Ulqin – Me një ceremoni ku morën pjesë gazetarë dhe bashkëpunëtorë, anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi etj., të shtunën mbrëma në hotelin “Mediteran” në Ulqin u shënua 15-vjetori i daljes së gazetës “Koha javore”.
Në emër të botuesit, kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu ka thënë se shënimi i këtij përvjetori është rasti që të diskutohet për rolin e kësaj gazete javore në këto 15 vite, por edhe të reflektohet për të ardhmen.
Sipas tij, dalja e gazetës “Koha javore” është prodhim i demokratizimit dhe proceseve politike të kohës.
Nimanbegu ka thënë se kjo gazetë ka kaluar nëpër dy periudha: nga viti 2002-2015, kur ishte në përbërje të SHAGB “Pobjeda” dhe nga viti 2015, prej kur botohet në kuadër të KKSH-së.
Duke folur për problemet e lindura pas falimentimit të “Pobjedës”, kryetari i KKSH-së ka përkujtuar se në kolegjiumin e Kuvendit të Malit të Zi është themeluar Grupi i punës, i përbërë nga ai në cilësinë e kryetarit të Grupit dhe deputetët Predrag Sekuliq dhe Dritan Abazoviq, të cilët gjatë vjeshtës së vitit 2014 kanë punuar për zgjidhjen e problemeve të gazetës “Koha javore” dhe sigurimin e ekzistencës së saj.
“Janë bërë një sërë takimesh dhe propozimi i është dorëzuar Kuvendit, duke përcjellur përvojën e financimit të shtypit të popujve pakicë në rajonin tonë”, ka thënë ai, duke vlerësuar se “arritja më e rëndësishme është stabilizimi pas shumë vitesh i gjendjes dhe statusit të kësaj gazete”.
Nimanbegu ka theksuar se tani “Koha javore” menaxhohet nga vetë shqiptarët.
“Tani, pa ndikim të politikës dhe nga politikanët, përgjegjësia për ‘Kohën javore’ është mbi të gjithë ne”, ka pohuar ai.
Redaktori përgjegjës i gazetës “Koha javore”, Ali Salaj, ka përkujtuar fillimin e kësaj gazete duke thënë se “si çdo fillim, edhe ai i gazetës ‘Koha javore’ ishte më tepër se sfidues për shkak të mungesës së një tradite të mirëfilltë në gazetarinë e shkruar, por edhe nga synimi që të krijohet një gazetë me format dhe dizajn për t’i dhënë shpirt dhe frymë kombëtare, fjalës së lirë”.
Ai ka thënë se misioni i parë i kësaj gazete ishte angazhimi në mbrojtjen e sistemit të vlerave, “një mision që nisi me një staf të pakontaminuar nga politika dhe të paprekur nga klanet e interesit”.
“Kjo frymë u krijua dhe u ruajt me përkushtim nga të gjithë ata që morën pjesë në thurjen e saj, posaçërisht nga bashkëpunëtorët e çmuar që i dhanë dhe vazhdojnë t’i japin një frymë të veçantë kësaj gazete”, u shpreh Salaj.
Redaktori përgjegjës ka thënë se “Koha javore” shërbeu në komunikimin e përgjegjshëm, larg sensacioneve dhe thashethemeve, duke e ruajtur etikën dhe lirinë e shprehjes.
“Në çdo mënyrë u përpoq të mos kishte ngjyrime politike apo të vihet nën ndikimin e politikës së ditës. Përkundrazi, ajo ishte e balancuar dhe e hapur për çdo pikëpamje që paraqet interes publik”, ka deklaruar ai.
Salaj ka thënë se mbrojtja dhe zhvillimi i mediave në gjuhën shqipe duhet të mbetet detyrim dhe objektiv i shqiptarëve në Mal të Zi sepse reduktimi dhe shuarja e tyre do të rrezikonte qenien kombëtare.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Programor të gazetës “Koha javore”, gazetari Gjekë Gjonaj, ka nënvizuar rolin e këtij këshilli në ndryshimet pozitive që janë bërë kohës së fundit në gazetë.
“Ajo tashmë, siç jeni në dijeni, është shndërruar në një revistë moderne, e cila për nga cilësia është konkurruese e denjë e revistave me emër të mirë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Përveç botimit të saj me format të ri, me mbështetjen e KKSH-së arritëm të shtojmë edhe katër faqe më shumë seç kishte më parë dhe të mundësojmë daljen e saj edhe në versionin elektronik”, ka pohuar ai.
Gjonaj ka thënë se “Koha javore” iu ka dhënë mundësinë e shprehjes së mendimit të lirë të gjithëve dhe se ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e penës.
“Si e tillë është bërë sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëve të të gjitha profileve, që duan të thonë e të bëjnë publike mendimin e tyre për problemet dhe të arriturat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në të gjitha trojet tjera ku jetojnë ata”, është shprehur ai.
Gjonaj ka bërë thirrje që të blihet më shumë “Koha javore” sepse është gazeta jonë dhe s’kemi medie tjetër të shtypur në gjuhë shqipe, pavarësisht faktit se ajo është e përjavshme dhe ndoshta nuk i përmbush shijet e të gjithëve.
Ai ka thënë se nëse veprojmë në këtë mënyrë, do të arrijmë tri gjëra të rëndësishme.
“E para, do të shmangim një traditë jo të mirë që më shumë jemi të prirur të lexojmë shtypin e huaj se atë shqiptar, për fat të keq. E dyta, do të krijojmë një kulturë të re të leximit shqip. E treta, do të përmbushim një detyrim kombëtar, i cili na nderon të gjithëve”, ka theksuar kryetari i Këshillit Programor.
Në ceremoninë e shënimit të 15-vjetorit të gazetës “Koha javore” morën pjesë ndër të tjerë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ernal Filo, ambasadori i Republikës së Kosovës, Skender Durmishi, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje” – Boiken Abazi, Xhelal Sveçla dhe Nora Fetoshi, si dhe shumë personalitete të tjera nga jeta shoqërore dhe kulturore.
Gazeta “Koha javore” është themeluar me vendim të Kuvendit të Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999. Numri i parë doli më 21 shkurt 2002. Nga fillimi deri në vitin 2014 është botuar në kuadër të SHAGBG “Pobjeda”. Pas falimentimit të “Pobjedës”, me vendim të Kuvendit të Malit Zi, të datës 27 dhjetor 2014, “Koha javore” botohet në kuadër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Deri tani janë botuar 759 numra dhe si e tillë “Koha javore” është media e shkruar më jetëgjatë në historinë e shtypit shqiptar në Mal të Zi. Për këto 15 vite “Koha javore” ka luajtur rol të rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në Mal të Zi, në veçanti për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar. i. k.