
Njohja me Vildanën ka qenë krejt e rastësishme. Të ftuara në një aktivitet të përbashkët në Londër, fillim marsi 2024, rastësia “mbreti i botës”, e solli të ishim të ulura pranë njëra-tjetrës. Që në momentet e para të prezantimit pata një ndjesi ndryshe, ku butësia e zërit të saj, qetësia dhe sidomos buzëqeshja – më bënë të ndihesha mirë e më tërhoqi vëmendjen. Në fund të aktivitetit shkëmbyem kontaktet.
Fillova të lexoja shkrimet e saj (sidomos poezitë), e të komunikonim deri kur një mëngjes lexova poezinë “Dy Orë”, e cila m’u duk sikur ishte shkruar enkas për mua. Shpejt u takuam përsëri dhe e pyes: “Zonja Vildanë, a ke ndonje libër se dua ta lexoj?”
Me buzën në gaz, më thotë: “Linda, më thirr ma mirë n’emër se n’ihem ma rahat”, e më tej “Jo moj Linda, jo, nuk kam botu ndonjë libër!”
Ndoshta edhe nga shprehja me të drejtë e fytyrës sime përtej habisë, dhe mahnitur nga thjeshtësia fisnike e kësaj gruaje që kisha përballë, ajo qetësisht me një tis buzëqeshjeje melankolike vazhdon: “Jo moj Linda, nuk kam botu asnji libër!”
Sinqerisht nuk mund ta besoja!!!
Ndërkohë që Vildana filloi të më fliste me pasion për dashurinë e shpirtit të saj, të shkruarin, pashë një Vildanë tjetër. Pa u menduar dy herë, i them: “E dashur zonja Vildanë, Ti do e botosh librin! Mbaroi kjo punë!”
Nuk kisha asnjë ide si mund të bëhej, por për një gjë isha e sigurt dhe e vendosur. Libri i saj i parë me poezi do të shihte dritën e diellit. Nuk mund të harroj të qeshurën e saj, pasuar nga “Ehhhh…. moj Linda, shumë miq e dashamirë m‘kanë thanë, ofru n’ihmë e lehtësina, par nuk jam ba mukajet, unë shkruj se s’mund t’jetoj pa andrrën teme. N’jetë kam pas gjana tjera ma t’randsishme. Por ty t’faleminderit shumë”.
Me vetëdije dhe zemër kisha dhënë një premtim! E duhej mbajtur!!!
E ja, kështu nisi rrugëtimin e vet puna për sjelljen në dritë të këtij libri. Kontakti im i parë ishte miku im i ngushtë, shkrimtari z. Imer Hysa, të cilit i jam shumë mirënjohëse për gjithë ndihmën dhe këshillat e vlefshme, inkurajimin dhe mbështetjen që nga fillimi e deri në përfundim të punës sonë, si dhe sugjerimet për shtëpitë botuese me të cilat mund të bashkëpunonim.
Përzgjedhja e shtëpisë botuese – një element tepër interesant e i rëndësishëm, që nuk mund ta anashkaloja pa e përmendur. Në takimet e përbashkëta të ne të treve (Vildana, Imeri dhe unë), mbi tryezë kishim emrat e disa shtëpive botuese, si në Shqipëri (Tiranë, Durrës, Shkodër), Ulqin, diasporë (USA) e Londër. Ah, kur u përmend fjala Shkodër. Vildana e kishte marrë tashmë vendimin e saj. Nga thellësia e qenies së saj, ajo dëshironte që libri i saj i parë të dilte në dritë pikërisht në atë qytet që ajo e adhuronte aq shumë – SHKODRA!!! E kështu u vendos – Shtëpia Botuese SHKODRA, në Shkodër, drejtuar nga z. Gjon Serreqi.
Biseda e parë e përbashkët ishte më tepër një bashkëbisedim malli midis një zonje ulqinake e një zotërie shkodran, të cilët kishin aq shumë gjëra për të thënë edhe pse nuk njiheshin më parë. Sa bukur ishte t’i dëgjoje ato biseda në një gegnishte të kulluar. Mrekulli! Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen tonë të përbashkët ndaj z. Gjon Serreqi, për kulturën qytetare, profesionalizmin dhe ndihmesën e dhënë deri në botimin e librit.
Tani mbetej pjesa më e bukur, por më me përgjegjesi – përzgjedhja e materialit për librin, redaktimi dhe korrektimi. Të përzgjedhësh disa poezi nga thesari shumëvjeçar i shpirtit të poetes.
Pata nderin jo vetëm ta kem mike, Presidente Nderi të shkollës shqipe dhe “Nënëmadhen” e fëmijëve të shkollës, por edhe të më besonte të punonim së bashku në përzgjedhjen, korrektimin dhe redaktimin e poezive të saj. Privilegj dhe Përgjegjësi!
Shumë ditë e net të gjata studimi e pune intensive, diskutime të përbashkëta, përjetime emocionale të poezive (përlotje dhe këngë), por dhe të qeshura pa fund, sidomos kur përkthenim në shqip – shqip.
Mbarova? Jo ende, titulli i librit! E çfarë tjetër mund të kishte ky libër si titull, përveçse “Dy Orë”?! – zanafilla e Tij!
Kontribut të rëndësishëm në këtë rrugëtim kanë edhe dy bashkudhëtarët dritëplotë të Vildanës, Asdreni e Besarti (djemtë e saj), të cilët i falënderoj nga zemra për kohën dhe bisedat e këndshme mes nesh, duke më ndihmuar së tepërmi për një njohje më të plotë të nënës së tyre poete.
Falënderim dhe mirënjohje ndaj znj. Suada Resulbegu – Elezaga (mike e ngushtë e Vildanës që prej fëmijërisë, jo vetëm prej gjaku por edhe zemre), së fundi edhe mikja ime e nderuar, si dhe ndaj të gjithë mikeshave e miqve të ngushtë të poetes, të cilët me dashamirësi e përkushtim, më ndihmuan në njohjen më të thellë të poezive, burimit të tyre, e mbi të gjitha të personalitetit të Vildanës nëpërmjet analizës së disa prej të përzgjedhurave poezi.
Përjetësisht mirënjohëse për besimin e dhënë që nga ideja për librin, bashkëpunimin e deri në daljen e tij, e mbi të gjitha jam e lumtur që kjo “bukuroshe e fjetur” gjatë në skutat e shpirtit tënd, u bë realitet Fisnikja Vildanë!
I nderuar lexues, ju uroj lexim të këndshëm, përjetime personale dhe përhumbje në thellësinë dhe bukurinë e këtij libri me tematikë të larmishme si dhe të përdorimit të fjalës në stilin VILDANESK!
“Dy Orë” – Rrugëtim të mbarë!