“Shqiptari e jep jetën dhe vdes si me le kur është rasti për të mbrojtur atdheun. Ky është shembulli që na japin këta 16 burra edhe sot e kësaj dite”, ka theksuar Zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, duke porositur se “gjaku i derdhur për atdhe është një mesazh për të ardhmen”
Pas më shumë se një shekulli nga Lufta për mbrojtjen e Shkodrës e viteve 1912-1913 nga rrethimi i forcave malazeze, 16 të rënë nga Ana e Malit që ranë në Qëndresën e Taraboshit, janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Vendimi është marrë nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” të Republikës së Shqipërisë, më 19 maj të këtij viti, mbështetur në kërkesën e Shoqatës Patriotike-Kulturore “Ana e Malit”, si dhe me propozimin e Këshillit të Qarkut Shkodër.
Ceremonia e shpalljes së 16 Dëshmorëve të Atdheut, e organizuar nga Shoqata Patriotike-Kulturore “Ana e Malit”, është mbajtur të shtunën, më 8 tetor, në qendër të Oblikës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Shqipërisë, Bashkisë Shkodër, krerëve të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të shumtë nga Ana e Malit, Shkodra, Ulqini dhe qytete të tjera.
Ceremonia ka filluar me marshin funebër dhe vendosjen e kurorave me lule te monumenti kushtuar të rënëve anamalas në Oblikë, nën përcjelljen e Orkestrës Frymore të Qytetit të Shkodrës, dhe me interpretimin e himnit kombëtar.
Në fjalën e rastit, Xhevdet Landa, anëtar i kryesisë së Shoqatës Patriotike-Kulturore “Ana e Malit”, ka thënë se në luftrat e gjata shekullore, kombi ynë i vlerësoi shumë heronjtë dhe ata që dhanë jetën për lirinë e vendit, por çuditërisht na karakterizoi një ngecje në përcaktimin e tyre si heronj apo si dëshmorë. i. k.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “786” të revistës Koha Javore