Frymëzoi miliona njerëz me përulësinë dhe dashurinë e pastër për më të varfrit

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar. I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur më 21 prill në moshën 88-vjeçare.
“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.
“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.
Ai vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani më vonë.

Nderime nga e gjithë bota për Papën e ndjerë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe populli i saj u bashkohen miliona njerëzve në mbarë botën për të shprehur pikëllimin për vdekjen e Papa Françeskut.
“Trashëgimia e tij do jetojë në jetët e panumërta që preku ai. Ne qëndrojmë së bashku me të gjithë ata që e çojnë përpara mesazhin e tij për shpresë, paqe dhe dinjitet njerëzor”, shkroi Osmani në X.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut është arsye për trishtim të madh, për shkak se iku ”një njeri i madh”.
“Pata privilegjin t’i shijoja miqësinë e tij, këshillat e tij, mësimet e tij, të cilat nuk pushuan as gjatë kohërave të vështira dhe vuajtjeve”, ka thënë Meloni në një deklaratë.
“I themi lamtumirë Atit të Shenjtë me një zemër plot trishtim”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se “bota po vajton ndarjen nga jeta të Papa Françeskut”, duke shtuar se “ai frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të pastër për më të varfrit”.
Komenteve të saj u bëri jehonë presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili tha se Papa ishte ”një njeri i përulësisë, që mbante anën e më të pambrojturve dhe më të brishtëve”.
Kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, tha se Françesku do të kujtohet për “angazhimin e tij të palodhur për më të dobëtit në shoqëri”.
Ndërkohë, nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili u takua me Papën më 20 prill, tha se zemra e tij “bashkëndien me miliona të krishterë në mbarë botën, të cilët e donin atë”.
“Jam i lumtur që e takova atë dje, megjithëse ai ishte shumë i sëmurë”, shtoi ai.
Ndërkohë, Patriarkana e Moskës tha se Papa Françesku ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin aktiv të kontakteve mes Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Katolike Romake, raportoi agjencia e lajmeve TASS.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane gjithashtu shprehu pikëllimin për lajmin e vdekjes së tij, dhe shprehu “ngushëllime për të gjithë të krishterët në mbarë botën”.

Një Papë i fokusuar në drejtësinë sociale
Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan, dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.
Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.
Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.
Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.
I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.
Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.
Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.
Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.
Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.
Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.
Më 2025, ai publikoi autobiografinë “Shpresa”, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.
Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.
Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.
Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.
Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.
Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.
Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital. (REL)

Të fundit

më të lexuarat