Ndriçim i aspekteve të ndryshme të zhvillimit historik e shoqëror

Sesioni shkencor kishte për qëllim që përmes një analize shkencore shumëdimensionale të vështrohen, studiohen dhe analizohen proceset, dukuritë dhe problemet që lidhen me fusha të ndryshme, si: arkeologjia, historia, gjeografia, demografia, arkitektura, gjuhësia, kultura, trashëgimia, turizmi etj.

Ulqin – Shoqata “Ora” ka organizuar të shtunën (12 prill 2025) në sallën e konferencave të Hotelit “Mediteran” sesionin shkencor “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”, ku kanë marrë pjesë me kumtesa 22 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Italia.
Në fjalën e hapjes, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, ka thënë se që prej themelimit të kësaj shoqate në vitin 2005, krahas mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë historike, gjuhësore, kulturore etj., krijimit dhe kultivimit të vlerave autoktone, qëllimi i tyre ka qenë edhe studimi në rrafshin shkencor dhe ndriçimi i aspekteve të ndryshme të Anës së Malit.
Duke folur për sesionin shkencor, ajo ka thënë se qëllimi i tij është të ndriçojë aspekte të ndryshme të zhvillimit historik, shoqëror, kulturor etj. të Anës së Malit.
“Në këtë mënyrë, përmes një analize shkencore shumëdimensionale synohet të vështrohen, studiohen dhe analizohen proceset, dukuritë dhe problemet që lidhen me fusha të ndryshme, si: arkeologjia, historia, gjeografia, demografia, arkitektura, gjuhësia, kultura, trashëgimia, turizmi etj. Unë mendoj se në këtë mënyrë i bëjmë shërbimin më të mirë Anës së Malit dhe popullit të saj, duke pasuruar studimet për të”, është shprehur ajo.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka lavdëruar punën e Shoqatës “Ora”.
Ai ka thënë se kjo shoqatë ka dëshmuar gjatë këtyre dy dekadave të ekzistencës së saj përkushtimin dhe punën e palodhur në promovimin e vlerave të kulturës, të traditës, mbrojtjes së identitetit, të gjuhës, promovimit të artit, kësaj radhe të shkencës, duke bërë një hap që secili intelektual, secila shoqatë duhet ta bëjë për vendin e vet.
“Sesioni shkencor do të jetë një kontribut i vazhdueshëm për zbardhjen e historisë sonë, shfaqjen e vlerave tona kulturore, për tregimin e problemeve dhe nevojave tona si një udhërrëfyes për të ardhmen”, ka thënë ai, ndër të tjera, në fjalën përshëndetëse.
Njëri prej pjesëmarrësve të sesionit shkencor, Prof. Dr. Gëzim Hoxha, akademik i asocuar dhe kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka vlerësuar organizimin dhe realizimin e sesionit shkencor, duke thënë se ai është kryer me cilësi dhe disiplinë të lavdërueshme shkencore dhe se shënon një ngjarje me rëndësi për krahinën e Anës së Malit.
“Shpreh kënaqësinë e veçantë që në këtë aktivitet kontribuan edhe disa studiues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, çka përben tanimë një traditë shumë të mirë bashkëpunimesh, të krijuar prej shumë vitesh”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sipas anëtarit të Këshillit organizues dhe njërit prej studiuesve pjesëmarrës në sesionin shkencor, Dr. Nexhat Avdiu, “studiuesit me punimet e tyre trajtuan tema me një rëndësi dhe qasje shkencore duke trajtuar për herë të parë çështje me vlera të rëndësishme për të kaluarën e Anës së Malit si një trevë me një vazhdimësi dhe trashëgimi të lashtë ilire. Gjithashtu studiuesit trajtuan edhe problemet aktuale të kësaj treve, me theks të veçantë te problemet socio-ekonomike, si: rënia e numrit të banorëve, braktisja e vendbanimeve si dhe për perspektivën e zhvillimit të Anës së Malit”.
Njëri prej përfundimeve të sesionit shkencor është se ai nxori në pah disa mungesa, të cilat konsistojnë në mungesën e studimeve më të thelluara mbi zonën e Anës së Malit në mënyrë të përveçme, si kërkimet arkivore për të shkuarën historike ashtu edhe të studimeve mbi dinamikat shoqërore, kulturore, demografike që e karakterizojnë sot këtë zonë.
“Në këtë drejtim, këtu del në pah nevoja e vazhdimit të konferencave, projekteve kërkimore e studimeve për këtë hapësirë si dhe koordinimin e institucioneve lokale e kombëtare për vazhdimin e aktiviteteve të këtij lloji”, thuhet në përfundimet e sesionit shkencor.
Organizatori i sesionit shkencor ka bërë të ditur se kumtesat e paraqitura do të botohen në një përmbledhje të posaçme, duke thelluar në këtë mënyrë dijet për trevën e Anës së Malit, si pjesë e pandarë e hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Sesioni shkencor “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot” është organizuar në kuadër të aktivititeve për shënimin e 20-vjetorit të Shoqatës “Ora”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat