Eksponate të lashta nga periudha osmane e shek. XVIII

Tuz- Organizata Joqeveritare “Sheher” ka hapur në QKI “Malësia”, ekspozitën “Gjurmë të Kulturës Osmane në Tuz” në të cilën morën pjesë një publik mjaft i gjerë i cili pati mundësi të njihet me një gamë të gjerë eksponatesh të ndryshme nga shek. XVIII.
Në emër të QKI “Malësia” ka përshëndetur Vaid Dresheviq, i cili ka thënë se kjo ekspozitë prezanton eksponatet më të vjetra të gjetura në këto hapësira të cilat i ka grumbulluar dhe ruajtuar me shumë kujdes Haris Ramoviq, anëtar i OJQ “Sheher”, organizatë kjo që merret me ndërtimin dhe ruajtjen e objekteve kulturore dhe fetare islame.
“Kjo ekspozitë është e një rëndësie të madhe për banorët e Tuzit dhe për fshatrat përreth, sepse Tuzi si një stacion ushtarak i Ilirëve, Romakëve, Dokleatëve në veçanti në kohën e osmanëve ka pasur gjithherë rëndësi të veçantë strategjike. Në territorin e gjerë të Tuzit ka pasur fortesa ushtarake por edhe vende ku ushtri të ndryshme kanë pasur kampet e tyre përpara se të niseshin në luftë. Pikërisht kjo dhe karvanët e tregtisë drejt Shkodrës, Dubrovnikut e Sarajevës kanë bërë që Tuzi me kalimin e kohës të bëhet vend në të cilin ka ndodhur shumëçka, nganjëherë dhe me pasoja të rënda. Një jetë më e lehtë ka qenë në kohën e pushtetit Turk. Eksponatet që po shikoni sonte, bindshëm tregojnë për kushtet dhe mënyrën e jetesës së njerëzve të atëhershëm”, u shpreh ndër të tjera, Dresheviq.
Ai më tej ka shtuar se koleksioni i shpalosur në këtë ekspozitë prezanton një kulturë dhe traditë të një periudhe të largët të shkuar, duke thënë se çdo eksponat të përkujton një kohë luftërash dhe të një qëndrimi heroik të individëve të cilët i kanë vendosur vulën e historisë këtij vendi.
“Eksponat e vjetra arkeologjike të cilat sonte kemi privilegjin t’i shikojmë, në llojin e tyre janë tregues i lidhjeve tregtare, kulturore dhe i lidhjeve të tjera të kulturës autoktone dhe osmane. Këto eksponate të grumbulluara dhe të ruajtura, kanë një rëndësi të madhe kulturore, duke na kthyer në një të kaluar e cila ka një rekomandim edukativ, siç thotë dhe një thënie e kahmotshme: “kush nuk e njeh të kaluarën, nuk mund ta ndërtojë me sukses të ardhmen”,theksoi Dresheviq.
Këtë ekspozitë e ka shpallur të hapur Husein Ceno Tuzoviq i cili ka folur disa minuta për historinë e Tuzit në të kaluarën. t. u.

Të fundit

më të lexuarat