Presidenti i Malit të Zi nuk e dekreton Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes në fushën e turizmit

Podgoricë – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nuk e ka dekretuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa e ka nënshkruar atë që ka të bëjë me bashkëpunimin ekonomik.
Në njoftim, Presidenca e Malit të Zi të martën ka thënë se ky vendim është marrë për shkak të “shumë çështjeve të hapura lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes”.
Ky vendim i Presidentit Millatoviq është në përputhje me qëndrimet e tij të mëparshme, pasi që ai ka vlerësuar se marrëveshja e Qeverisë me Emiratet e Bashkuara Arabe është “e paligjshme”, duke qenë se “pezullon” ligjet e Malit të Zi. Ai ka kërkuar nga Komisioni Evropian një opinion mbi përputhshmërinë e saj me standardet juridike evropiane.
Kuvendi i Malit të Zi i ka miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjet që ratifikojnë Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Debati, gjatë të cilit u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e deputetëve, zgjati mbi 12 orë dhe përfundoi një orë pas mesnatës, të mërkurën, më 23 prill 2025.
Nga 81 deputetë, Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik e mbështetën 50, ndërsa atë për bashkëpunim në turizëm dhe pasuri të paluajtshme e mbështetën 46 deputetë. Dhjetë ishin kundër të dyja marrëveshjeve, ndërsa një pjesë e opozitës e braktisi sallën para votimit.
Marrëveshjet u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq, Demokracia e Re Serbe e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake, ndërsa u kundërshtuan nga deputetët e partive opozitare, përfshirë shumicën e deputetëve shqiptarë. Para votimit për marrëveshjes, deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, partisë më të madhe opozitare, e kanë braktisur sallën e Kuvendit.
Miratimi, me kërkesë të Qeverisë së kryeministrit Milojko Spajiq, ishte i domosdoshëm që marrëveshjet – të cilat Spajiq i nënshkroi më 28 mars me zyrtarët e Emirateve – të hynin në fuqi.
Një pjesë e aktivistëve dhe sektorit joqeveritar konsideron se me miratimin e këtyre marrëveshjeve është “pezulluar” Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.
Në fakt, marrëveshjet ndërmjet shtetesh që u miratuan kanë përparësi ndaj legjislacionit vendas në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje.
Ato nuk parashikojnë respektimin e dispozitave vendore për prokurime publike dhe tenderë, megjithëse Kushtetuta përcakton treg të lirë dhe ndalon shtrembërimin e konkurrencës dhe nxitjen e monopoleve.
Edhe pse në marrëveshje nuk specifikohet vendndodhja e investimeve, Qeveria ka njoftuar më herët se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabbar në Plazhin e Madh të Ulqinit, ndaj të cilave ka kundërshtime të ashpra nga komuniteti lokal, ekologët dhe opozita.
Bëhet fjalë për një qira 99-vjeçare të Plazhit të Madh, që së bashku me hapësirën përreth përfshin rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe banimi, ka bërë të ditur disa herë kryeministri Spajiq.
Pas kthimit nga Presidenti i Malit të Zi, Ligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe pritet të rivotohet në Kuvendin e Malit të Zi.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat