Vendi i krimit ende pa simbolin e kujtesës

Në vendet me traditë demokratike, me rastin e datave jubilare qeveritë përkatëse formojnë komisione të veçanta për shënimin e ngjarjeve historike. Pikërisht diçka e tillë është pritur të ndodhë me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit (1 prill 1945), por mungoi angazhimi konkret si nga Kosova dhe nga Shqipëria, sepse ka qenë e udhës që qeveritë jo veç e veç por së bashku ta shënojnë këtë jubile, por siç duket në mungesë të koordinimit dhe të agjendave tjera qeveritare, ky jubile mbeti në heshtje, që nuk mund të arsyetohet, sepse ngjarjet e tilla janë obligim i institucioneve shtetërore

Nail Draga

Për Masakrën e Tivarit, pas vitit 1990 janë botuar studime dhe botime të veçanta nga autorë të ndryshëm shqiptarë duke i ofruar opinionit të gjerë të dhëna për të parën herë për një ngjarje tragjike e cila ishte ideuar e realizuar sipas skenarit të Ushtrisë jugosllave. Por pa përgjegjësi nuk është as pushteti në Shqipëri, sepse kolonat e kosovarëve në rrugëtimin e tyre për në Tivar kanë kaluar nëpër territorin e Shqipërisë, të përcjella me roje të Ushtrisë jugosllave. Dhe pikërisht më 1 prill 1945, ata u masakruan në Tivar te Monopoli i Duhanit, ku janë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës. Të dhënat numerike janë të ndryshme varësisht prej burimeve, që janë nga disa qindra (454 indvidë) e deri mbi një mijë. Por, derisa të mos hapen dosjet e arkivave ushtarake e të UDB-së jugosllave nuk do të kemi të dhëna përfundimtare për numrin e të masakruarve shqiptarë në Tivar. Por është e pakontestueshme se ata u likuiduan vetëm se ishin shqiptarë, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës, që ishte strategjia e politikës jugosllave të kohës.

Tryezë shkencore në Prishtinë
Me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit (1945-2025) është pritur që si në Kosovë e Shqipëri ky përvjetor të shënohet me ndonjë veprimtari të veçantë apo të përbashkët të dy qeverive, por si në të kaluarën edhe ky përvjetor kaloi në heshtje, që nuk mund të arsyetohet me asgjë.
Por, atë që nuk e bënë qeveritë, në Kosovë e Shqipëri, për të parën herë në organizim të Institutit Albanologjik në Prishtinë, më 3 prill është mbajtur Tryeza shkencore ”Masakrat ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi 1944-1945 (me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit të vitit 1945)”. Ishte ky organizimi i parë kushtuar kësaj ngjarjeje historike në pluralizëm, ku referuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria me kumtesat e tyre ofruan të dhëna me interes për masakrat kundër shqiptarëve në përgjithësi e atë të Tivarit në veçanti.

Konferenca e parë në Ulqin
Cekim me këtë rast se më 30-31 mars 2013, në organizim të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në Ulqin është mbajtur konferenca shkencore “Masakra e Tivarit 1945”, ku me kumtesa kanë marrë pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi (të cilat ende nuk janë botuar), ku për të parën herë është trajtuar çështja e kësaj ngjarjeje tragjike e shqiptarëve nga Kosova. Ishte ky një takim i veçantë, sepse pjesëmarrësit më 31 mars kanë shkuar në vendin e krimit në Tivar, ku për të parën herë në nderim të viktimave janë vendosur kurora me lule. Po ashtu lule janë vendosur edhe më pas në vitin 2015 dhe 2025, por ende mungon pllaka apo monumenti përkujtimor i shkruar në tri gjuhë, si referim për të gjithë ata që duan ta vizitojnë vendin e krimit.

Presidentin nuk ka kush ta këshillojë
Pasi nga data 9-11 shkurt në vizitë zyrtare në Mal të Zi ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në takimin e zhvilluar me homologun malazias Jakov Millatoviq, sipas mediave janë diskutuar çështje me rëndësi të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Por, në këtë takim më 10 shkurt në Podgoricë, Presidenti i Malit të Zi njoftoi se i është kërkuar Presidentit Begaj që në vendin ku kanë humbur jetën në det, në afërsi të Shëngjinit, një numër i konsideruar malazezësh më 6 janar të vitit 1916, në nderim të tyre të vendoset një pllakë përkujtimore, e cila nga Presidenti Begaj është pranuar më kënaqësi.
Një qëndrim i tillë nga Presidenti Begaj është për respekt, por ai është dashur që në këtë takim të inicojë, në mënyrë analoge, që në nderim të të vrarëve në Masakrën e Tivarit (1 prill 1945), aty të vendoset një pllakë përkujtimore. Por, reagimi i munguar lë për të kuptuar se ai nuk ka qenë i informuar personalisht apo nga këshilltarët e tij, duke hapur dilema të tjera që kanë të bëjnë me këtë tragjedi të shqiptarëve nga Kosova në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Por, shpresoj se një lëshim i tillë ka mundësi të përmirësohet, sepse deri në vitin tjetër ekziston mundësia të evitohet ky lëshim, sepse te vendi i krimit – tek ish-Monopoli i duhanit në Tivar, duhet të vendoset të paktën pllaka përkujtimore, si dëshmi e simbolit të kujtesës për këtë ngjarje tragjike.

Përfundim
Përkujtimi i ngjarjeve historike, në nivel lokal dhe kombëtar, përkatësisht shtetëror, paraqet moment reflektimi për qytetarët e mjedisit përkatës, ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore. Por, në këtë aspekt përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuara ndaj ngjarjeve të tilla, ku si rast tipik kemi Masakrën e Tivarit (1 prill 1945), e cila edhe tash në pluralizëm është margjinalizuar nga institucionet qeveritare të Shqipërisë dhe të Kosovës, veprim që nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse shënimi apo përkujtimi i ngjarjeve të tilla historike është obligim moral, kombëtar, qytetar e institucional si kudo në vendet demokratike.

Të fundit

më të lexuarat