Tuz – Në organizimin e Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” u mbajt një orë përkujtimore në nderim të jetës dhe veprimtarisë së Prof. dr. Mark Camaj, i cili ndërroi jetë më 23 prill 2025, në moshën 78-vjeçare.
Në prani të familjarëve, miqve, kolegëve dhe përfaqësuesve të jetës politike dhe publike, në emër të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz, drejtori Sehad Lulanaj theksoi se Prof. dr. Mark Camaj ka lënë gjurmë të pashlyera jo vetëm në këtë shkollë, por edhe më gjerë.
“Marku nuk ishte thjesht një profesor i gjuhës latine. Ai ishte një figurë e rrallë, një dijetar që dinte të frymëzonte, të guxonte dhe të afronte njerëzit përreth tij me përulësi dhe dinjitet. Për shumë prej nesh ai ishte mësues, koleg e mik i vjetër. Për nxënësit, ai ishte dritarja nga e cila shikonin botën përtej të zakonshmes”, u shpreh Lulanaj.
Ai shtoi se Camaj për vite me radhë dha kontribut në shkollën e tyre dhe ishte bashkëpunëtor i palodhur në shumë institucione edukativo-arsimore dhe universitare brenda dhe jashtë vendit.
“Ishte njeri që nuk e ngrinte zërin, por fjalët e tij mbeteshin gjatë”, tha ai.
Lulanaj evokoi edhe disa përvoja nga bisedat e fundit me të ndjerin Mark, duke thënë se ai jo vetëm njihte mirë kulturën tonë, por “e donte me pasion”.
“Ishte i dhënë pas etnologjisë dhe etnokulturës së trevës sonë. I ndjeshëm ndaj rrënjëve, zakoneve dhe trashëgimisë që shpesh ne e harrojmë. Ai i shprehte ato si pasuri kombëtare, si gjurmë që duhet mbrojtur dhe trashëguar”, tha ai më tej.
Ndërkohë, Branisllav Radulloviq, kryetar i Shoqatës së Juristëve të Malit të Zi, njëherësh anëtar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit dhe mik familjar i Mark Camajt, përshkroi personalitetin e tij si njeri shembullor dhe për respekt – mik, profesor dhe diplomat.
“Marku do të mbetet aty ku ka qenë gjithmonë – në zemër dhe në shpirt. Jemi takuar në mesin e viteve ’80 në Institutin e Historisë. Na kanë bashkuar vitet që të tjerët i kanë ndarë. Kemi krijuar miq të përbashkët – shumë nga ata i kemi përcjellë edhe në botën tjetër, u jemi gëzuar anëtarëve të rinj të familjeve tona. Në tetor të këtij viti, në gjirin e familjeve tona ishte dashur të festojmë dyzet vjet të njohjes – të gëzimeve tona, të miqësisë sonë të sinqertë. Në vend të kësaj, Marku tani po shkon në një botë më të mirë, duke i lënë emrin e tij të ndershëm familjes, kurse neve – miqve të tij, kujtime të përhershme dhe amanetin: që në njeri të kërkojmë njeriun”, u shpreh Radulloviq.
Në emër të familjes foli Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Ai theksoi se Prof. dr. Mark Camaj ishte doktori i parë i shkencave në fisin e tyre, një intelektual i dalluar ndër shqiptarët, një vëlla i mirë, bashkëshort e prind i përkushtuar dhe një gjysh i pashoq.
Camaj vlerësoi lart punën e palodhur të profesorit në edukimin e brezave të rinj.
“Për këtë flasin dhjetëra gjenerata që i ka përcjellë, duke filluar nga gjimnazi i Tuzit, në kohën kur unë isha nxënës, më pas në Fakultetin e Mjekësisë, në universitetet e tjera në Podgoricë e Nikshiq, në Universitetin e Prishtinës, në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në Shkodër, e shumë të tjera”.
Ai theksoi se Prof. dr. Mark Camaj veçohej për aftësinë e pashoqe për të përcjellë njohuri, nga gjuha latine dhe historia klasike, si dhe me profesionalizmin gjatë punës në Institutin e Historisë dhe në diplomaci.
“Mungesën e tij do ta ndiejë jo vetëm familja, por të gjithë ata që e kanë njohur”, tha Camaj.
Ai foli edhe për jetën dhe rrugëtimin akademik të profesorit, duke treguar se Marku doli shumë herët nga familja, por gjithnjë e mbajti me vete edukatën patriarkale që e karakterizonte.
“E mbajti dhe me krenari e prezantoi gjithkund ku e çoi rruga e librit dhe e dijes, së cilës i qëndroi besnik gjithë jetën. Besnikëria e tij ndaj librit ishte e pakrahasueshme me gjithë ne të tjerët që merreshim me librin”, tha ai.
Camaj përmendi gjithashtu edhe altruizmin e të ndjerit, duke treguar se orët në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Entin për Invalidët i mbante pa pagesë.
Duke u ndalur te veprimtaria diplomatike e Prof. dr. Mark Camajt si ambasador në Tiranë (2004 -2006), Nikollë Camaj tha se gjatë shërbimit të tij u realizua vizita e parë zyrtare e Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, në Mal të Zi.
“Ai, vërtet si diplomat, shkëlqente dhe promovoi me tërë fuqinë e tij diplomacinë kulturore aq të nevojshme për Ballkanin e zhytur në ngatërresa. Marku, kudo që veproi, la kujtime të bukura dhe gjurmë të pashlyera si një intelektual i lartë, si një shqiptar me vlerë, duke përcjellë me krenari të gjitha tiparet dhe vlerat e vendit prej nga vinte”, u shpreh Camaj.
Prof. dr. Mark Camaj lindi në vitin 1947 në fshatin Vuksanlekaj. Pas përfundimit të shkollës fillore, vijoi shkollën e mesme klasike në Kroaci. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Shkupit, ndërsa ato pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit. Tezën e doktoratës “Onomastika e Malësisë” e mbrojti në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Si profesor i gjuhës latine dhe greqishtes së lashtë, karrierën e nisi në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, në vitin 1974. Gjatë më shumë se katër dekadave në arsim, ai dha mësim në shkolla të ndryshme në Podgoricë, Danillovgrad, Cetinë dhe në Entin për Fëmijë me Nevoja të Posaçme.
Nga viti 1995 ishte profesor në Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Malit të Zi. Ligjëroi gjithashtu në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe në Seminarin Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër.
Ka qenë ambasador i Bashkësisë Shtetërore Serbi dhe Mali i Zi në Tiranë, (2004-2006) duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve arsimore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
U varros më 26 prill 2025, në varrezat familjare në Vuksanlekaj.
t. u.