
Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, pa treguar as më të voglën tolerancë”. (AQU, dosja 45, viti 1944)
Në muajin nëntor 1944 u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve.
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhëtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…” (AQSH, f. 181, v. 1944)
Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha, dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviq. (Arkivi i Luftës Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, nr. rendor 9-4, k. 1411)
Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII Kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i Masakrës së Tivarit.
Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇJ-së, J. B. Tito, pushteti ushtarak. (Arkivi i LNÇ-së, nr.14-4, k.1411) Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, triumfin dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga Ushtria Jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të UNÇSH-së, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të Ushtrisë Shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave.
Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar, më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të UNÇSH-së për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek Ushtria Jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, dërguar Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e divizioneve V dhe VI tek Ushtria Jugosllave. Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga Ushtria Jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, f. 14, d. 206, v.1945)
Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin tek Ushtria Jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”. (AQSH, f. 206, v. 1945)
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës përfundonin si robër lufte, me të cilët komanda e Ushtrisë Jugosllave mbushte kolonat ushtarake, që i dërgonte në Srem apo në Tivar. Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës së 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, gjë që tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13 323 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e Ushtrisë Jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi.
“Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare” – konstatonte Zekeria Cana. (Zekeria Cana, Bujku, 20.10.1996)
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e Ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën”. (Arkivi i LNÇJ, k. 1411, nr. rend. 41-2/5, 8.04.1945)
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
(vijon)