtetë, tani për tani në Malësi jemi vetëm unë dhe Arben Gjurashaj që merremi me Paragliding. Në Mal të Zi nuk ka shkolla të licencuara për stërvitje dhe ky fakt vështirëson avancimin e këtij sporti, kurse në Botë ky sport është shumë më i zhvilluar dhe ka një histori të suksesshme.

Koha Javore: Sa ka Malësia pika të përshtatshme për fluturimin e lirë me vela?
F.Gjokaj: Kemi Deçiqin i cili është sikurse ta kishte krijuar perëndia për këtë sport ajror. Pra, në pjesën jugore të Deçiqit ne mund të fluturojmë në erë të juglindjes, jugut, jugperëndimit dhe perëndimit, fakt i cili e bën Bratilën poligon ideal për Paragliding, kurse panorama të cilën e kemi kur ngjitemi në ajër është mahnitëse.

Koha Javore: Sa ua sugjeroni të rinjve që të merren me paraglaiding?
F.Gjokaj: Ata të cilët duan ta ndjejnë lirinë dhe lumturinë me plot mushkëri, ta ndjejnë adrenalinën e cila nuk mungon kurrë, të cilët duan t’i shikojnë bukuritë dhe natyrën nga një perspektivë e Shqiponjës, le ta provojë këtë sfidë, mirëpo ta marrin me seriozitet, sepse që të kontrollosh masën e shkarkimit të adrenalinës në trup, nuk mjafton vetëm talenti dhe pasioni sepse mbi të gjitha duhet një ekuilibër mendor dhe trupor, pra duhet të vëzhgohen nga syri i profesionistit dhe nga njëri nivel në tjetrin arrihet deri tek përvoja, pastaj të fluturosh bëhet aq e lehtë sikur të ngasësh një biçikletë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat