I ndjeri Fran Gjokaj ishte pjesë e redaksisë së Kohës javore që në fillimet e saj në vitin 2002 e deri në fund, duke luajtur një mision të veçantë në afirmimin dhe mbarëvajtjen e së vetmes gazetë në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Frani ishte krijuar si një intelektual dhe profesionist i mirëfilltë në Kosovë, për ta plotësuar bagazhin e madh prej një eksperti në Entin e Teksteve në Beograd gjatë punës së tij si redaktor dhe përkthyes i teksteve mësimore në gjuhën shqipe.
Në Kohën javore Frani vjen me një profil të ndërtuar publik dhe angazhimi i tij si lektor (redaktor gjuhësor) dhe përkthyes bëri që këtë media ta ngrejë në një nivel të veçantë me një kulturë gjuhësore që mungonte në mediat e shkruara në gjuhën shqipe, jo vetëm në Malin e Zi, por edhe më gjerë. Me veprimtarinë e tij Frani krijoi një model për t’u ndjekur, posaçërisht nga gazetarët që punonin në redaksi. Ai e “përditësonte” gjuhën shqipe duke ligjëruar për format e saj dhe duke shkoqitur kokërr më kokërr çdo fjalë që nuk duhet shpërdoruar. Ai gati për çdo ditë analizonte dhe shënjonte sistemin gjuhësor të shqipes, duke e shndërruar punën në redaksi në një provim të gjuhës shqipe për të gjithë stafin. Fran Gjokaj me një fanatizëm të pashoq e mbronte gjuhën e të parëve dhe e vlerësonte si diçka të shenjtë që nuk duhet njollosur me fjalë të huaja. Përkundrazi, gjuhën e vjetër dhe burimore shqipe të shkruar drejt e cilësonte si shembull edukativ që duhet të ndiqet nga mediat në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Më sillen në kujtesë kolonat e shkrimeve të gazetës, ku Frani shënonte me lapsin e kuq gabimet apo paqartësitë dhe varësisht nga përhapja e ngjyrës së kuqe na sinjalizonte për vlerën e atij shkrimi. Ishte ky një proces i gjatë dhe i stërlodhur, por që pa dyshim krijoi identitetin e gazetës. Frani me një përkushtim dhe me një dinamikë të jashtëzakonshme ndërhynte edhe në titullin e artikullit, gjë që e respektonim me një ndjesi të veçantë, pasi e konsideronim si një përcaktues të vlerave dhe zhvillimeve në gazetarinë e shkruar në gjuhën shqipe. Ky besim ishte rrjedhojë e punës profesionale të Franit si redaktor dhe lektor i dhjetëra botimeve në gjuhën shqipe, jo vetëm të autorëve nga Mali i Zi, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria.
Në këtë vazhdë edhe përkthimet e Fran Gjokajt shënuan gjurmë të jashtëzakonshme në kulturën shqiptare në Malin e Zi. Përkthimet e Gjokajt nuk humbnin asgjë në rrafshin gjuhësor, përkundrazi duket se përkthimet e tij u rikrijuan në gjuhën shqipe. I tillë ishte me përkthimin e teksteve letrare, të opinioneve, analizave apo të fejtoneve. Transferimin e një teksti nga një gjuhë në tjetrën Frani e konsideronte sfiduese dhe shpeshherë e cilësonte si një version rishkrimi të përshtatur. Këtë ai e arriti sidomos në përkthimin e librit historik “Kryengritja e Malësisë e vitit 1911” të autorit Gjergj Nikprelaj.
Fran Gjokaj gjatë veprimtarisë së tij disavjeçare në Kohën javore krijoi një staturë publike dhe intelektuale shumë të respektueshme duke u shndërruar në një emblemë të kulturës shqiptare në Malin e Zi. Ai fuqizoi edukatën gjuhësore dhe gazetareske duke zgjuar pasionin e dashurisë për shkrimin dhe letërsinë.
Ali Salaj