
(vijon nga numri i kaluar)
Pjetër Perkolaj (1922-2006)
Pjetër Perkolaj (Arhiepiskop Petar Perkolić) – prift, klerik i lartë, lindi në Tivarin e Vjetër. Ishte me origjinë nga Nënmali (Karanikiq) i Shestanit. Pas arsimit fillor dhe të mesëm, ai studioi në Universitetin Urban Papnor në Romë, ku mori thirrjen e masterit të teologjisë.
Fillimisht, ishte këshilltar i argjipeshkvit të Tivarit dhe prift në famullinë e Shestanit (1946-1965), më pas edhe në Cetinë (1965-1979). Ndërkohë, emërohet ndihmës i argjipeshkvit të Tivarit dhe më 1979 shugurohet ipeshkëv në Titograd (Podgorica e sotme). Po në vitin 1979, ai emërohet edhe argjipeshkëv i Tivarit, ku shërbeu deri në vitin 1998. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ai shërbeu si asistent shpirtëror i rendit fetar të murgeshave Klarisat e Varfra (Siromašne Klarise) në Cetinë.
Njëkohësisht, argjipeshkëv Pjetër Perkolaj u mor me studimin e historisë së Argjipeshkvisë së Tivarit dhe publikoi përmbledhjen me vjersha “U sjenci Rumije” (Nën hijen e Rumisë, 2005). “Ndonëse kishte prejardhje etnike shqiptare, ai e deklaroi veten si malazez”. Megjithatë, argjipeshkëv Pjetër Perkolaj ishte një klerik i devotshëm, ikumenist, i respektuar dhe i përkushtuar për mirëkuptim ndërfetar e ndërnjerëzor. Për këtë dëshmon edhe përgjigjja që ai i dha Kishës Ortodokse Serbe (Komuna e Tivarit) në ftesën për të marrë pjesë në shugurimin (uzurpimin serb) e gërmadhave të Kishës së Sh’mrisë së Krajës, më 4 shtator 1989. Në përgjigjen zyrtare të tij, në cilësinë e argjipeshkvit të Tivarit, ai ndër të tjera, shkruan: “Përkundër asaj që deklaroni se manifestimi (4 shator 1989) ka kryekëput karakter fetar, unë mendoj se çështja është politizuar: një çështje fetare është shfrytëzuar (ose mund të shfrytëzohet) për qëllime politike, pra nuk është thjesht fetare, ku do të ishte edhe vendi im,…” Konsideroj, gjykon argjipeshkvi Perkolaj, se gërmadhat e saj “duhet të mbesin vetëm si përmendore e kulturës dhe asgjë tjetër”. Dhe, për rrjedhojë argjipeshkvi Pjetër Perkolaj, as përfqësues të tij nuk morën pjesë në këtë manifestim serbomadh, në krye me mitropolitin famëkeq serb, Amfillohije Radoviq.
Vinçenc Malaj (1928-2000)
Atë Vinçenc (pagëzuar nga prindërit, Pjetër) Malaj – prift, albanolog, historian, folklorist, lindi në Ljare të Krajës. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në Tivar, shkollën e mesme (drejtimin klasik) e kreu në Shkodër, Split dhe Pazin. Studioi për filozofi dhe teologji në Dubrovnik dhe në Universitetin e Zagrebit, ndërsa për letërsi italiane dhe botërore studioi në Universitetin “La Sapienza” të Romës, ku edhe doktoroi në vitin 1973, në tezën “Kuvendi i Arbënit (1703)”.
Atë Vinçenc Malaj ishte meshtar në Kishën e Shën Ndout në Tuz dhe profesor i Historisë së krishtenizmit në Shkollën e Lartë Teologjike në Shkodër. Veç veprës së tij kryesore “Kuvendi i Arbënit (1703)”, botuar në vitin 1998, ai botoi një sërë studimesh të tjera nga fusha e albanologjisë në revista të ndryshme. Mori pjesë në simpoziume shkencore në: Palermo, Romë, Shkodër, Prishtinë, Ulqin etj.
U mor me studimin e ikonografisë së Skënderbeut, me hartimin e bibliografive për Zef Valentinin, Antonio Balldacin (bashkautor) dhe Shtjefën Gjeçovin dhe me mbledhje të foklorit arbëresh, për çka dëshmon vepra e tij në dy vëllime, me titull “Të dhëna albanologjike (foklor, bibliografi, histori)”, botuar në vitin 1999. Pas vdekjes së tij, u botua vëllimi i tregimeve popullore arbëreshe “Tregime popullore të Shën Katarinës Shqiptare”, mbledhur dhe përkthyer italisht nga Vinçenc Malaj.
U mor edhe me art. Në vitin 1999, ai botoi librin me 30 reproduksionet e tij artistike në pikturë dhe skulpturë, me titull “Naturae et artis opus – Pak natyra, pak dora”.
Ishte themelues dhe kryetar nderi i shoqatave kuturore “Don Gjon Buzuku” në Ulqin dhe Tuz. Atë Vinçenc Malaj, ky intelektual poliedrik, kishte një bibliotekë shumë të pasur me botime të moçme dhe me mijëra libra e revista.
Hajrudin S. Muja (1962-)
Hajrudin Muja – studiues, historian, publicist, lindi në Ftjan (Krajë). Arsimin fillor e mori në fshatin e lindjes dhe në Ostros. Kreu edhe shkollën e mesme teknike të Gjeodezisë në Prishtinë. Për shkaqe ekonomike emigroi në SHBA.
Thuhet se studimi i mirëfilltë fillon pas shkollimit të rregullt dhe vijon gjatë gjithë jetës. Këtë e dëshmon edhe Hajrudin Muja, i cili krahas punës së tij të zakonshme, u përqendrua edhe në thellimin e zgjerimin e horizontit të dijes dhe në kërkime shkencore historike, publicistike etj. Ndërkohë, ai botoi edhe veprën e parë “Një zë nga mërgimi”, me të cilën sikur paralajmëronte vistrën e veprave të tjera, si “Ulqini dhe Tivari ndërmjet Krishterimit dhe Islamit” (2009), “Lufta e Kosovës në shtypin amerikan, 28 shkurt 1998 – 10 qershor 1999” (2009), “Në fenë e të parëve” (213), “Kisha e sherrit” (2014), “Kraja (monografi)” (2018), vëllimi i veprave të botuara në vitin 2020: “Një histori e humbur I – Evropa dhe Islami”, “Një histori e humbur II – Qytetërimi”, “Një histori e humbur III – Letërsia” dhe “Një histori e humbur IV – Mbëretëria e vdekjes”. Gjithashtu, ai botoi edhe artikuj të tjerë studimorë.
Shumë prej veprave të tij kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të besimeve fetare, sidomos të atij islam. Ato dëshmojnë për dashurinë e tij për dijen, të vërtetën historike, vendlindjen, kombin e besimin e tij, si dhe për respektin e vlerave e besimeve të popujve të tjerë. Njëkohësisht, studiuesi Hajrudin Muja është kritik ndaj politizimit dhe keqinterpretimit (sipas gjykimit të tij) të historisë dhe besimit fetar. Veprat historike të tij shquhen për përmbajtje të mbështetur në shumë burime të botuara në gjuhën shqipe, angleze, serbe, turke etj., si dhe për metodologji, terminologji e gjuhë standarde. Puna e tij me akribi, pasion e përkushtim është një model për admirim.
Duke iu referuar veprës “Ulqini dhe Tivari ndërmjet Krishterimit dhe Islamit”, ai me modestinë që e karakterizon, i kërkon falje lexuesit paraprakisht, siç shkruan, “nëse gjërat i shoh ndryshe, por edhe për ndonjë gabim të paqëllimshëm; vetëm Zoti është i përkryer”.
Behlul Kanaqi (1978-)
Behlul Kanaqi – klerik i lartë, profesor, lindi në Ostros të Vogël, ku kreu edhe shkollën fillore. Kreu edhe Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare fetare i vazhdoi në Fakultetin Teologjik të Universitetit “19 Maji” në Samsun (Turqi). Doktoroi në shkencat islame, në vitin 2017, në Universitetin Islam Uludag në Bursa të Turqisë. Ai është “doktori i parë i shkencave në Bashkësinë Islame në Mal të Zi”.
Në vitin 2008 filloi të punojë në Meshihatin e Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Ishte drejtori i parë i Medresesë “Mehmed Fatih” në Tuz (2008-2010) dhe profesor i Haditheve në këtë shkollë, pastaj drejtor i revistës fetare “Elif”, ndihmësi i parë i reisit (kryetarit) të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, për marrëdhënie ndërkombëtare (me Turqinë) etj.
Dr. Behlul Kanaqi e vazhdon dhe pasuron traditën fetare të paraardhësve të tij, përkatësisht të gjyshit (Sheh Tahirit) dhe babait (Sheh Qeremit), si dhe traditën e mirë fetare e ndërfetare, jo vetëm në Krajë, por edhe më gjerë. “Njeriu rritet, zhvillohet me vepra të veta” (J. V. Gëte).
(Fund)