Program i larmishëm letrar

Ky aktivitet letrar ka karakter edukativ, promovues dhe debatues dhe është konceptuar me idenë e organizimit të tij në qytete të ndryshme shqiptare, ndërsa në të ardhmen pritet që atij t’i bashkëngjiten edhe asociacione që tubojnë krijues shqiptarë nga vende të tjera të rajonit dhe diaspora

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Shqipërisë dhe PEN Qendrën e Kosovës organizuan në Ulqin më 23-25 prill 2025 edicionin e parë të manifestimit letrar “Java e letërsisë shqipe”.
Gjatë tri ditëve, publiku ka pasur mundësi të ndjekë një program të larmishëm, të përbërë nga takimet letrare me shkrimtarët e ftuar, punëtoria me krijuesit e rinj dhe tryeza letrare për letërsinë.
Ky edicion ka nisur me Mbrëmjen letrare “Poetët për Ditën Botërore të Librit”, që është mbajtur në Librarinë “Ulqini”, ku poetët pjesëmarrës nga tre asociacionet letrare (Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Sadik Bejko, Sali Bashota, Ali Gjeçbritaj, Hajredin Kovaçi, Haxhi Shabani, Fiqret Mujeziqi, Argëzon Sulejmani) kanë lexuar vargje nga krijimtaria e tyre, ndërsa nxënësit e shkollës së mesme (Mersiha Bajri, Ernisa Demiri, Leona Lleshi) kanë lexuar poezi të disa prej poetëve të njohur shqiptarë (Ali Podrimja, Fatos Arapi, Basri Çapriqi, Ibrahim Berjashi) në formën e homazhit poetik.
Në pjesën e dytë të kësaj mbrëmjeje është zhvilluar takimi me shkrimtarin Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës, i cili në bashkëbisedim me Dr. Sabina Osmanoviq ka folur për krijimtarinë e tij dhe çështje të ndryshme të letërsisë.
Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka treguar në fjalën e hapjes se ideja për këtë projekt ka lindur në Ulqin.
“Qëllimi i Javës së letërsisë shqipe është promovimi i vlerave më të mira letrare dhe kulturore që krijohen në botën e sotme shqiptare dhe fokusohet në tri çështje kryesore: nevojën e promovimit të vlerave letrare dhe kulturore të shkrimtarëve të këtyre tre asociacioneve letrare në gjithë hapësirën shqiptare, ngritjen e vetëdijes kulturore të gjeneratave të reja si dhe krijimin e një komuniteti të qëndrueshëm që do të kontribuojë për vizionin e vlerave artistike dhe kulturore të Ulqinit, Tiranës dhe Prishtinës”, ka thënë ai.
Duke folur për konceptin e manifestimit, kryetari i “Art Club”-it ka thënë se ky aktivitet letrar ka karakter edukativ, promovues dhe debatues dhe është konceptuar me idenë e organizimit të tij në qytete të ndryshme shqiptare, ndërsa në të ardhmen pritet që atij t’i bashkëngjiten edhe asociacione që tubojnë krijues shqiptarë nga vende të tjera të rajonit dhe diaspora.
Drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmani ka thënë se ky institucion vlerëson çdo nismë apo çdo ngjarje, e cila na sjell librin si temë diskutimi, dhe lokomotiva kryesore e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit, që është edhe misioni ynë.
“Libri dhe letërsia, më shumë se mjetet tjera të informimit dhe edukimit, na lejon të bëhemi bashkautorë. Ne përjetojmë ndjenjat e dikujt tjetër, analizojmë dhe lexojmë përmes rreshtave aty ku vetëm fjala e shkruar depërton në qenien tonë”, ka thënë ajo.
Ndërsa sekretarja për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, Merita Subashiq – Shabanoviq, ka thënë se Komuna e Ulqinit, e cila është donatore e këtij projekti, ofron vazhdimisht mbështetje për projektet që promovojnë traditën dhe kulturën tonë.
“Mënyra më e mirë për të ruajtur trashëgiminë tonë është përmes artit – qoftë në formë të shkruar, të pikturuar, muzikës apo formave të tjera të shprehjes. Këto janë gjurmët që i lëmë pas, dëshmi për mënyrën e jetesës, për identitetin dhe vlerat tona. Pikërisht për këtë arsye, projekte të tilla meritojnë mbështetje të vazhdueshme, sepse luajnë një rol kyç në ruajtjen e traditës sonë”, ka thënë ajo.
Në ditën e dytë (të enjten), në mjediset e shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” është zhvilluar punëtoria me krijues të rinj “Si shkruhen llojet dhe zhanret e letërsisë: poezia, proza, eseja?”, kurse në mbrëmje në Bibliotekën e Qytetit takimi me shkrimtarët Ibrahim Berisha dhe Çerçiz Loloçi, nën udhëheqjen e Ardita Ramës.
Dita e tretë e manifestimit ka filluar me tryezën letrare me temë “Letërsia shqipe në programet dhe tekstet mësimore” (Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri), nën udhëheqjen e Dr. Haxhi Shabanit, që është mbajtur në bibliotekën e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, me pjesëmarrjen e mësimdhënësve të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe mësuesve të ciklit të parë nga disa shkolla të Ulqinit, për të përfunduar me takimin me shkrimtarët Sadik Bejko dhe Sali Bashota, nën udhëheqjen e Vediha Gjonit, në Muzeun Etnografik – Draginë.
Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Ulqinit në konkursin për organizatat joqeveritare, ndërsa partnerë në realizimin e aktiviteteve kanë qenë Libraria “Ulqini”, shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, Biblioteka e Qytetit – Ulqin, shkolla fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, Bashkësia Lokale – Ostros dhe Muzeu Etnografik – Draginë.

i. k.

Mbështetje për talentet e reja në hapat e tyre të parë të krijimtarisë letrare

Në kuadër të programit të larmishëm të këtij manifestimi letrar ishte edhe punëtoria me krijues të rinj “Si shkruhen llojet dhe zhanret e letërsisë: poezia, proza, eseja?”. Kjo punëtori u mbajt me krijuesit e rinj e të talentuar të SHMK “Vëllazërim-Bashkim” në ambientet e shkollës. Aktiviteti u prit mirë nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët shfaqën interes që të bëhen pjesë e aktivitetit edhe duke lexuar krijimet e tyre letrare.
Nga kjo punëtori, në radhë të parë zbuluam talente të reja në fushën e letërsisë, krijimet e të cilëve u vlerësuan nga autorët pjesëmarrës në punëtori.
Ata theksuan që te këta nxënës vihet re në radhë të parë origjinaliteti, si njëri ndër kriteret kryesore për të qenë një shkrimtar i mirë, e gjithashtu edhe diskursi i pasur figurativ në vargjet e tyre e rrjedhshmëria e struktura e bukur prozaike. Këto janë elemente të rëndësishme që tregojnë se këta krijues të rinj premtojnë shumë që nesër të jenë autorë të suksesshëm, nëse punojnë vazhdimisht dhe përpiqen që ta perfeksionojnë dita-ditës krijimtarinë e tyre artistike.
Theksojmë që aktivitete të tilla në qytetin tonë, përveçse janë gjithmonë të mirëseardhura, janë edhe të nevojshme, sepse është e rëndësishme që të mbështeten talentet e reja në hapat e tyre të parë të krijimtarisë letrare.
Me krijimet e tyre letrare u paraqitën: Berina Ismaili, Sara Iljazi, Liriona Mehmeti, Harisa Mehmeti, Leona Lleshi, Maid Ujkashi dhe Valmira Ukaj.

V. Gjoni

Të fundit

më të lexuarat