Një rrugëtim me hapa të vegjël drejt gjurmëve të mëdha

Shoqata “Ora”, për 20 vite me radhë, ka dëshmuar se kur puna bëhet me pasion, përkushtim dhe besim në mision, atëherë gjurmët mbeten të thella – jo vetëm në kujtesën kolektive, por edhe në shpirtin e një komuniteti

Ulqin – Në ambientet e Hotelit “Mediteran” në Ulqin, mbrëmjen e 11 prillit u mbajt ceremonia solemne për të shënuar 20-vjetorin e Shoqatës “Ora”, një ndër organizatat më aktive në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të trevës së Anës së Malit.
Ky përvjetor u shënua me një program të pasur artistik dhe kulturor, në prani të personaliteteve të shumta nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe më gjerë – diplomatë, përfaqësues të institucioneve, akademikë, aktivistë dhe qytetarë që ndër vite janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët.
Ceremonia nisi me performancë koreografike “Baresha”, e interpretuar nga nxënësit Dorina Çoba dhe Adis Demiri, e cila krijoi një hyrje emocionale në atmosferën festive të mbrëmjes. Pas kësaj, publiku pati mundësinë të ndjekë dokumentarin “Me hapa të vegjël drejt gjurmëve të mëdha”, një krijim artistik që përmbledh 20 vite punë të Shoqatës “Ora”. Dokumentari është realizuar nga regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu, me skenografi dhe kostumografi të Jetmira Hoxhës, interpretim të Seida Bajraktarit, dhe filmim dhe montazh nga Amell Cenaj.
“Të përmbledhësh 20 vjet punë në vetëm 20 minuta, mund ta merrni me mend sa e vështirë është! Prandaj, ju lumtë Edina, Jetmira, Amell, Seida dhe të gjithë kontribuesit për këtë dokumentar që do të mbetet dëshmi vizuale e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm”, u shpreh udhëheqësi i programit Islam Hoti.
Ndërsa vetë regjisorja e dokumentarit, Edina Mustafiq – Avdiu, ndau për “Koha javore” disa nga përjetimet dhe sfidat gjatë realizimit të dokumentarit.
Ajo theksoi se puna shumëvjeçare dhe arkivi i pasur i Shoqatës “Ora” e kishin bërë më të lehtë procesin e krijimit të këtij projekti audiovizual.
“Shoqata ‘Ora’ ka qenë një prej atyre organizatave që e ka kuptuar vlerën e dokumentimit qysh në fillimet e saj. Çdo aktivitet, çdo nismë, çdo bashkëpunim është ruajtur me përpikëri në arkivin e tyre, qoftë përmes fotografive, filmimeve apo shënimeve. Kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë si regjisore për të krijuar një narrativë të saktë, autentike dhe të ndjerë”, u shpreh Mustafiq-Avdiu.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se shumë shpejt publiku do të ketë mundësinë të ndjekë edhe një version të zgjeruar të dokumentarit, i cili do të përfshijë më shumë materiale arkivore, dëshmi personale, intervista me anëtarët dhe bashkëpunëtorët e Shoqatës, si dhe pamje nga pas skenës që reflektojnë shpirtin kolektiv të kësaj organizate.
“Versioni që pamë sonte është një përmbledhje simbolike, por ne tashmë jemi në proces për të sjellë një version më të gjatë, që do të japë një pasqyrë më të plotë të këtij rrugëtimi 20-vjeçar – sepse historia e ‘Ora’-s nuk është vetëm histori aktivitetesh, por është histori njerëzish që kanë dhënë shumë pa kërkuar asgjë”, tha më tej regjisorja, duke falënderuar ekipin e saj dhe gjithë bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin e dokumentarit.
Ky dokumentar jo vetëm që shërben si dëshmi vizuale e kontributit të Shoqatës “Ora” në ruajtjen e identitetit kulturor të Anës së Malit, por edhe si një burim frymëzimi për brezat e rinj që duan të punojnë për komunitetin dhe trashëgiminë.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi se kjo festë nuk është vetëm e anëtarëve të Shoqatës, por e të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin e saj.
“Kemi dashur që këtë festë tonën ta ndajmë me ju – me ju që na keni përkrahur në vazhdimësi, me ju që jeni bërë zëri dhe forca jonë”, u shpreh ajo, duke falënderuar të gjithë të pranishmit.
Kurti theksoi më tej se rruga 20-vjeçare e Shoqatës “Ora” nuk ka qenë e lehtë, por e mbushur me sfida dhe sakrifica. Megjithatë, ajo vuri në pah se përkushtimi i pandërprerë dhe besimi në misionin e tyre kanë bërë që kjo shoqatë të lërë gjurmë të dukshme në jetën kulturore e shoqërore të trevës së Anës së Malit.
“Ashtu siç thuhet edhe në dokumentar, jemi përpjekur, dhe besoj ia kemi arritur, që me hapa të vegjël të bëjmë gjëra të mëdha – në dobi të shoqërisë dhe komunitetit”, tha Kurti.
Shoqata “Ora”, që nga fillimet e saj, ka qenë e angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të zonës, duke mos u shmangur asnjëherë nga misioni i saj. Sipas Kurtit, kjo punë ka qenë jo vetëm një kontribut për të ruajtur të kaluarën, por edhe për të ndërtuar një histori të re për brezat që vijnë.
“Duke mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë – të kaluarën, historinë tonë – kemi ndërtuar një histori të vogël, duke u bërë edhe vetë pjesë e saj”, theksoi ajo me emocion.
Një ndër arritjet më të mëdha të Shoqatës është manifestimi tradicional “Pranvera në Anë të Malit”, i cili tashmë është shndërruar në një simbol të identitetit kulturor dhe social të trevës. Ky manifestim lidh natyrshëm qytetet e Ulqinit dhe Shkodrës dhe përçon mesazhin e unitetit dhe pasurisë së përbashkët kulturore.
“Nuk është vetëm manifestimi ‘Pranvera në Anë të Malit’, por janë gjithë ato aktivitete, një pjesë e të cilëve mund t’i shihni në fotoekspozitën retrospektive dhe në filmin dokumentar”, shtoi Kurti.
Në këtë përvjetor u përkujtuan edhe ata që nuk janë më mes nesh, por që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shoqatës “Ora”. Me një ton të ndjerë, Kurti përmendi ish-kryetarin e Shoqatës dhe njëkohësisht bashkëshortin e saj të ndjerë, Dritan Kurti, duke theksuar se vepra e tij do të mbetet gjithmonë gjallë në zemrat e komunitetit.
Ajo e mbylli fjalin e saj me një zotim për të ardhmen.
“Shoqata ‘Ora’ do të vazhdojë të jetë promotore e vlerave më të mira, duke qenë ambasadore e mbrojtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore të trevës së Anës së Malit në Komunën e Ulqinit dhe më gjerë”, është shprehur ajo.
Të pranishmit patën mundësinë të vizitojnë edhe një ekspozitë retrospektive, me fotografi të përzgjedhura nga aktivitetet kryesore të Shoqatës “Ora” ndër vite, e përgatitur nën koordinimin e anëtarit të kësaj shoqate, Fadil Kovaçi.
Në vijim të programit, publiku shijoi disa pika të muzikës klasike shqiptare, në interpretim të emrave të njohur të muzikës, si prof. Lorenc Radovanit dhe kuartetit të tij, tenorit Laorjan Ejlli, sopranove Blerta Cina dhe Egzona Salaj, koncert maestrit dhe pianistit Gjon Shllaku, me drejtues artistik prof. Dritan Mlikën. Repertori i tyre përfshinte vepra nga Prenkë Jakova dhe Ramadan Sokoli, ku interpretimet emocionuan të pranishmit dhe sollën një atmosferë solemne dhe artistikisht të pasur.
Shoqata “Ora”, për 20 vite me radhë, ka dëshmuar se kur puna bëhet me pasion, përkushtim dhe besim në mision, atëherë gjurmët mbeten të thella – jo vetëm në kujtesën kolektive, por edhe në shpirtin e një komuniteti.
Ceremonia u përmbyll me një koktej, ku të ftuarit patën mundësinë të shoqërohen dhe të ndajnë përshtypjet mbi këtë aktivitet të veçantë.
Ditën e dytë të aktivitetit, të shtunën (12 prill 2025), në sallën e konferencave të Hotelit “Mediteran” është mbajtur sesioni shkencor “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”.
Ky aktivitet dyditor festiv dhe shkencor u konceptua si një homazh i merituar për punën, përkushtimin dhe misionin e Shoqatës “Ora” – një organizatë që ka ditur të ruajë me krenari dhe të përcjellë me pasion vlerat kulturore e historike të një prej trevave më të veçanta shqiptare.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat