Jeta, veprimtaria dhe përkushtimi për vendlindje

Gjatë njëzet viteve të fundit të jetës, përveç profesionit të tij si veteriner, Elmaz B. Plava iu përkushtua me vigjilencë dhe pasion mbledhjes së materialeve dhe dokumenteve historike për vendlindjen e vet - Plavën, duke vazhduar një punë të nisur nga i ati Bejtullahu. Ai punoi deri në momentet e fundit të jetës së vet për përpunimin e tyre në formën e një libri.

Shaban Hasangjekaj

Plava, qendër komunale dhe qytet me vendbanime rurale, në rrethinë e banuar me popullatë heterogjene kombëtare, e cila shtrihet në brigjet e liqenit më të madh glacial (të akullnajave) në Ballkan dhe përballë bjeshkës së lartë e të thepisur – Visitorit kreshnik, pos që është e njohur me ngjarje e ndodhi të bujshme dhe të vrullshme historike-kombëtare, është vatër e denjë e shumë personaliteteve të shquara dhe në zë nga veprimtaritë e ndryshme krijuese: kulturore, artistike, shkencore, letrare, muzikore, sportive, ushtarake e fetare, ndër të cilët bën pjesë edhe Elmaz Bejtullah Plava, veprimtar i shumanshëm dhe përkushtues i denjë i vendlindjes së vet.
Lindi në Plavë më 18 maj të vitit 1902 nga i ati Bejtullahu dhe e ëma Zadja. Arsimin fillor e kreu në vendlindje – Plavë, duke e përfunduar në vitin 1911. Në vitin 1917, me familje u shpërngul në Shkodër, ku vazhdoi shkollimin në gjimnazin e qytetit dh përfundoi studimet e mesme.
Në vitin 1928 filloi punën si nënoficer në një repart ushtarak në Tiranë. Një vit më pas, ndoqi një kurs njëvjeçar veterinarie në Durrës dhe pas përfundimit më 1930, u punësua si veteriner në Pogradec. Me të ardhurat e veta mbante familjen në Tiranë – nënën e motrën dhe që nga viti 1931 edhe babanë e kthyer nga Turqia.
Më 20 qershor të vitit 1931, Elmaz Bejtullah Plava u martua me Hamide Ferrin (bijën e Hasan Ferrit), martesë kjo nga e cila lindën katër fëmijë – dy djem dhe dy vajza.
Nga shtatori i vitit 1942 deri në tetor të vitit 1944 shërbeu në Plavë (vendlindje) si sekretar komune, ndërsa në nëntor të vitit 1944 rifilloi punën si veteriner në Shijak, ku jetoi deri në ndarjen nga jeta, më 25 gusht 1965.
Gjatë njëzet viteve të fundit të jetës, përveç profesionit të tij si veteriner, Elmaz B. Plava iu përkushtua me vigjilencë dhe pasion mbledhjes së materialeve dhe dokumenteve historike për vendlindjen e vet – Plavën, duke vazhduar një punë të nisur nga i ati Bejtullahu. Ai punoi deri në momentet e fundit të jetës së vet për përpunimin e tyre në formën e një libri.
Sigurisht, materiali që Elmazi arriti të hulumtojë për historinë e Krahinës së Plavë-Gucisë nuk është i plotë dhe mund të përmbajë pasaktësi apo subjektivizëm në vlerësimin e ngjarjeve dhe figurave historike. Megjithatë, për nga vëllimi dhe vlera e dëshmive të mbledhura nga bashkëkohësit e ngjarjeve, ky material mbetet i pazëvendësueshëm. Përgjithësisht, edhe sot, kur disponohet një dokumentacion më i gjerë, konkluzionet e tij vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës.
Ndërsa mund të diskutohen disa prej koncepteve të autorit apo saktësia e disa datave historike, veprat që bazohen në kujtime dhe hulumtime mbi periudha më të hershme, natyrisht mbartin sfida të tilla. Megjithatë, si një e tërë, vepra e Elmaz B. Plavës me titull “Plava e Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare – kujtime dhe dokumente historike” përfaqëson një arritje të rëndësishme. Pas një përpunimi dhe përshtatjeje të kujdesshme, duke respektuar kriteret për publikimin e materialeve të kësaj natyre, libri i tij në fjalë u botua për herë të parë në vitin 1995 dhe u mirëprit nga lexuesit.
Në mbyllje të këtyre pak fjalëve kushtuar autorit Elmaz Bejtullah Plava dhe veprës së tij “Plava e Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare – kujtime dhe dokumente historike” duhet përshëndetur nisma e z. Muharrem Plava për të nxitur botimin e këtij libri vërtet me peshë dhe vlerë të lartë për shpalosjen, ndriçimin dhe reflektimin e çështjes së identitetit kombëtar shqiptar, shprehet recencenti i librit Prof. Dr. Marenglen Verli, i cili po ashtu falënderon edhe z. S. Ahmeti për disa fotografi të ofruara për pasurimin e ilustrimeve.

Të fundit

më të lexuarat