Ulqin – Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur të shtunën (26 prill 2025), Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka diskutuar lidhur me marrëveshjen ndërshtetërore Mali i Zi – Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për bashkëpunim ekonomik, me fokus në turizëm dhe zhvillim të patundshmërive, që është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 23 prill 2025.
Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e KKSH kanë miratuar disa përfundime, ku theksohet se cilësohet e papranueshme çdo marrëveshje e cila nuk merr parasysh kërkesat dhe qëndrimet e institucioneve vendore, popullatës autoktone, përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve në Kuvendin dhe Qeverinë e Malit të Zi, shoqërisë civile etj.
“Marrëveshjen, siç është prezantuar, e konsiderojmë se mund të cenojë drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve në Malin e Zi, në veçanti të shqiptarëve në Komunën e Ulqinit në disa aspekte (të drejtat ekonomike, sociale, aspektin demografik, trashëgiminë kulturore, mbrojtjen e mjedisit jetësor, të drejtat e pronës private etj.) Çdo investim apo valorizim i burimeve natyrore në vendbanimet ku shqiptarët janë autoktonë në trojet e veta duhet të bëhet në harmoni dhe në dobi, para së gjithash të popullatës vendase”, thuhet në reagimin e KKSH-së.
Po ashtu, KKSH do të kërkojë nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave interpretimin e neneve 29 dhe 30 të Ligjit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, të cilit i është referuar deputeti Ilir Çapuni në kërkesën për ndërprejen e seancës së Kuvendit të Malit të Zi ku është diskutuar për miratimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në fushën e turizmit ndërmjet Malit të Zi dhe EBA-s, e që nuk është marrë parasysh nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi.
Lidhur me këtë çështje, KKSH ka marrë përsipër t’u drejtohet të gjitha institucioneve relevante shtetërore dhe ndërkombëtare, të cilat mbikëqyrin zbatimin e të drejtave të pakicave kombëtare, përfaqësive diplomatike, diasporës shqiptare etj. si dhe të organizojë fushata ndërgjegjësimi të qytetarëve, sidomos të të rinjve shqiptarë, për rrezikun që iu kanoset nga realizimi i megaprojekteve të paralajamëruara nga Qeveria e Malit të Zi si pasojë e zbatimit të marrëveshjes në fjalë.
Nga ky institucion që përfaqëson shqiptarët në Malin e Zi kanë deklaruar se lidhur me këtë çështje do të punojnë për unifikimin e qëndrimeve të faktorit politik shqiptar.
(Kohapress)
Fadil Ulaj, nënkryetar i KKSH-së
Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe njëri prej dy nënkryetarëve të KKSH-së.
Nënkryetar i KKSH-së njëzëri është zgjedhur Fadil Ulaj, këshilltar i Lëvizjes për Gucinë dhe nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Gucisë.
Ulaj është i njohur si aktivist shoqëror dhe politik. Ai ka lindur më 1962 në Vuthaj. Shkollën katërvjeçare e ka kryer në Vuthaj, tetëvjeçaren në Guci, të mesmen në Pejë, kurse studimet e larta për Letërsi dhe gjuhë shqipe në Prishtinë.
Që nga viti 1988 punon profesor i Gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën e mesme ”Beqo Bashiq” në Plavë.
Me angazhime kulturore dhe politike merret që në fillim të viteve ’90. Ka qenë këshilltar në Kuvendin e Komunës së Plavës, ndërsa aktualisht është këshilltar dhe nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Gucisë.