Ndryshimi solli reagime në Tuz

Pavarësisht debatit rreth identitetit të ri vizual, KF “Deçiq” si i vetmi klub futbolli në Komunën e Tuzit, vazhdon të jetë një histori suksesi në arenën vendore, me rezultate të qëndrueshme, përmirësime infrastrukturore dhe një përkushtim të qartë ndaj zhvillimit të sportit në komunitet

Tuz – Klubi i Futbollit “Deçiq” nga Tuzi ka prezantuar së fundmi identitetin e tij vizual të ri, duke përfshirë logon dhe ngjyrat e reja, të cilat janë përshkruar si “një simbol i trashëgimisë, pasionit dhe të ardhmes sonë”. Ky ndryshim ka ngjallur reagime te një pjesë e komunitetit lokal.
Një grup qytetarësh, ish-lojtarësh dhe tifozësh protestuan në qendër të Tuzit për të shprehur pakënaqësinë ndaj ndryshimit të stemës dhe ngjyrave.
Stema e re ka ngjyrat e kuqe, të zezë, të bardhë dhe të artë, ndërsa stema e vjetër kishte ngjyrat bardhekaltër dhe simbolin e yllit të kuq.
Njëri ndër organizatorët e protestës, Zejnel Muminoviq, për gazetën “Koha javore” thotë se pas njoftimit për ndryshimin e stemës dhe ngjyrave të KF “Deçiq”, si qytetar dhe ish-futbollist i këtij klubi, menjëherë ndjeu se kjo do të ishte një padrejtësi ndaj themeluesve dhe të gjitha gjeneratave që e kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë klubin për gati një shekull.
“Nuk besoja se kjo mund të bëhej aq lehtë, pavarësisht njoftimit, sepse prisja një reagim të ashpër nga sportistët, aktivistët qytetarë dhe politikanët lokalë. Megjithatë, meqë sipas mendimit tim, reagimi i duhur mungoi, vendosa që me një grup të vogël miqsh të nis një protestë qytetare, sepse jam i sigurt se shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë nuk e mbështesin vendimin për ndryshimin e stemës dhe ngjyrave bardhekaltër, pavarësisht nga orientimi politik apo identiteti”, tha Muminoviq.
Ai shtoi se tifozët janë unanimë në qëndrimin e tyre dhe se protesta shërbeu për të konfirmuar këtë mbështetje qytetare.
“Është e papranueshme mënyra e ndryshimit të stemës, pa debat publik, pa konsultime me komunitetin sportiv dhe publikun më të gjerë lokal, madje as me diskutim në parlamentin lokal. Gati 100 vjet histori janë fshirë. Pa respekt dhe pa ndjenja”, tha Muminoviq.
Ai theksoi rëndësinë e reagimit qytetar dhe shpresën për zgjidhje të arsyeshme.
“Dialogu është gjithmonë i mirë, por ai mungoi pikërisht kur ishte më i nevojshëm – para vendimit të individëve për të ndryshuar stemën e vjetër. Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje, për bashkëjetesën dhe vlerat e vërteta që gjithmonë e kanë karakterizuar krahinën tonë”.
Nga ana tjetër, kryetari i KF “Deçiq”, Pal Dreshaj, i kontaktuar nga “Koha javore”, deklaroi se nuk dëshiron të prononcohet në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se menaxhmenti është i përqendruar në kampionat dhe në Kupë dhe nuk dëshiron të përfshihet në debate që, sipas tij, kanë konotacione politike.
Ndërkohë, ndër ata që u shprehën publikisht për çështjen e ndryshimit të identitetit vizual të KF “Deçiq”-it ishin edhe figura politike dhe institucionale, përfshirë kreun e Komunës së Tuzit dhe zyrtarë të tjerë në nivel lokal e qendror.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, përmes një deklarate për media, ka dhënë disa arsye për ndryshimin e stemës, duke e lidhur atë me nevojën për t’u distancuar nga simbolet e së kaluarës.
“Ngjyrat që janë përdorur më parë në stemën e KF ‘Deçiq’ nuk kanë qenë rezultat i vullnetit të lirë të qytetarëve, as nuk kanë buruar nga tradita autentike historike dhe kulturore e mjedisit tonë. Përkundrazi, ato shpesh kanë qenë të imponuara nga një sistem që kishte për qëllim kolonizimin ideologjik dhe kulturor, dhe krijimin e identiteteve artificiale që nuk i përkisnin shpirtit të këtij vendi. Një nga shembujt më të dukshëm të një praktike të tillë është e ashtuquajtura ‘trobojkë’ – kombinim ngjyrash që edhe sot përdoret në simbolet e disa shteteve fqinje, si dhe të Rusisë, dhe që kurrë nuk ka qenë shprehje e vërtetë e identitetit të qytetarëve të Tuzit dhe Malësisë.”
Stema e re e KF “Deçiq”, tha ai, është krijuar me qëllim që të pasqyrojë vlerat moderne, simbolet e shtetësisë dhe identitetin e vërtetë të vendit tonë, duke respektuar dygjuhësinë.
“Kombinimi i ngjyrës së artë dhe të zezës bart një simbolikë të fuqishme, e arta paraqet dritën, dinjitetin, shtetësinë dhe përparimin, ndërsa e zeza evokon forcën, këmbënguljen dhe luftën historike të popullit tonë për ruajtjen e vlerave tona kombëtare.”
Në stemë është përfshirë edhe mali i Deçiqit, për të cilin Gjelaj thekson se ai, “si një pikë historike orientimi, paraqet shtyllën e identitetit dhe krenarisë.”
Ai gjithashtu u shpreh se respekton të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm mendimet e tyre dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, por nënvizoi rëndësinë që vendimet për identitetin e komunitetit të udhëhiqen nga “parimet e së vërtetës, përgjegjësisë historike dhe pjekurisë shtetërore”.
Për këtë çështje reagoi edhe ish-kreu i Komunës së Tuzit, aktualisht nënkryetar i Qeverisë dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, i cili përmes një postimi në Facebook shkroi: “Nuk do të ndryshohet asnjë pikë apo detaj nga stema, pavarësisht protestave të disa personave të mbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve.”
Pavarësisht debatit rreth identitetit të ri vizual, KF “Deçiq”, si i vetmi klub futbolli në Komunën e Tuzit, vazhdon të jetë një histori suksesi në arenën vendore, me rezultate të qëndrueshme, përmirësime infrastrukturore dhe një përkushtim të qartë ndaj zhvillimit të sportit në komunitet.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat