Një fitore e madhe për Ataturkun dhe Turqinë, por humbje historike në njerëz

Lufta u vlerësua si një fitore e madhe osmane. Në Turqi vlerësohet si një moment përcaktues në historinë e shtetit. Lufta formoi bazën për Luftën Turke të Pavarësisë dhe shpalljen e Republikës së Turqisë tetë vjet më vonë, me Mustafa Kemal Atatürkun, i cili u ngrit si komandanti më i spikatur në Galipoli dhe si themelues dhe kryetar i parë i Turqisë pas perandorake

Dr. Nexhat Avdiu

Lufta e Çanakalasë ose beteja e Galipolit është një nga betejat më të mëdha të zhvilluara gjatë Luftës së Parë Botërore. Kjo luftë filloi më 25 prill 1915 dhe zgjati deri më 9 janar të vitit 1916.
Deri në fillim të shekullit XX u formuan dy aleanca ushtarako-politike: 1. Blloku i Fuqive Qendrore (Pakti trepalësh); dhe 2. Fuqitë e Antantës. Me kohë, marrëdhëniet mes blloqeve u ashpërsuan dhe lufta ka mundur të fillonte edhe para vitit 1914. Turqia si fuqi ushtarake u rendit në krah të Fuqive qendrore (Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë).
Fushata ushtarake e Galipolit, e njohur si Beteja e Çanakalasë, ishte një fushatë e Luftës së Parë Botërore që u zhvillua në gadishullin e Galipolit në Turqi, nga 25 prilli i vitit 1915 deri më 9 janar 1916. Fuqitë e Antantës – Britania, Franca dhe Rusia kishin si qëllim të dobësojnë Perandorinë Osmane, një prej fuqive qendrore, duke marrë nën kontroll ngushticat që siguronin një rrugë furnizimi për në Rusi. Sulmi i aleatëve në kalatë osmane në hyrjen e Dardaneleve në shkurt 1915 dështoi dhe u pasua nga një sulm në gadishullin e Galipolit në prill të vitit 1915 për të kapur kryeqytetin osman – Stambollin, ish-Kostandinopojën. Humbjet ishin të mëdha te të dyja palët. Fuqitë e Antantës u detyruan të tërhiqen me turp në një luftë të pabarabartë.
Ishte një humbje e kushtueshme për aleatët dhe sponsorët, veçanërisht Lordi i Parë i Admiralit (1911-1915), Uinston Çërçill. Fushata u vlerësua si një fitore e madhe osmane. Në Turqi vlerësohet si një moment përcaktues në historinë e shtetit. Lufta formoi bazën për Luftën Turke të Pavarësisë dhe shpalljen e Republikës së Turqisë tetë vjet më vonë, me Mustafa Kemal Atatürkun, i cili u ngrit si komandanti më i spikatur në Galipoli dhe si themelues dhe kryetar i parë i Turqisë pas perandorake.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në betejën e Çanakaalsë dhe fati i tyre
Sipas të dhënave, në luftën e Çanakalasë kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë, pothuajse nga të gjitha viset etnike, si nga: Presheva, Kumanova, Shkupi, Manastiri, Ohri, Peja, Gjakova, Vlora, Elbasani etj. Të dhënat tregojnë se numri i kalonte 25 000 ushtarë vullnetarë.
Por, përse shqiptarët morën pjesë në këtë luftë?
Në vitin 1915, edhe pse ishte shpallur shteti i pavarur shqiptar, nuk ishte vendosur akoma kufiri midis Shqipërisë dhe Perandorisë Osmane, dhe forcat ushtarake të Perandorisë Osmane ishin kudo në katër vilajetet shqiptare, në luftë për të përballur aleancën e krishterë sllave dhe evropiane, e cila nuk bënte dallim mes shqiptarëve, turqve, boshnjakëve myslimanë, hebrenjve dhe të gjithë jokrishterëve. Shumë shqiptarë ishin mobilizuar për të shkuar dhe për ta mbrojtur Turqinë, të cilën ende e konsideronin shtet të tyre, por kishte më shumë të tjerë të cilët ishin dyndur për në Turqi, që në fillim të luftërave ballkanike kur kishte filluar sulmi i ushtrive sllave, ruse, bullgare, serbe, në luftë për ta zhbërë Turqinë dhe gjithçka që konsideronin turke, në radhë të parë duke u mbështetur mbi baza fetare. Gjatë ikjes ishin vrarë dhjetëra mijëra turq, shqiptarë, boshnjakë, hebrenj e të tjerë.
Divizioni i 19-të i Armatës së Turqisë në Betejën e Çanakalasë, komanduar nga Mustafa Kemali, sipas dëshmive të studiuesve dhe historianëve përbëhej kryesisht nga shqiptarët. Një dëshmi të tillë na jep edhe Dr. Ibrahim Krosi në librin “Qemal Ataturku dhe shqiptarët”.
Beteja e përgjakshme e Çanakalasë do të përfundonte më 9 janar 1916, kur anglezët dhe francezët e kuptuan se këtë betejë të madhe kolonialiste nuk mund ta ngadhënjenin dhe me turp dhe humbje të mëdha u tërhoqën nga Çanakalaja dhe ngushtica e Dardaneleve.
Sipas disa statistikave, në Betejën e Çanakalasë morën pjesë mbi 500 000 ushtarë, nga të cilët jetën e humbën mbi 200 mijë. Beteja e Çanakalasë ishte një fitore e madhe për Kemal Ataturkun dhe Turqinë, por një humbje historike në njerëz (shqiptarë) të vrarë.

Kënga e Çanakalasë dhe motivi i saj
Kjo këngë përshkruan fatin e luftëtarëve shqiptarë, të cilët kishin mbetur në ushtrinë turke edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shumica e tyre vazhdonin të mbaheshin nizamë e redifë, disa prej tyre i kishin familjet në Turqi. Shumë prej tyre luftonin si vullnetarë me qëllim për ta ruajtur ekzistencën e shtetit turk, shumë prej tyre me gjithë familjet ishin shpërngulur në Turqi nga represioni që ushtronin popujt sllavë gjatë luftërave ballkanike, që kishin për qëllim ta zhduknin edhe qenien shqiptare, atë turke, por edhe shtetin e sapoformuar shqiptar.
Lufta, që këndohet në këtë këngë, ka të bëjë me betejën e Çanakalasë, e cila u zhvillua në Luftën Parë Botërore gjatë viteve 1915-1916, në mes forcave detare angleze të përkrahura edhe nga anijet franceze me gjithë ushtrinë dhe makinerinë luftarake të fuqive aleate të Antantës, të cilëve me potencial njerëzor u arritën ndihma me vullnetarë edhe nga vende shumë të largëta si Australia dhe Zelanda e Re.
Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit.
Rezistenca dhe rënia heroike e shqiptarëve në Çanakala është edhe motivi i kësaj kënge homerike, e cila përshkruan detaje të tmerrshme të një lufte shumë të pabarabartë, por një lufte për jetë a vdekje, sikur kanë luftuar shqiptarët gjithnjë gjatë historisë së tyre.

Të fundit

më të lexuarat