Ali Suloviqi ka pasur një qëndrim të rrallë, ecje të bukur, elegante, duke u përkulur ashtu siç e kanë pasur ata që kanë ecur nëpër barkë duke lundruar në det. Edhe ai ka ecur ashtu siç ecin të gjithë detarët, gjithmonë duke u “përkundur“ si në “vapur”, thotë një thënie popullore
Ismet Karamanaga
Të shkruash për detarët dhe për detin, në veçanti për kapedanët nga Kalaja, është një sfidë e madhe, aq më tepër që kapedani Ali Suloviqi nuk ka lindur në Kala. Ai ka lindur në Krruç të Ulqinit në vitin 1932, në vendin ku për çdo ditë e ka pasur detin para sysh, aty ku valët janë përplasur për ishullin e “Adës së Krruçit”, siç e kanë quajtur detarët, e deri te horizonti i largët. Ëndrra që të lundrojë në ndonjë anije të bardhë të madhe, të cilat ditë për ditë kanë kaluar në horizontin e largët, një ditë është bërë realitet, të cilin e ka ëndërruar si i ri duke punuar në fshatin e vogël së lindjes.
Krruçi dhe ishulli pranë tij në det gjithmonë ka qenë e edhe sot është një mistikë e lashtë, e lidhur me një legjendë e cila e ka pasur bazën në popullatën vendase, por edhe më gjerë. Edhe ne të gjithë më vonë kemi folur dhe ende flasim për hipotezën se në vendin ku gjendet sot “Ada e Krruçit” ka mundur të jetë qyteti i vjetër i Ulqinit.
Bile ka pasur kohë në ish-Jugosllavinë e madhe, që edhe ekspertët nga Beogradi kanë ardhur këtu për të hulumtuar. Mirëpo, asgjë nuk është gjetur, pavarësisht se disa rrënoja nga mesjeta, një kështjellë ende gjendet në fillimin e “Adës së Krruçit”, rrënojat të cilat dëshmojnë se kjo hipotezë një ditë mund të fitojë një dritë tjetër.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “785” të revistës Koha Javore