Ngjarja që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare

Prof. Dr. Muhamet Mala, historian dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në kumtesën “Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Pavarësia e Shqipërisë” tha se Kryengritja e Malësisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, por edhe të Ballkanit. “Është një ngjarje që lajmëronte fillimin e një epoke të re të çlirimit përfundimtar nga pushtimi osman dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar”, tha ai

Tuz – Data më e rëndësishme në historinë e Malësisë, ajo e 6 prillit 1911 – Kryengritjes së Malësisë – u përkujtua edhe këtë vit në Tuz, me një aktivitet kulturor, historik dhe argëtues, i cili u mbajt më 6 prill 2025 në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”.
Në fillim u bë intonimi i himnit kombëtar në prani të publikut, përfaqësuesve të pushtetit vendor, përfaqësuesve diplomatikë në vend etj.
Në fjalën e rastit, nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, duke folur për historikun e kësaj date të rëndësishme, tha se kryengritja nuk ishte thjesht krahinore, por një thirrje kombëtare për çlirim dhe një zgjim të ndërgjegjes kombëtare.
”Një manifestim i guximit, krenarisë dhe sakrificës. Dedë Gjo Luli dhe bashkëluftëtarët e tij nuk ishin thjesht luftëtarë; ata ishin bartës të shpresës shqiptare, ishin zëri i Malësisë, por edhe zëri i shqiptarisë”, tha ai.
Sipas tij, nëse vërtet duam ta nderojmë Dedë Gjo Lulin, dëshmorët dhe luftëtarët e Malësisë, atëherë “duhet të punojmë çdo ditë për mirëqenie, për arsimim, për kulturë, për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar”.
Prof. Dr. Muhamet Mala, historian dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në kumtesën “Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe pavarësia e Shqipërisë” tha se Kryengritja e Malësisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, por edhe të Ballkanit.
“Është një ngjarje që lajmëronte fillimin e një epoke të re të çlirimit përfundimtar nga pushtimi osman dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar”, tha ai.
Për të, prezantimi i kësaj epoke është një moment i jashtëzakonshëm dhe nder i veçantë për ne si pjesëmarrës, por njëherësh është edhe një akt që tregon përkushtimin tonë për ta përshkruar se sa e vështirë dhe e mundimshme ishte rruga për të arritur këtu ku jemi sot.
Historiani Mala theksoi, ndër të tjera, se përkujtimi dhe shënimi i ngjarjeve të tilla duhet të jenë në shërbim të një shtytjeje të madhe, jo vetëm profesionale, por edhe shpirtërore dhe më gjerë.
“Që të mos e harrojmë historinë, që ajo të mos na përsëritet në forma tragjike të së kaluarës sonë, kur një pushtues zëvendësohej me një pushtim tjetër”, u shpreh ai.
Vlerat studiuese që përfaqëson historia jonë, tha ai, si Kryengritja e Malësisë së Madhe, patjetër që shprehin aspektin e identitetit të Shqipërisë, por edhe të Kosovës si shtet i ri që po zhvillohet dhe avancon.
“Njëherësh, ato shprehin edhe kontributin e të gjithë shqiptarëve në trevat autoktone, të cilët punuan që sot ne, si popull i lashtë, të jemi më të faktorizuar dhe më me peshë në historinë e Ballkanit”, u shpreh Mala.
Ai theksoi se Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte prova e fundit e teatrit tragjik të Ballkanit që dëshmon se qëndrimi i mëtejmë me Perandorinë, për çfarëdo arsyetimi qoftë, duhej të ishte i rrezikshëm dhe i pamundur për ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe për Shqipërinë si shtet.
“Malësia e Madhe e theu iluzionin përfundimisht dhe i dha shkas lëvizjeve të tjera kryengritëse në viset shqiptare, duke u përgatitur politikisht, shpirtërisht dhe ushtarakisht për procesin e pashmangshëm të pavarësisë”, u shpreh Mala.
Ai theksoi se etërit e Pavarësisë, por edhe figurat e tjera që do të vijnë më vonë, e patën të regjistruar në memorien e tyre historike Kryengritjen e Malësisë dhe flamurin lajmëtar të Pavarësisë në Malin e Deçiqit të Bratilës, që do të valojë sërish në Vlorën e vitit 1912.
Ndërkaq, për pjesën artistike të kësaj mbrëmjeje u përkujdesën Ansambli Folklorik Autokton “Rugova”, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dedë Gjon Luli”, Shoqëria Kulturore-Artistike “Koha”, si dhe këngëtarët nga Maqedonia e Veriut, Besiana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj.
Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Tuzit.
Data 6 prill e 114 vjetëve më parë (1911) konsiderohet si një akt kyç, i cili i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një vit më vonë – më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat