Një prej misioneve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar

Lëvizja e pajtimit të gjaqeve pati funksionin e saj të shumëfishtë: humanitar, kombëtar dhe historik e çlirimtar. Mjafton të theksojmë karakterin e unitetit mes krerëve fetarë myslimanë e katolikë dhe rolin që patën ata në këtë Lëvizje. Familjet që falën dhe ato të falura shumë herë u bënë baza referenciale të organizatorëve të luftës çlirimtare... Falja vullnetare e gjaqeve pa asnjë kusht, zhdukja e gjakmarrjes dhe çlirimi shpirtëror i këtyre familjeve, pajtimi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve, ishte synimi final i kësaj veprimtarie, edhe si fazë parahyrëse në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare

Myrvete Dreshaj – Baliu

Në historinë e popullit shqiptar, së paku, që nga koha e Skënderbeut e këtej ka pasur disa nisma a lëvizje më të mëdha për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave. Veprimtaritë e këtilla i ndërmerrnin njerëz me autoritet dhe ndikim brenda rretheve ku jetonin, apo udhëheqës të grupeve të caktuara që dalloheshin në lëvizjet e mëdha kombëtare. Është e kuptueshme prandaj pse, që nga koha e Skënderbeut e deri më tash edhe misioni, suksesi dhe reflektimi i Lëvizjeve për Pajtimin e Gjaqeve ka qenë i ndryshëm dhe ka pasur veçoritë e tij kohore e historike, strategjike e ushtarake, humane e kulturore dhe politike e kombëtare. Deri në vitin 1990 aksionet individuale dhe lëvizjet e grupeve të caktuara, shpesh kanë pasur karakter të kufizuar edhe për nga misioni edhe për nga shtrirja e aktivitetit të tyre. Mund të thuhet se misioni i Pajtimit në kohën e Skënderbeut kishte karakter përbashkues, politik dhe ushtarak; pajtimi në prag të Lidhjes së Prizrenit kishte karakter politik, ushtarak, identitar dhe kulturor; pajtimi i gjaqeve në prag të Lidhjes së Pejës kishte karakter politik dhe kombëtar; misioni i pajtimit të gjaqeve në Malësinë e Mbishkodrës, në fillim të viteve ’70, kishte karakter, para se gjithash, kulturor e human; si dhe misioni kryesisht individual i të përndjeku¬rve politikë nga regjimi serbo-jugosllav deri më 1990, kishte po ashtu karakter politik e kombëtar, por me përmasa vetëm individuale.

Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave zë fill si një ide e përfolur gjatë edhe në burgjet jugosllave nga të rinjtë dhe të rejat e burgosur politikë. Nuk është e rastit që edhe aksioni fillimisht ndërtohej mbi moton e romanit të Adem Demaçit, “Gjarpinjtë e gjakut”: Jo – atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por – atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit

Kështu, në këtë frymë të pajtimit dhe të bashkimit politik dhe kombëtar, kishin vepruar prijësit historikë të Lëvizjeve Kombëtare, ”duke shpallur besën e përgjithshme përmes së cilës ndalohej rreptësisht gjakmarrja, si dhe parashiheshin dënime të rënda për të gjithë besëthyesit e këtyre vendimeve strategjike për fatin e luftës”. (Ismet Elezi, Zëri i Popullit, Tiranë, 20 dhjetor 1990, fq. 3) Prandaj, karakteri i këtyre veprimtarive, sa ka qenë human, po aq ka qenë politik dhe kombëtar, sa ka qenë vullnet i brendshëm i familjeve për t’u pajtuar, po aq ka qenë detyrim nga krerët e lëvizjeve të mëdha kombëtare gjatë historisë sonë.
Vetëm aksioni i fundit, Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991, do të arrijë t’i përmbledhë dhe t’i artikulojë të gjithë përbërësit më të rëndësishëm të lëvizjeve kombëtare dhe pa shtyrje e detyrim të jashtëm, t’i bëjë njerëzit e popullit tonë t’i shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit.

Rrethanat kohore dhe nisma e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve
Viti 1990 në Kosovë fillon me vazhdimin e demonstratave të muajve tetor, nëntor dhe dhjetor 1989. Gjaku rinor që kishte larë rrugët e Prishtinës, gati një dekadë më herët, në mars e prill të vitit 1981, sikur ishte rikthyer me gjithë vrullin e tij. Protestat dhe demonstratat e këtij fillimviti në gjithë Kosovën vazhdonin të dëshmonin se çështja shqiptare në ish-Jugosllavi nuk ishte vetëm problem i lirive dhe të drejtave të njeriut, ashtu siç donin ta paraqisnin disa parti dhe organizata joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare, apo se shqiptarët për shkak të gjakmarrjes po vriteshin mes vete, ashtu siç propagandonte TANJUG-u, por çështje e madhe e një kombi të ndarë, mbi të cilin kishte filluar haptazi gjenocidi. Jugosllavia, nën trysninë e Serbisë, e kishte ashpërsuar sjelljen ndaj shqiptarëve të Kosovës me heqjen sistematike edhe të atyre pak të drejtave të mbetura dhe lirive kushtetuese, deri në largimin masiv nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit, të Radiotelevizionit të Prishtinës dhe shtypit ditor. Në Kosovë ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore serbe ishte mbizotëruese e 12 orëve ditore. Dhuna që ushtrohej ndaj popullsisë nuk ishte më selektive, por masive dhe gjithëpërfshirëse. Ishte ndaluar lëvizja e dy a më shumë personave së bashku në rrugë.

Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve e viteve 1990-1991 do të jetë aq masive e popullarizuese sa do të bëjë homogjenizimin më të fuqishëm nacional, të realizuar ndonjëherë në lëvizjet tona historike, madje jo vetëm në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavi, por edhe në diasporë. Shqiptarët e mundën frikën nga pushtuesi edhe një herë dhe u ndërgjegjësuan se “e keqja që vinte nga shteti që mbështetet në polici dhe në ushtri mund të përballej vetëm me një unitet të fortë kombëtar, me vetorganizim dhe me flijime të mëdha”

Përpiqej të mbillej frikë dhe tmerr në popull. Burgosjet, vrasjet pas shpine dhe likuidimet e të rinjve shqiptarë shtypi politik serb filloi t’i propagandonte si vrasje të shqiptarëve mes tyre për gjakmarrje. Në këto rrethana zë fill Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, si një ide e përfolur gjatë edhe në burgjet jugosllave nga të rinjtë dhe të rejat e burgosur politikë. Nuk është e rastit që edhe aksioni fillimisht ndërtohej mbi moton e romanit të Adem Demaçit, “Gjarpinjtë e gjakut”: Jo – atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por – atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit.
Ky organizim solli një model tjetër mënyre të luftës për çlirim, tash të ngritur mbi paradigmën e pajtimit të gjaqeve. Ishte koha kur ndër popujt e Ballkanit nga të gjitha anët nxitej urrejtja kundër popujve të tjerë fqinjë. Raportet midis shqiptarëve në Kosovë dhe organeve federative jugosllave, veçanërisht të Serbisë, ishin tensionuar shumë. Kohë kur drejtuesit politikë, kulturorë dhe sidomos kishtarë serbë, jo vetëm nxisnin urrejtjen kundër shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve, por kundër shqiptarëve i nxisnin edhe maqedonasit e malazezët. Kudo në Kosovë ndaj shqiptarëve në forma të ndryshme shprehej dhe realizohej diferencimi, dhuna dhe terrori i egër policor.
Më 2 shkurt 1990 nga një bërthamë nismëtarësh studentë: Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj, Lulëzim Ethemaj, Myrvete Dreshaj dhe Ethem Çeku, u konkretizua ideja që më parë ishte diskutuar mes tyre dhe të tjerëve në burgjet jugosllave. Me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj ideje, grupi fillimisht konsultoi disa nga personalitetet më me ndikim të kohës: Dr. Ibrahim Rugovën, drejtues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Rexhep Qosjen dhe Profesor Anton Çettën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe dr. Zekeria Canën nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. (Adem Grabovci: I pajtuam gjaqet për t’ia nisur luftës çlirimtare, “Epoka e Re”, Prishtinë, 2 shkurt 2017, f. 4.) Përkrahje mori nga të gjithë, por në krye të këtij aksioni u vu studiuesi dhe njohësi i jashtëzakonshëm i traditës popullore Anton Çetta nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, institucion i cili u bë edhe qendër e rëndësishme e kësaj veprimtarie. Kjo nismë shumë shpejt mori përmasa të një Lëvizjeje Gjithëpopullore. Asaj që në fillim iu bashkuan 28 ish të burgosur politikë, si dhe studentë të tjerë e intelektualë atdhetarë, njerëz të guximshëm dhe shumë të nderuar të të gjitha trojeve nën pushtim.
Së bashku me Profesorin Anton Çetta, me veprimtarë të tjerë të rinj dhe nga radhët e inteligjencies, shtëpi më shtëpi kërkohej falja e gjakut në emër të dëshmorëve, të gjakut të tyre, në emër të popullit, të flamurit, të rinisë, në emër të unitetit kombëtar; në emër të idesë nismëtare të faljes të sjellë nga burgu: Kur na vrasin të tjerët, ne të mos i hapim varre vetvetes. T’i nderojmë tridhjetë e dy të vrarët nga terrori shtetëror serb e jugosllav. T’i falim tridhjetë e dy gjaqe. T’i lëmë të paçelura tridhjetë e dy varre të reja! Gjetja e mënyrës së interpretimit të kësaj motoje dhe të tjerave, si: Plagët që na i shkaktojnë të tjerët të mos na duken më të lehta se plagët që i shkaktojmë vetvetes (Shih, Pajtimi i gjaqeve 1990-1991, Era, Prishtinë, 2001, f. 3), si dhe prekja e kujdesshme në plagën e dhimbshme të tyre, ishte ajo që u jepte forcë të magjishme të hasmuarve të deridjeshëm, që pa urrejtjen e mëparshme, t’ia shtrinë dorën e pajtimit njëri-tjetrit. (Dr. M. Dreshaj – Baliu, Gojëtaria e Anton Çettës, sesioni shkencor i mbajtur më 25 nëntor 2010, me rastin e 90-vjetorit të lindjes dhe 15-vjetorit të vdekjes së prof. Anton Çettës, Instituti Albanologjik – Dega e Folklorit, Prishtinë, 2011, f. 329) Në këtë Aksion për herë të parë në historinë e pajtimeve, falnin si burrat ashtu edhe gratë.

Më 2 shkurt 1990 nga një bërthamë nismëtarësh studentë: Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj, Lulëzim Ethemaj, Myrvete Dreshaj dhe Ethem Çeku, u konkretizua ideja që më parë ishte diskutuar mes tyre dhe të tjerëve në burgjet jugosllave. Me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj ideje, grupi fillimisht konsultoi disa nga personalitetet më me ndikim të kohës: Dr. Ibrahim Rugovën, drejtues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Rexhep Qosjen dhe Profesor Anton Çettën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe dr. Zekeria Canën nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Përkrahje mori nga të gjithë, por në krye të këtij aksioni u vu studiuesi dhe njohësi i jashtëzakonshëm i traditës popullore Anton Çetta nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, institucion i cili u bë edhe qendër e rëndësishme e kësaj veprimtarie


Rezultatet e Lëvizjes ishin të mëdha. Nga besa e parë, prej tre muajsh e Lumbardhit, dhe falja e parë e Raushiqit, më pas Broliqit etj., që bëheshin në oda burrash, u formuan këshillat për pajtim në të gjitha viset e robëruara shqiptare dhe në diasporë. Ndërsa policia serbe rrihte dhe burgoste vazhdimisht veprimtarë të kësaj Lëvizjeje, ndalonte tubimet në hapësirat e hapura, pas pajtimeve të para në oda burrash, po këta veprimtarë, tash edhe me anëtarë të rinj nga familjet që kanë falur, filluan me organizimin edhe të tubimeve të mëdha popullore: në Komoran, në Greme, Bubavec, Rugovë, në Kodër të Trimave, Bishtazhin, Karaqevë, Zllakuqan etj., të cilat kulmuan me tubimin e organizuar më 1 maj 1990, te Verrat e Llukës, në të cilin u mblodhën rreth gjysmë milioni njerëz, si dhe tubimi në Çegran të Gostivarit, më 28 korrik 1990, që mblodhi mbi pesëdhjetë mijë njerëz.
Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve do të mbajë tri Kuvende të saj: më 19 maj 1990, në të cilin u zgjodh edhe Këshilli Koordinues; më 18 nëntor 1990, ku do të bëjë analizën e rezultateve gati përfundimtare, si dhe Kuvendin III, më 17 maj 1992, ku do të miratojë përbërjen e Redaksisë për përgatitjen dhe botimin e një libri që do të reflektonte rezultatet e kësaj Lëvizjeje Gjithëpopullore.

Pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve do të zhvillojnë shumë aktivitete, jo vetëm brenda një qyteti a krahine, por edhe në shumë vise shqiptare në Mal të Zi. Pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve për herë të parë në lëvizjen tonë kulturore, shpirtërore dhe kombëtare, do t’i hapin dyert dhe do të bëjnë të mundur që shqiptarët ‘e muslimanizuar’ në Sanxhakun e Novi Pazarit e Rozhajës haptazi të shfaqin përkatë-sinë kombëtare shqiptare, duke hapur arkat e vjetra qindvjeçare për të nxjerrë flamurin e mbyllur që më 1912


Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve e viteve 1990-1991 do të jetë aq masive e popullarizuese sa do të bëjë homogjenizimin më të fuqishëm nacional, të realizuar ndonjëherë në lëvizjet tona historike, madje jo vetëm në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavi, por edhe në diasporë. Shqiptarët e mundën frikën nga pushtuesi edhe një herë dhe u ndërgjegjësuan se “e keqja që vinte nga shteti që mbështetet në polici dhe në ushtri mund të përballej vetëm me një unitet të fortë kombëtar, me vetorganizim dhe me flijime të mëdha”. (Agron Xhagolli, Anton Çetta – sfidë dhe histori, Sesioni shkencor i mbajtur më 25 nëntor 2010, me rastin e 90-vjetorit të lindjes dhe 15 vjetorit të vdekjes së prof. Anton Çettës, Instituti Albanologjik – Dega e Folklorit, Prishtinë, 2011, f. 255)
“Janë me qindra e qindra të rinj anembanë Kosovës, – kujton atë kohë shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i kësaj Lëvizjeje, Ramiz Kelmendi, – djem e vajza, studentë e studente, që, të shpërndarë në grupe, gjenden ditë e natë në terren; enden nëpër fshatra e qytete, me këmbë e me automjete, të ngrënë e të pangrënë, kudo ku ka nevojë për ndërhyrje paraprake, për t’u përgatitur ‘terreni’ për shtrirjen e dorës së pajtimit, për mbylljen e një hasmërie. Këto grupe të rinjsh, krijuan këshilla rajonale dhe komunale edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës”. (M. Pirraku, Gjaqet do t’i falim për ardhmërinë e fëmijëve tanë!, në “Pajtimi i gjaqeve 1990-1991”, Era, Prishtinë, 2001, f. 265)
Edhe në Maqedoni Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve ka pasur një rëndësi të paçmueshme për mbijetesën politike dhe kulturore të shqiptareve në këtë republikë. Pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve do të zhvillojnë shumë aktivitete, jo vetëm brenda një qyteti a krahine, por edhe në shumë vise shqiptare në Mal të Zi. Pjesëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve për herë të parë në lëvizjen tonë kulturore, shpirtërore dhe kombëtare, do t’i hapin dyert dhe do të bëjnë të mundur që shqiptarët ‘e muslimanizuar’ në Sanxhakun e Novi Pazarit e Rozhajës haptazi të shfaqin përkatë¬sinë kombëtare shqiptare, duke hapur arkat e vjetra qindvjeçare për të nxjerrë flamurin e mbyllur që më 1912. (M. Dreshaj, Shënime nga terreni, pranverë 1990. Arkivi personal.)
Kjo Lëvizje bëri jehonë edhe ndërkombëtare, për formën unike të veprimit, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme të terrorit shtetëror serb e jugosllav. Bob Xhonson, i cili do të editojë botimin e librit “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991” (2001), do të theksojë: “Si një perëndimor që i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës mbështetjes së paqes dhe pajtimit, gjeta një frymëzim të madh në historinë e dokumentuar këtu mbi mbarimin e gjakmarrjes në Kosovë. Është një histori e suksesshme, që është veçanti shqiptare. Është një tregim thirrës i pushtetit të një ideje për të ndryshuar rrjedhën e historisë nga një grup i vogël djemsh dhe vajzash, që atë e drejtuan me mençuri, përkushtim edhe përmes sakrificës. Para se gjithash, ai nderon familjet e shumta kosovare që me guxim vendosen të ndryshojnë diçka në botën e tyre dhe ia arritën. Sipas mendimit tim, ky tregim është një nga çastet e larta të historisë moderne të Ballkanit. Ai duhet të tregohet”. (Bob Xhonson, “Pajtimi i gjaqeve 1990-1991”, Era, Prishtinë, 2001. Kopertina e pasme.)
Lëvizje e Pajtimit të Gjaqeve (1990-1991) ka arritur synimet e misionit të saj për një kohë relativisht të shkurtër. Mbështetur në të dhënat e raportuara të të tri Kuvendeve dhe dokumenteve të përgatitura për librin e pajtimit të gjaqeve, janë realizuar rreth 1200 falje gjaqesh dhe po kaq plagë e ngatërresa.

Reflektimi i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në zhvillimet e mëvonshme
Lëvizja e pajtimit të gjaqeve pati funksionin e saj të shumëfishtë: humanitar, kombëtar dhe historik e çlirimtar. Mjafton të theksojmë karakterin e unitetit mes krerëve fetarë myslimanë e katolikë dhe rolin që patën ata në këtë lëvizje. Familjet që falën dhe ato të falura shumë herë u bënë baza referenciale të organizatorëve të luftës çlirimtare.
Të hasmuarit e deridjeshëm, shpesh edhe për gjëra nga më të ndryshmet (madje për gjëra krejtësisht të parëndësishme), gjatë luftës së Kosovës fati i ka takuar në fund apo në krye të fshatit, në momentin kur forcat policore dhe ushtarake serbe po e sulmonin; i ka takuar në rrugën e pafundme të përndje¬kjes individuale dhe kolektive; në trenat e përmbushur me shqiptarë për t’i deportuar drejt Maqedonisë; në grupet e ndara të meshkujve për pushkatim në grumbull; në kampet e Maqedonisë, Shqipë¬risë apo në kampet e shteteve perëndimore; në radhën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj. Asnjë hakmarrje nuk është shënuar. Asnjë mosma¬rrë¬veshje mes tyre, falë Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, e cila disa vjet më parë i kishte mënjanuar mosmarrëveshjet e tyre, i kishte ulur gjakrat dhe i kishte pajtuar këta njerëz. Falja vullnetare e gjaqeve pa asnjë kusht, zhdukja e gjakmarrjes dhe çlirimi shpirtëror i këtyre familjeve, pajtimi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve, ishte synimi final i kësaj veprimtarie, edhe si fazë parahyrëse në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare.
Më shumë se kaq, Lëvizja do të shenjëzojë shumë shtëpi, në të cilat më vonë, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të gjejnë vullnetarë për radhët e tyre ushtarake; do të gjejnë strehë, pa frikën se kanë trokitur në derë të pasigurt, për qindra ushtarë të plagosur, ndihmës të tyre e qytetarë të dëbuar; do të kalojnë në çdo rrugë e qafë mali, pa frikën se hasmi ua ka zënë pritën; do të dalin hapur edhe në krye të kolonave ushtarake, pa frikën se hasmi do ta adresojë policinë dhe ushtrinë serbe në familjet e tyre etj.
Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve ka shënuar një prej misioneve më të rëndësishme historike, të cilin e realizoi njëri prej brezave të idealistëve të shekullit XX. Duke u mbështetur në energjinë e brendshme të popullit, apo në frymën e frymës sonë, – siç do të thoshte Çabej, – ajo realizoi përmasën humanitare, kombëtare dhe çlirimtare.

Të fundit

më të lexuarat