Shasi në qendër të kulturës, historisë dhe rinisë kreative

Këtë vit, “Nata e Kështjellave” u përqendrua në lokalitetin arkeologjik të Shasit - një perlë historike që bashkon natyrën, kulturën dhe komunitetin. Përmes përfshirjes aktive të të rinjve, promovimit të qëndrueshëm të trashëgimisë dhe vlerave natyrore, si dhe prezantimit të produkteve lokale, manifestimi nënvizon rëndësinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij lokaliteti unik

Lokaliteti arkeologjik i Shasit u shndërrua këtë vit në epiqendrën e aktivitetit kulturor dhe edukativ në kuadër të manifestimit ndërkombëtar “Nata e Kështjellave – Goes Green”, që u mbajt më 9 maj, për nder të Ditës së Evropës dhe 75-vjetorit të Deklaratës së Shumanit. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit GIFTSnet, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Interreg IPA Kroaci – Bosnje e Hercegovinë – Mali i Zi 2021-2027. Këtë vit, “Nata e Kështjellave” u zhvillua njëkohësisht në 72 lokacione të dhjetë vendeve evropiane.
Në këtë ngjarje të veçantë përshëndetën të pranishmit kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe ambasadori i Austrisë në Mal të Zi, shkëlqesia e tij Kristjan Shtajner.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, bashkë me Ambasdorin e Austrisë në Mal të Zi, në prag të manifestimit ”Nata e Kështjellave” bënë hapjen e zyrës informuese në Shas. Kjo është një zyrë moderne e cila në të ardhmen do të jetë në shërbim të vizitorëve të lokalitetit arkeologjik të Shasit, kurse vlera e saj kap shumën prej 50 mijë euro.
Kryetari Nimanbegu gjatë fjalimit të tij theksoi se përmes këtyre manifestimeve bëjmë promovimin e vlerave kulturore të Shasit, i cili nuk është i njohur vetëm përmes 365 kishave nga legjenda e vjetër, por është i njohur edhe si qendër e vjetër ilire.
“Ne si komunitet presim ende edhe nga institucionet evropiane që të shprehen ndaj sulmit që Qeveria e Malit të Zi është duke bërë ndaj Ulqinit, ndaj Plazhit të Madh, dhe kjo është një betejë e cila duhet të jetë e vazhdueshme nga komuniteti jonë – i pandarë me rajone, me etni, me subjekte politike, i pandarë në kërkimin e të drejtave tona për zhvillim të qëndrueshëm, i cili u duhet qytetarëve tanë. Ju jeni banorë të kesaj treve dhe keni të drejtë që për të ardhmen tuaj të vendosni vetë. Si udhëheqës i këtij komuniteti, të vogël por krenar, komunitet i cili çdoherë ka ditur t’i promovojë vlerat e veta, dua të them që edhe Shasi, edhe Kalaja e Ulqinit, na takojnë neve dhe pasardhësve tanë”, u shpreh Nimanbegu.
Ambasadori i Austrisë në Mal të Zi, shkëlqesia e tij Kristjan Shtajner, në fjalën e tij përshëndetëse tha se ndihet i lumtur që vizitoi një lokalitet kaq të bukur dhe me rëndësi siç është Shasi.
Ai deklaroi se më 9 maj festojmë përvjetorin e Deklaratës së Robert Shumanit, me të cilën është themeluar Bashkimi Evropian, i cili është një projekt i paqes, i vlerave, projekt politik, ekonomik dhe i solidaritetit.
Ilmira Lika, duke folur në emër të ekipit menaxhues të projektit GIFTSnet, theksoi se bëhet fjalë për njërin ndër projektet më të mëdha të Komunës së Ulqinit. Komuna ka përfituar mjete financiare në vlerë prej 292 698 euro, ndërkohë që investimi kryesor do të fokusohet në lokalitetin arkeologjik të Shasit, me një shumë prej 170 000 euro.
Në kuadër të këtij investimi do të rregullohen 12 shtigje, do të vendosen 45 ulëse dhe 50 kosha për mbeturina. Gjithashtu, projekti parasheh organizimin e punëtorive me fëmijë, ture të specializuara për grupet e margjinalizuara si dhe vizita të organizuara për gazetarë.
“Shpresojmë që vitin e ardhshëm ta festojmë ‘Natën e Kështjellave’ me një lokalitet arkeologjik të Shasit të rregulluar siç e meriton, sepse ka një rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën dhe historinë tonë”, u shpreh Lika.
Ajo gjithashtu shprehu falënderime të veçanta për angazhimin e kolegëve Arsllan Hajdinaga dhe Artan Lika, ndërsa mirënjohje e veçantë iu drejtua Gazmend Kovaçit për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm në realizimin me sukses të aktiviteteve në këtë lokalitet historik.
Fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të Ulqinit morën pjesë në pikturimin kreativ të bukurive natyrore dhe kulturore të lokalitetit të Shasit, duke nxjerrë në pah florën unike dhe aurën historike që e karakterizon këtë vend të lashtë. Ndërkohë, përmes një udhërrëfimi profesional, nxënësit patën mundësinë të mësojnë më shumë për historinë dhe trashëgiminë e pasur të këtij lokaliteti të rrallë.
Në vijim të aktivitetit, nga ora 17:30 deri në 18:30, u çel ekspozita e punimeve artistike të krijuara gjatë ditës nga të rinjtë, duke i dhënë hapësirë talentit lokal dhe forcimit të lidhjes mes brezit të ri dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
Pas ekspozitës, vizitorët shijuan produktet lokale tradicionale, të cilat pasqyrojnë pasurinë gastronomike të Anës së Malit dhe rrethinës, duke promovuar prodhimet vendore si pjesë integrale e identitetit kulturor të zonës.
Ngjarja u përmbyll me koncertin festiv, me pjesëmarrjen e muzikantëve vendas dhe grupeve të valleve tradicionale, duke sjellë atmosferën autentike të Ulqinit dhe harmoninë mes trashëgimisë dhe bashkëkohësisë.
Këtë vit, “Nata e Kështjellave” u përqendrua në lokalitetin arkeologjik të Shasit – një perlë historike që bashkon natyrën, kulturën dhe komunitetin. Përmes përfshirjes aktive të të rinjve, promovimit të qëndrueshëm të trashëgimisë dhe vlerave natyrore, si dhe prezantimit të produkteve lokale, manifestimi nënvizon rëndësinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij lokaliteti unik.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat