Neoshqiptarizmi, sfida e kohës sonë

Autori tha se moderniteti me paranë ka bërë dëme më të mëdha në shpërbërjen e identitetit kombëtar sesa që luftërat kanë shkaktuar ndonjëherë, duke marrë si shembull kryesor kombin shqiptar për të cilin edhe e shtjellon konceptin e etnicitetit dhe ruajtjes së vlerave identitare, sepse trysnia kryesore sot është integriteti kombëtar

Të premten mbrëma, më 4 prill 2025, në hapësirat e Librarisë “Ulqini” u mbajt promovimi i librit “Neoshqiptarizmi” i autorit Arian Galdini, libër ky i cili sipas autorit thekson se neoshqiptarizmi është sfida e kohës sonë dhe bën thirrje që të bashkohemi pa fjalë boshe dhe të ndërtojmë një shqiptari të mbështetur në moral, virtyt dhe dashuri të sinqertë për atdheun.
Bashkëbisedues i kësaj mbrëmjeje ishte Anton Lulgjuraj, i cili e hapi takimin duke u thelluar në tematikat që trajton libri dhe duke sjellë perspektiva të reja që na nxisin të njohim edhe më mirë identitetin tonë kombëtar dhe të thellojmë njohuritë mbi kombin dhe konceptet filozofike të kufijve dhe etniciteteve.
Sipas Lulgjurajt, i cili e ndërthuri bashkëbisedimin me një analizë mbi librin librin dhe qasjen e autorit, ai shpjegon se si busulla orientuese e neoshqiptarizmit duhet të jetë një sistem referencash nga e kaluara të atyre që janë përkushtuar ndaj interesave kombëtare për të vendosur interesa strategjike.
Kështu, sipas tij, “Neoshqiptarizmi” e sheh Skënderbeun si udhërrëfyes për moralin dhe guximin politik, i cili duhet të shërbejë si kujtesë për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare, duke forcuar një partneritet të besueshëm me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Epoka e Rilindjes Kombëtare përbën fillimin e një epoke të re për shqiptarët dhe ndjenja e identitetit dhe përpjekja për lirinë shprehen përmes diplomacisë, që është udha e së ardhmes, duke përmbledhur kështu kapitujt e “Neoshqiptarizmi”-t.
Autori Galdini shpjegoi se dikur identitetet zhbëheshin nëpërmjet shpatës dhe deri nga fillimi i shekullit XX edhe nga luftërat dhe asgjësimet etnike, duke parë një tendencë të tillë edhe në ish-Jugosllavi që nëpërmjet luftës të bëhet spastrim etnik. Megjithatë ai potencon se spastrimet nuk mund të bëhen më me luftë, sepse humbjet gjithëpërfshirëse nga luftërat në kohën në të cilën jetojmë marrin përmasa të tjera, ku të gjithë dalim humbës, e më së tepërmi popujt e vegjël. Popujt zhbëhen me para në ditët e sotme, e cila e kthen identitetin në identitet likuid, identitet ky i zhbëshëm dhe i lëvizshëm, i cili nuk njeh as kufij dhe as busull morale për të njohur veten dhe për të qëndruar besnik, as ndaj historisë dhe as përpjekeve të paraardhësve për të ruajtur identitetin kombëtar si vlerë e brendshme morale.
Galdini theksoi se koncepti mbi vlerat morale të kombit ka marrë konotacion të spektrit ekonomiko-sociologjik, ku ai është i tjetërsueshëm në bazë të mirëqënies ekonomike.
Ai tha se moderniteti me paranë ka bërë dëme më të mëdha në shpërbërjen e identitetit kombëtar sesa që luftërat kanë shkaktuar ndonjëherë, duke marrë si shembull kryesor kombin shqiptar për të cilin edhe e shtjellon konceptin e etnicitetit dhe ruajtjes së vlerave identitare, sepse trysnia kryesore sot është integriteti kombëtar.
Megjithatë Galdini merr një qasje optimiste në këtë libër dhe kërkon ta kthejë shqiptarinë në frymëmarrje krijuese të një kombi që nuk e mohon të kaluarën, por nuk lejon që e kaluara të jetë udhërrëfyese për të ardhmen, por manifest i mundësisë për ta ndërtuar atë me frymë dhe me kuptim dhe se shqiptarizmi nuk njeh kufij derisa ne ndërtojmë së bashku si një komb i unifikuar.

A. Osmani

Të fundit

më të lexuarat