Koha javore: Z. Llunji, sa herë që vjen 15 prilli, na përkujton tërmetin katastrofik të vitit 1979. Duke parë intensitetin e ndërtimeve në Ulqin, të krijohet përshtypja sikur i kemi harruar pasojat e këtij tërmeti?!
M. Llunji: Mendoj që harresa është enkas e instaluar në ADN-në e njeriut si një alet mbrojtës për të përballuar më lehtë sfidat e ekzistencës. Andaj edhe tërmetet e kaluara mbesin vetëm një kujtesë e zbehtë, kryesisht te bashkohësit e ngjarjes, ndërsa te gjeneratat e reja ajo është vetëm një instant-informatë, më tepër në rrjetet sociale, e cila nuk sjell ndonjë brengosje. Këtë e shohim më së miri sot, ku lajmet mbi tërmetet e fuqishme zëvendësohen brenda orëve me lajme më të freskëta. Si shembull më plastik është tërmeti i Kahramanmarshit në Turqi. Kanë kaluar dy vite nga ky tërmet shkatërrues dhe askujt më nuk i intereson se çka u bë me qindra mijëra njerëz pa kulm mbi kokë, apo me familjarët e tyre të humbur. Nuk e gjen edhe një lajm mbi historitë e atyre njerëzve as në mediat më të fuqishme botërore. Ai është thjesht një lajm i vjetër!
Tani, nëse kthehemi në terrenin lokal, dhe kur tërë kjo kombinohet edhe me euforinë ndërtimore që ka kapluar tërë rajonin tonë, tërmeti bëhet një tematikë e cila mund të bjerë ndesh me frymën e kohës, ku çdo milimetër e tokës së lirë për ndërtim bëhet fokus i interesimit (lexo: ndërtimit), pavarësisht a është toka e përshtatshme për ndërtim apo jo.
Koha javore: Përkundër përparimit të mënyrës dhe teknologjisë së ndërtimit, sa janë të sigurta ndërtimet e sotme në Ulqin dhe në përgjithësi në Mal të Zi ndaj rrezikut sizmik? Sa zbatohen masat parandaluese kundër efekteve sizmologjike?
M. Llunji: Lidhur me këtë pyetje, çdoherë e përsëris të njëjtin fakt, e ai është: përkundër rritjes evidente të cilësisë së ndërtimit, është stër-rritur numri i objekteve të reja dhe rrjedhimisht është shumëfishuar numri i mundësive për gabime dhe lëshime. Shembullin më të mirë, që e vërteton këtë, e kemi në zonën e Fushës së Ulqinit, ku shumë objekte të reja vendosen pa kurrfarë trajtimi paraprak të truallit, i cili në fakt dikur ishte truall pjellor, dhe atë me parametra shumë të dobët për ndërtim. Pra, nuk kemi hapje të gropës së themelit për të kërkuar shtresat e ngjeshura, por thjesht vendosje të objektit shumëkatësh direkt mbi tokë pjellore, e cila pastaj me kalimin e viteve do të vazhdojë të ulet.
Në anën tjetër, kuptohet, ka edhe objekte shumë cilësore. Kjo në një pjesë jo të vogël vjen edhe si rrjedhojë e futjes së normave të reja (pra, zëvendësimi i normave projektuese nga koha e ish-Jugosllavisë me norma evropiane të projektimit), çka ka kushtëzuar rritjen e kërkesave projektuese dhe rrjedhimisht si rezultat kemi edhe objekte më rezistente nga aspekti sizmik.
Koha javore: Sa janë të specializuar projektuesit dhe ndërtuesit në aspektin e inxhinierisë sizmike? A janë ndërgjegjësuar për rrezikun sizmik?
M. Llunji: Projektimi sizmik ka qenë çdoherë pjesa më ekzotike në studimet e inxhinierisë së ndërtimit dhe është trajtuar si diçka e veçantë. Për shkak të kompleksitetit të kësaj lëmie, nuk ka ngjallur shumë interesim në mesin e inxhinierëve, çka ka rezultuar me atë që vetëm një numër i kufizuar i inxhinierëve e zotëron si duhet këtë lëmi, fenomen që nuk është vetëm te ne.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse i jam futur shkrimit të librave lidhur me projektimin sizmik. Qëllimi ka qenë që këtë lëmi “joatraktive” t’ua ofroj kolegëve me një gjuhë më të kapshme, më të qartë dhe më praktike. Nëse i referohemi kërkesës për këta libra, të cilët janë në tri gjuhë, mendoj që në një masë jo të vogël edhe ia kam arritur.
Tani, a janë ndërtuesit e ndërgjegjësuar, është vështirë të thuhet! Në shumicën e rasteve nuk janë, pasi sot për shkak të kërkës së lartë, kryesisht për objekte të banimit, me ndërtim po merret çdokush, çka krijon një lloj paradoksi. Sot kemi raste kur një bukëpjekës brenda natës është bërë ndërtues, por asnjëherë një ndërtues i vërtetë s’ka mundur të bëhet brenda nate bukëpjekës! Pra, zanati kërkon aftësimin dhe kohën e duhur. Kjo eufori e grabitjes së çdo parcele ndërtuese e ka banalizuar sektorin e ndërtimit dhe e ka bërë shoferin, ekonomistin, bile edhe mjekun të bëhet ndërtues. Kuptohet që gjithmonë ekziston një pjesë e cila e ka në vend të parë cilësinë, dhe ajo pjesë është sigurisht e vetëdijshme lidhur me rreziqet e tërmetit dhe konform asaj edhe ndërton.
Koha javore: Sa e kryejnë organet mbikëqyrëse ligjzbatuese detyrën e vet në këtë aspekt?
M. Llunji: Mbikëqyrja te ne me vite është pika më e dobët e garancisë së cilësisë, pasi shumë shpesh mbikëqyrjen e kemi pasur vetëm në letër (apo vetëm të shënuar në tabelat para objektit që ndërtohet) dhe inspektimet në objekt zakonisht janë të rralla. Kjo ka ardhur si pasojë e ligjit të kaluar, i cili e monopolizoi mbikëqyrjen dhe revidimin, duke e deleguar atë tek një numër i vogël i kompanive, të cilat realisht nuk kishin staf për t’i përcjellur të gjitha objektet që ndërtoheshin njëkohësisht në Mal të Zi. Kjo e futi praktikën që mbikëqyrësi të paraqitej në objekt, në rastin më të mirë një herë në javë, dhe më shpesh, një herë në muaj. Në disa raste edhe asnjë herë.
Ligji i ri i ndërtimit, që sapo është aprovuar, do të japë pak më tepër hapësirë për të rritur cilësinë në këtë drejtim, por siç e dimë nuk ka të bëjë aq me ligjin, por me aplikimin e tij dhe përvoja në këto dekadat e fundit e ka vërtetuar që gjithmonë në Mal të Zi është çaluar në këtë drejtim.
Bisedoi: I. Kallaba