Ngritja e flamurit kombëtar në Vuthaj

Ky akt, ndonëse jo i madh për nga përmasat, me idetë dhe qëllimet politike, përputhej me synimet dhe idealet e brezave të shumtë, edhe të kësaj treve, që u flijuan dhe u sakrifikuan për çlirimin dhe bashkimin e trojeve tona etnike dhe historike të mbetura nën okupacion

Binak Ulaj

Jubileu i 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është rast i veçantë për ndriçimin e një ngjarjeje që i bën nder historisë së Plavës e Gucisë – ngritjen e flamurit tonë kombëtar, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, në Vuthaj, më 12 tetor 1968. Ky akt, ndonëse jo i madh për nga përmasat, me idetë dhe qëllimet politike, përputhej me synimet dhe idealet e brezave të shumtë, edhe të kësaj treve, që u flijuan dhe u sakrifikuan për çlirimin dhe bashkimin e trojeve tona etnike dhe historike të mbetura nën okupacion. Me këtë veprim u tregohej udhëheqësve shtetërorë të Jugosllavisë, se ne jemi shqiptarë, se jetojmë në trojet tona, se dhuna dhe terrori shtetëror i ushtruar në vazhdimësi, që nga pushtimi i kësaj krahine nga ushtria serbe e malaziase, në tetor të vitit 1912, nuk ishte arritur ta shuajë vullnetin e popullit tonë për të qenë i lirë dhe i pavarur.

Kushtet dhe rrethanat e krijuara
Pas Plenumit të Brioneve (korrik 1966), kur bie klika e Rankoviqit, ndonëse rankoviqizmi, si ide dhe politikë, do të vazhdojë të zbatohet në forma të ndryshme nga qarqe të caktuara shtetërore, ishin krijuar sadopak kushtet që populli shqiptar në Jugosllavi t’i shpërfaqte përsëri kërkesat dhe vullnetin e vet politik. Dhe këtë vullnet politik do ta manifestojë fuqishëm me demonstratat e rinisë studentore e shkollore, që do të shpërthejnë në Prizren, më 6 tetor 1968, në Therandë, më 8 tetor, për të vijuar më pas në Pejë, më 19 tetor, në Podujevë, më 27 tetor, në Ferizaj e Gjilan, më 27 nëntor, e që do të kulmojnë, pasditen e të njëjtës ditë, në Prishtinë. Në dhjetor të po atij viti do të shpërthejnë demonstrata masive edhe në Tetovë. Kërkesat kryesore ishin: Vetëvendosje! Republikë! Duam universitet!…
Po popullsia shqiptare e Plavës dhe Gucisë, çdo të bënte në ato rrethana?
Ndonëse të pakët në numër dhe nën represion të vazhdueshëm të institucionalizuar, popullsia shqiptare e Plavës dhe Gucisë edhe kësaj here do të japë kontributin e vet për çështjen kombëtare, ashtu siç e kishte dhënë, dhe siç do ta japë më vonë, në periudha vendimtare historike. (Shembulli më i ndritshëm i këtij kontributi ishte pjesëmarrja e bijve më të mirë të kësaj treve në radhët e UÇK-së, veçmas nga SHBA-ja, por edhe nga vendi. Numri i tyre, krahasuar me numrin e popullsisë, është për çdo admirim. Me këtë rast po i përmendi vetëm dy-tri raste shumë domethënëse. Ismet Dedushaj, kur ishte nisur me batalionin “Atlantiku”, bashkëshortes së prekur nga sëmundja malinje, ia kishte lënë amanet: ”Nëse vritem, fëmijët m’i kthe në atdhe”. Kur Hysen Bruçajt i kishin thënë se për shkak të moshës nuk mund t’u bashkohej atlantikasve, u ishte përgjigjur: “Mu pse jam në moshë, nuk do të kem rast më të mirë për të vdekur për atdhe”. Dhe, u ishte bashkuar. Bruno Selimaj, biznesmen shumë i suksesshëm, kishte dhënë aq shumë ndihma sa kishte falimentuar. Më pas, i ishin dashur jo pak vite e mund për ta marrë të mbarën) Kjo popullatë asnjëherë, s’e kishte parë fatin e vet të ndarë nga fati i popullit që i përkiste e, assesi, nga fati i pjesës tjetër të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, ndaj së cilës ushtrohej represion i njëjtë shtetëror, e që krerët e Beogradit e kishin ndarë në disa republika për ta defaktorizuar rolin e saj dhe sunduar më lehtë, pavarësisht se ajo ishte e treta për nga numri i popullsisë në Jugosllavi.
Ndaj, në rrethanat e krijuara në vitin 1968, ishte e domosdoshme që edhe shqiptarët e Plavës e Gucisë, ta ridëshmonin vullnetin politik e qytetar të përbashkët.
Pas shqyrtimit të kësaj çështjeje me Idriz Zeqirajn (në shtator të vitit 1968, pasi e kisha përcjellë deri në kufi, Idriz Zeqiraj do të kalojë ilegalisht në Shqipëri me qëllim që prej andej të na dërgojë literaturë dhe udhëzime për veprimatri të mëtejme. Këtë detyrë ai do ta kryejë me shumë përkushtim. Literaturën e shumtë ai do t’ia dërgojë vëllait, Seferit, në Gjermani, dhe axhës, Rexhepit, në Francë, të cilët do ta sjellin në Kosovë e, pastaj atë do të na e dorëzojë vëllai tjetër i tij, Tafa. Kjo literaturë shpërndahej anekënd Kosovës.) dhe Zenel Ulajn, që të dy mësimdhënës në fshatin Vrellë të Istogut, dhe Xhafer Shatrin (Dy nga pjesëtarët e këtij grupi, Xh. Shatri e B. Ulaj, së bashku me Kadri Osmanin, Mehmet Hajrizin e Jashar Alinë, në vitin 1973, do ta themelojnë organizatën klandestine, Grupin Revolucionar të Kosovës.), nxënës i gjimnazit në Istog, që ishin anëtarë të grupit të organizuar që detyrë parësore kishte ngritjen e vetëdijes kombëtare, veçmas tek nxënësit dhe të rinjtë, dhe që merrej me shpërndarjen e literaturës ilegale që vinte nga Tirana, kishim vlerësuar se ngritja e flamurit kombëtar më 12 tetor, ditën e caktuar të dasmës së Sylejman Ulajt dhe Emine Dakajt nga Vrella, ishte rasti më i përshtatshëm për demonstrimin e vullnetit, por edhe të solidaritetit të popullatës shqiptare të Plavës e Gucisë me demonstratat në Kosovë. Për këtë veprim, pavarësisht pasojave që mund të pësonte, ishte pajtuar edhe Sylejmani, vëllai i madh i Zenelit. Me qëllim të ruajtjes së konspiracionit, këtë ide nuk e kishim biseduar me askë tjetër.
Realizimin me sukses të kësaj ideje e bazonim në faktin se përdorimi i lirë i flamurit tonë kombëtar ishte përfshirë në ndryshimet kushtetuese për të cilat diskutohej. Përveç kësaj, flamuri kombëtar kishte filluar të përdorej aty-këtu në Kosovë, ndonëse ende s’ishte ligjësuar. Me atë rast, secili prej nesh kishte marrë përsipër detyra të caktuara. Gjetjen e flamurit, sjelljen dhe ngritjen e tij në Vuthaj e kisha marrë përsipër unë. Duke pasur besim të palëkundshëm në qëndresën e bashkëvendësve të mi, tipar ky themelor i karakterit nacional dhe i mbijetesës sonë, por edhe në ndjenjat e atdhedashurisë së tyre rëndë të dhunuara, e kisha marrë përsipër t‘i njoftoja dasmorët për kushtet që ishin krijuar për marrjen e flamurit në dasmë. Përveç si obligim ndaj atdheut në përgjithësi dhe vendlindjes në veçanti, motiv shtesë për marrjen e kësaj përgjegjësie ishte edhe fakti se ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të demonstratave në Prizren dhe Pejë, ishin shokët e mi të idealit dhe të shkollës: Meriman Braha, Zymer Neziri dhe Isa Demaj, andaj nuk mund t’i lejoja vetes të mbetesha pas. Përveç kësaj, duke qenë i kapluar nga entuziazmi prej të riu, që vinte nga jehona e demonstratave, e paramendoja se të afërmit e mi që i kisha në krahun tjetër të atdheut, në Shqipëri, mund ta pyesnin veten, apo do t’më pyesnin mua, kurdo që do t’më takonin: Po ti, vëlla, kushëri, nip, ku ishe dhe ç’ bëjë kur ndodhnin gjithë ato vlime në Kosovë? (vijon)

Të fundit

më të lexuarat