Në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe pasion për artin skenik, nxënësit e shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” të Ulqinit, në bashkëpunim me Teatrin “Teuta”, sollën para publikut një nga veprat më të ndjeshme dhe më domethënëse të letërsisë shqipe – “Sikur të isha djalë” – një rrëfim në formë ditari që shpërfaq dramën e brendshme të një vajze shqiptare, që guxon të mendojë, të sfidojë dhe të ëndërrojë përtej kufizimeve shoqërore të kohës së saj.
Nën dritat e skenës, mes heshtjes së ngazëllyer të audiencës dhe zërit të brendshëm të një brezi të ri që kërkon të dëgjohet, kjo vepër u ringjall me një ndjeshmëri të thellë dhe përkushtim të admirueshëm.
Shfaqja u realizua për herë të parë në ambientet e vetë gjimnazit, si pjesë e kremtimit të 60-vjetorit të themelimit të shkollës, dhe më pas (të shtunën mbrëma, 19 prill 2025) u shfaq edhe në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, duke krijuar një jehonë të veçantë artistike dhe emocionale.
Regjisorja Edina Mustafiq Avdiu, përmes një qasjeje të ndjeshme dhe moderne, i dha veprës një dimension të ri – duke ruajtur thelbin e saj, por duke i hapur rrugë zërit të rinisë së sotme.
“Ata nuk luajtën një vepër, ata jetuan një realitet”, shprehet ajo, duke përshkruar përkushtimin e 25 nxënësve aktorë që morën pjesë në shfaqje.
Skenografia dhe kostumografia, nën kujdesin e Jetmira Hoxhës, sollën një estetikë minimaliste, por të ngarkuar me simbolikë. Ajo krijoi një hapësirë intime për përjetimin e brendshëm të Dijes – vajzës që guxon të pyesë “Pse jo unë?”, në një shoqëri që nuk ia lejon të zgjedhë vetë rrugën e jetës.
Në rolin e Dijes shkëlqeu Seida Bajraktari, e cila me një interpretim të brishtë, por të fuqishëm, shpalosi plagën e heshtur të shumë brezave vajzash që janë përballur me kufizime gjinore.
“Ishte si të përjetoja një histori që, ndonëse e shkruar dekada më parë, mund të ishte lehtësisht e sotmja jonë”, tha ajo.
Me një mjeshtëri që tejkaloi moshën e tyre të re, nxënësit u futën në rolet e tyre me një ndjenjë të sinqertë dhe të dhimbshme, duke sjellë në pah plagët sociale të një kohe që, edhe pse historikisht larg, ende lë gjurmë në ndërgjegjen tonë. Skena u kthye në një pasqyrë të shpirtit rinor që kërkon drejtësi, barazi dhe liri. Çdo lëvizje, çdo shikim dhe çdo fjali e shqiptuar me ndjenjë, përçuan mesazhin e fuqishëm të veprës: një thirrje për vetëdije, për guxim dhe për ndryshim.
Publiku reagoi me përzemërsi dhe mirënjohje – duartrokitjet e zgjatura nuk ishin vetëm një vlerësim për talentin dhe përgatitjen e nxënësve, por një përqafim ndaj vetë mesazhit që ata sollën me aq ndjenjë. Mësuesit dhe prindërit, të emocionuar, panë në skenë jo vetëm nxënësit e tyre, por edhe qytetarët e ardhshëm që formësojnë mendimin kritik dhe njerëzoren.
Kjo shfaqje nuk ishte thjesht një aktivitet shkollor, por një dëshmi se arti mbetet një nga format më të fuqishme të edukimit, të ndërgjegjësimit dhe të komunikimit mes brezave. Ishte një rikujtim se zërat e rinj kanë shumë për të thënë – dhe se ne duhet t’i dëgjojmë.
D. Teliqi