Prishtinë – Qeveria e re e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të parë të mbajtur të hënën, ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, me propozim të kryeministrit të ri të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Shkarkimi i Komisionit është bërë pa asnjë votë kundër dhe me vetëm dy abstenime.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Haradinaj ka emëruar në krye të këtij komisioni ish-deputetin e LDK-së, ekspertin e njohur dhe profesorin e gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se do të veprojë shpejt për të zgjidhur çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që është një nga sfidat e vjetra me të cilat do të përballet qeveria e tij.
“Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit. Unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta. Pra, ne do të korrigjojmë këtë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ai ka theksuar se beson që do të gjendet një dalje e shpejtë nga gjendja ekzistuese, duke mos saktësuar se cilat janë hapat që do të ndërmarrin si dhe ka premtuar se nuk do të vonojnë me liberalizimin e vizave.
I pyetur se a mund të zhbëhet marrëveshja, duke pasur parasysh se tashmë Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Kosovën, Haradinaj është përgjigjur: “Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër”.
Ndërkaq kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin, dr. Shpejtim Bulliqi, ka thënë se do të qëndrojë pas fakteve me të cilat e kundërshtoi mënyrën se si Kosova e demarkoi kufirin me Malin e Zi.
Bulliqi, deputeti më i zëshëm i shumicës së kaluar, fliste për fakte që Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë në marrëveshjen ndërshtetërore për kufirin me Malin e Zi.
Mali i Zi, që ndërkohë është bërë anëtar i NATO-s, e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Kosovën. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar akoma këtë marrëveshje, që e kishte nënshkruar Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme dhe Skënder Hyseni si ministër i Punëve të Brendshme, për shkak të kundërshtimit të opozitës së mëparshme, të përbërë nga Lëvizja Vetëvendsoje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Pikërisht Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ka qenë njëra ndër çështjet kryesore të luftës së ashpër politike ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës së mëparshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
(Kohapress)