26 vjet nga vrasja e të pafajshmëve

Krimi në Husaj nuk është incident. Ai është pjesë e realitetit tonë. Pjesë e përgjegjësisë kolektive. Pjesë e asaj çka jemi apo çka nuk guxojmë të bëhemi. Sot kur qëndrojmë 26 vite më vonë në vendin ku janë fikur (ndërprerë) 21 jetë, nderimi ynë nuk guxon të jetë formalitet. Ai duhet të jetë akt ndërgjegjëshmërie

Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur malazez, Bozhidar Proroçiq, miku dhe bashkëpunëtori im i çmuar dhe i respektuar nga Cetina, veprimtari i denjë dhe i paepur i opusit të gjerë të zhanreve të ndryshme të krijimtarisë letrare, kryesisht në gjuhën malazeze, pa dyshim është duke dhënë kontribut të rëndësishëm me peshë dhe vlerë në prezantimin, afirmimin dhe reflektimin e veprimtarive të ndryshme krijuese të personaliteteve të shquara nga radhët e popujve pakicë në Mal të Zi, në veçanti shqiptarëve dhe boshnjakëve, duke përfëshirë edhe ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike, shkencore, sportive e historike nga trevat ku ata me shekuj jetojnë, punojnë dhe veprojnë.
Para pak ditësh më dërgoi shënimin e shkruar në gjuhën malazeze me titull “Husajt, dëshmojmë se nuk do t’i harrojmë” – 26 vjet nga vrasja e të pafajshmëve (“Kaluđerski Laz, svjedočimo da ne zaboravimo” – 26 godina od ubistva nevinih), duke shprehur dëshirën që atë ta vëzhgoj e përpunoj në gjuhën shqipe dhe për botim t’ia përcjelli të përjavshmes “Koha javore”.
Shënimin e vet në fjalë autori Proroçiq e fillon: “Ekzistojnë ditët kur e vërteta nuk kërkon metaforë. Kur as poezia nuk ndihmon, as ngulitja (fiksimi) nuk shpëton. Ekzistojnë ditët kur si njerëz duhet të shikojmë në sy të së kaluarës”.
Një prej atyre ditëve është 18 prilli. Atë ditë të vitit 1999 te Husajt (Kallugjerski Llaz), në territorin e Malit të Zi janë vrarë 21 persona civilë të kombësisë shqiptare – gra, fëmijë, pleq. Kanë ikur nga tmerri i luftës në Kosovë duke kërkuar strehim, shpëtim, ndoshta shpresë. Në vend të saj kanë hasur në vdekje. Ata kanë qenë njerëz, emrat e të cilëve nuk janë gdhendur në përmendore. Fatet e zeza të tyre i mbajnë në mend raportet e rralla dhe gjuha e ndërgjegjes. Ai ka qenë krim në çdo kuptim juridik, moral dhe njerëzor. Dhe e gjithë ajo duhet të shqiptohet qartë, pa frikë dhe pa llogari.
Mali i Zi, vendi i cili sot synon rrugëtimin evropian, nuk mund të mbartë në vete moralin evropian nëse nuk gjen forcën të thotë: “Krimi ka ndodhur në vendin tonë. Detyra jonë është të mos kthejmë kokën. Të pranojmë. Të mbajmë mend dhe të kërkojmë drejtësinë, jo nga inati, por nga e vërteta. Nuk ka pajtim pa pendim. E ai pendim nuk mund të jetë politik, por njerëzor, personal dhe i përditshëm. Ai nuk vjen nga foltoret, por nga forca e zemrës së pastër dhe ndërgjegjëse, sepse shoqëria e cila harron të pafajshmit, ngec të dallojë të mirën prej së keqes”.
Krimi në Husaj nuk është incident. Ai është pjesë e realitetit tonë. Pjesë e përgjegjësisë kolektive. Pjesë e asaj çka jemi apo çka nuk guxojmë të bëhemi. Sot kur qëndrojmë 26 vite më vonë në vendin ku janë fikur (ndërprerë) 21 jetë, nderimi ynë nuk guxon të jetë formalitet. Ai duhet të jetë akt ndërgjegjëshmërie. Asnjë fëmijë, asnjë grua, asnjë plak nuk guxojnë të vriten pse flasin gjuhë tjetër, mbartin tjetër emër, i takojnë popullit tjetër. Mali i Zi atë duhet t’ia flasë qartë vetes dhe të tjerëve.
“Nuk e shkruaj këtë që të akuzoj, por që të dëshmoj. Si shkrimtar. Si njeri. Si intelektual. Si mik i vërtetë i shqiptarëve dhe i popullit shqiptar. Në emrin tim dhe në emrin e të gjithë atyre të cilët në Mal të Zi besojnë që jeta nuk guxon të varet nga forca politike apo urrejtja nacionale. E di, të gjithë nuk kanë heshtur. Avokati Velija Muriq, me dinjitet, ndër vite kërkon drejtësinë dhe të vërtetën. Shqiptarët Ali Daci e Haxhi Lajçi, bashkë me familjet e viktimave dhe aktivistët e guximshëm qytetarë nuk kanë lejuar që kujtesa të zbehet. Nuk kanë harruar as qytetarët e Rozhajës dhe as të gjithë ata njerëz të ndershëm gjatë tërë Malit të Zi, ata të cilët dinë se e vërteta nuk është barrë, por rrugë e vetëme kah liria.
Sot, më 18 prill 2025, nuk u japim nderim vetëm të vdekurve. U japim premtim të gjallëve se nuk do të heshtim. Se do ta mbajmë mend, flasim, dëshmojmë se ky krim nuk do të mbulohet me pluhurin e harresës vetëm pse dikush ka vendosur se mbi të mos të flitet. Sepse krimi përherë ka emrin dhe mbiemrin e vet. Dihet se kush ka vuajtur. Dihet se kush ka shtënë me armë dhe do të dihet se kush ka pasur guxim të thotë ka qenë. Dhe atë të flasë në emër të ndërgjegjes, në emër të njerëzisë, në emër të ardhmërisë. Sepse drejtësia nuk është çështje e kohës, por e karakterit. Ajo vjen atëherë kur e vërteta lirohet nga frika, ku kujtimi bëhet akt rezistence. Përherë qëndron pranë të virgjërve.
Bota nuk shkatërrohet për shkak të atyre të cilët heshtin. E shpëtimi i një vendi fillon atëherë kur vendos që të mos jetojë në gënjeshtra. Për këtë Mali i Zi nuk guxon t’i harrojë Husajt (Kallugjerski Llazin). Jo për shkak të së kaluarës, por për shkak të dinjitetit personal. Sepse popujt të cilët fshehin krimet e veprave të këqia, humbin shpirtin e çiltër. E ata të cilët i pranojnë, bëhen të denjë për të ardhmen. Dhe derisa qëndrojmë mbi hijet e të pafajshmëve, nuk na duhen shumë fjalë. E mjaftueshme është kjo – një e zhveshur deri tek e vërteta, e pastër si loti dhe e rëndë si betimi Përkujtohemi. Dhe nuk do të heshtim”.
Autori Bozhidar Proroçiq, shënimit të vet në fjalë ia ka kushtuar vjershën në gjuhën malazeze “Povorka bez grobova” (“Kortezhi pa varreza”) dedikuar viktimave në Husaj (Kallugjerski Llaz) në vitin 1999.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat