Projekt që do të gëzojë gjenerata të tëra

Tuz- Shkolla e Muzikës dhe e Baletit e cila është nëndegë e Shkollës së muzikës “Vasa Paviq” nga Podgorica, këtë vit shkollor për të parën herë do të startojë mësimin në Malësi, për ata vogëlushë të cilët kanë aftësi dhe talent në botën e artit.
Me vendimin të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, para një muaji u miratua që në Malësi të hapen këto dy degë të cilat deri më tani nuk kanë ekzistuar në këtë trevë, andaj dhe hapja e tyre ka qenë e nevojshme dhe deficitare.
Hapja e këtyre dy degëve i ka gëzuar pamasë të gjithë, e në veçanti të gjithë ata fëmijë të cilët kanë prirje për këto dy fusha e që atë talent deri më tani, nuk kanë pasur se ku ta evidentojnë.
Nxënësit të cilët do të pranohen në këto dy degë, mësimin do ta zhvillojnë në ambientin e Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz në një kabinet të veçantë, eventualisht në dy kabinete të cilët do te jenë të pajisur me kushte të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, ashtu siç e parashikojnë profesorët dhe plan-programi mësimor.
Drejtori i Shkollës Fillore, “Mahmut Lekiq”, Nikollë Dukaj, i pyetur nga “Koha Javore” për numrin e aplikantëve që synojnë të mësojnë në këto dy degë, tha se në konkurs i cili ka zgjatur nga data 04 deri më 08 shtator 2017, janë paraqitur mbi njëqind nxënës, duke shprehur kënaqësi dhe vlerësim për talentet që ka Malësia por nga ana tjetër shprehu keqardhje për të gjithë ata që do mbesin “jashtë” mësimit duke qenë se numri i nxënësve që do të ndjekin mësimin në këto dy degë, është i limituar.
“Vendimi i Ministrisë së Arsimin për hapjen e kësaj shkolle e cila deri më tani nuk ka ekzistuar në Malësi, na ka gëzuar tejmase nga vetë fatki se Malësia ka telentë, ka fëmijë me potencial jo vetëm në këto dy fusha por dhe në shumë profile të tjera. Ky është një projekt që nga tani e tutje do të gëzojë gjenerata të tëra të cilave do t’ ju hapë rrugë që aftesitë e tyre t’i shpalosin në këto dy fusha. Kemi pasur fatin që ta gëzojmë një shkollë të tillë e cila është e mirëpritur nga të gjithë”, u shpreh Dukaj.
Ai më tutje sqaroi se nxënësit konkurrentë janë të ndarë në tre grupe të cilët do të kenë mundësi të mësojnë pjesën teorike dhe praktike në disa instrumente muzikore si dhe për solo këndim.
“Grupin e parë e përbëjnë nxënës të vitlindjes 2009/2010, grupin e dytë e përbëjnë nxënësit e vitlindjes 2007/2008 dhe grupin e tretë e përbëjnë nxënësit e vitlindjes 2005. Pas vlerësimit dhe përzgjedhjes së aplikantëve nga ana e profesorëve përkatës, do të fillojë mësimi i rregullt për shkollën e muzikës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Në Shkollën e Muzikës dhe Baletit në Tuz, këtë vit shkollor, sipas Dukajt, procesin mësimor do ta ndjekin në total dyzetë nxënës në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në atë malazeze, duke shpresuar që në të ardhmen ky limit të zgjerohet, në mënyrë që edhe talentët e tjerë në Malësi të kenë mundësi të shpalosin aftësitë e tyre në botën e artit.  t. u.

Të fundit

më të lexuarat